10 vjet pa titullin, Vetteli synon “rrëzimin” e Mercedesit

02 mars 2018 | 10:52

Sebastian Vettel ka ritheksuar ambiciet e skuadrës së tij për të rikthyer në Maranelo një titull kampion që mungon prej 10 vjetësh te Ferrari. Piloti gjerman shihet si kërcënimi i vetëm real i rrëzimit të Lewis Hamilton nga froni, edhe pse në sezonet e fundit skuadra e Mercedes ka qenë gjithmonë në avangardë të risive në Formula 1.

Vitin e kaluar Vetteli e kërcënoi fushatën e Hamilton për titullin por vetura nuk ishte e qëndrueshme dhe regjistroi jo pak dështime. Britaniku mori titullin dy gara nga fundi i kampionatit, por tashmë 30-vjeçari Vettel shpreson se Ferrari e ka reduktuar hendekun me kampionët në fuqi, raporton “TCH”. Sipas pilotit gjerman, skuadra italiane ka shanse të rikthejë titullin e parë pas triumfit të Kimi Raikkonen në 2007.

“Është e paevitueshme pesha e viteve por unë shpresoj se Ferrari nuk do të presë një vit tjetër për titullin. Dua të bëj të pamundurën që të sjell kampionatin në Maranelo. Kjo është ambicia jonë e madhe. Sigurisht që Mercedes është favorite por ne mund të jemi shumë pranë, si vitin e kaluar. Është sezon i gjatë dhe deri në nëntor gjithçka mund të ndodhë”, ka thënë Vettel.

Testet në cirkutin e Katalonjës u cenuan nga reshjet por do të duhen ende 3 javë deri në premierën sezonale. Vettel dhe Hamilton do rinisin betejën për titullin në garën e parë të kampionatit në Çmimin e Madh të Australisë në 25 mars.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka vazhduar edhe sot ndarjen…