148 studentë të Universitetit “Ukshin Hoti” janë në pritje të bursave

06 mars 2018 | 14:31

Rektori i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, prof. dr. Ramë Vataj, i shoqëruar edhe nga kryesuesi i Këshillit Drejtues, prof. dr. Bedri Muhadri dhe anëtarë të tjerë të menaxhmentit, të martën, kanë pritur në takim studentët protestues për çështjen e bursave, të kryesuar nga kryetari i Parlamentit të Studentëve, Arianit Berisha.

Rektori Vataj dhe kryesuesi Muhadri i njoftuan studentët se ende universiteti nuk ka alokuar mjetet bursistëve për vitin akademik 2015/2016, për arsye të mungesës së fondeve të mjaftueshme në buxhetin e universitetit.

Për vitin akademik 2015/2016 në UPZ e kanë fituar të drejtën e bursës 148 studentë, kurse në buxhetin e universitetit, në kategorinë e subvencioneve aktualisht janë vetëm 30 mijë euro.

Rektori Ramë Vataj ka bërë me dije se janë në pritje të vendimit nga Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe Teknologjisë që t’ua lejojë shfrytëzimin e fondeve nga kategori të tjera ekonomike apo t’u sigurojë mjetet e nevojshme. “Me ndihmën e MAShT-it, besojmë se mund të bëjmë zgjidhje për studentët bursistë. Jemi të vetëdijshëm për vonesat, mirëpo kërkojmë mirëkuptim nga bursistët sepse qëllimi është që të përfitojnë një bursë të dinjitetshme”, ka thënë Vataj.

Edhe kryesuesi i Këshillit Drejtues, prof. dr. Bedri Muhadri, ka theksuar se do të bëjnë ç’është e mundur që në afat sa më të shpejtë të zgjidhim problemin e bursave për studentët e UPZ-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri…