Më 16 shkurt mbahet ekspozita retrospektivë e piktores Alije Vokshi në GMK

11 shkurt 2018 | 14:07

Më 16 shkurt, në orën 19:00, në Galerinë e Ministrisë së Kulturës (GMK) bëhet hapja e ekspozitës së parë në kuadër të Programit Artistik të Galerisë së Ministrisë së Kulturës për vitin 2018.

Galeria e Ministrisë së Kulturës e nis këtë vit me ekspozitën retrospektivë të piktores së mirënjohur, Alije Vokshi.

Piktorja Alije Vokshi është gruaja e parë shqiptare nga Kosova që diplomoi për pikturë.

Alije Vokshi ka lindur në vitin 1945 në Prishtinë. Ka mbaruar Shkollën Pedagogjike në Prishtinë, ndërsa ka përfunduar studimet e magjistraturës në Beograd në vitin 1981.

Ajo kreu edhe një vit specializim në Paris dhe më pastaj u angazhua deri në pensionim, si ligjëruese në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës nga viti 1974-2015.

Kjo ekspozitë retrospektive shpalosë një pjesë të krijimtarisë së piktores Alije Vokshi dhe janë veprat e para me të cilat nisi karrierën.

Ekspozita vjen në Galerinë e Ministrisë së Kulturës si eveniment i listuar edhe nën patronatin e presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me rastin e dhjetëvjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Ky projekt financohet nga Ministria e Kulturës e Republikës së Kosovës, ndërkaq drejtohet nga Dhurata Ramosaj-Shala, koordinatore e Galerisë së Ministrisë së Kulturës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e Sevillës e ka mposhtur Gironën, me rezultat 1-0…