Opozita: Vota e Shqipërisë në OKB, kundër interesit kombëtar

08 shkurt 2018 | 15:39

Kuvendi i Shqipërisë është mbledhur të enjten në një seancë plenare të thirrur nga opozita, për të debatuar votën e Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), votë e cila shkoi kundër propozimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit.

Opozita shqiptare përmes kësaj seance paraqiti projektrezolutë “reflektimi” për ndryshimin e qëndrimit të mbajtur nga Qeveria shqiptare mbi “Rezolutën për statusin e Jerusalemit” të OKB-së të datës 21 dhjetor të vitit 2017.

Ky debat u përcoll me akuza të ashpra nga opozita e cila e ka cilësuar votën si “votë kundër interesave shqiptare”.

Ish-kryeministri Sali Berisha, njëherësh deputet nga radhët e Partisë Demokratike, ka thënë se 21 dhjetori do të hyjë në historinë e Shqipërisë si ditë e zezë, dita në të cilën Shqipëria dha votën kundër shtetit dhe kombit që ka bërë më shumë se kushdo për lirinë e shqiptarëve.

“Votuat kundër vendit që ka dëshmuar në kohë lirie ndjenjat më miqësore ndaj Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi. Votuat kundër vendit që në një kohë kur vendet tjera po hiqnin dorë përfundimisht nga mbështetja e pavarësisë së Kosovës, qëndruan fuqishëm dhe erdhën në Tiranë dhe shpallën pothuaj nga Tirana, Kosovën e pavarur”, ka thënë Berisha.

Edhe Monika Kryemadhi nga Lëvizja Socialiste për Integrim tha se Shqipëria nuk do të duhej të kishte ardhur në këtë pikë dhe nuk do të duhej të ishte bërë pjesë e, siç tha ajo, kësaj vote anti-amerikane, pasi vendimi i presidentit amerikan Donald Trump përfaqëson qëndrimin sovran të popullit amerikan, raporton “Rel”.

“Iniciativa e sotme për t’i prezantuar këtij Kuvendi një rezolutë reflektuese për sa i përket lajthitjes së pafalshme diplomatike, në raport me bashkimin e paqëndrueshëm të Shqipërisë kundër interesave dhe deklaratës së presidentit të ShBA-së, Donald Trump, për vendosjen e Ambasadës së vendit të tij në Jerusalem, është një hap i duhur në drejtim me raportet tona historike dhe diplomatike me partneritetin më të rëndësishëm për interesat strategjike të Shqipërisë dhe të shqiptarëve në mbarë rajonin”, ka thënë ajo.

Ndërsa kryeministri Edi Rama, ka thënë se “opozita ka humbur arsyen dhe se nuk e gjeni dot shpëtimin në Jerusalem”.

Ai ka thënë se debati për votën në OKB frymëzohet nga frika e opozitës për reformën e drejtësisë së re që po vjen.

“Një gjë të dini mirë të gjithë, Shqipëria me Amerikën nuk ndahen nga vota në OKB, se vota të tilla në OKB ka pasur plot, dhe s’ka ndodhur asgjë. Shqipëria me Amerikën nuk mund të jenë mollë sherri. Këtu ndarja është shumë e qartë. Me kë jemi: Me drejtësinë apo me pandëshkueshmërinë? Me kë jemi: Me hetime për të gjithë apo për hetime për ata që nuk janë pjesë e barkut të shtëpisë apo barkut të partisë? Me kë jemi: Me fotografitë e të shkuarës apo me Shqipërinë e të drejtë së të nesërmes. Kjo është ndarja dhe në këtë ndarje ju jeni vetëm”, ka thënë Rama duke iu drejtuar deputetëve të opozitës.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka votuar me një shumicë të madhe për të kundërshtuar njohjen e njëanshme presidentit të ShBA-së Donald Trump, që Jerusalemi të njihet si kryeqytet i Izraelit.

Votimi erdhi edhe pas dyfishimit të paralajmërimeve të ambasadores së ShBA-së në OKB, Nikki Haley, e cila tha se Uashingtoni do të mbante mend se cilat vende “nuk e respektojnë” Amerikën duke votuar kundër saj.

Pavarësisht nga paralajmërimi, 128 anëtarë, përfshi Shqipërinë, votuan më 21 dhjetor në favor të rezolutës mbështetëse të konsensusit të gjatë ndërkombëtar që statusi i Jerusalemit – i cili konsiderohet si kryeqytet nga Izraeli dhe Palestina – mund të zgjidhet vetëm si një çështje përfundimtare e miratuar përmes një marrëveshjeje të paqes.

Vendet që votuan pro rezolutës përfshinin përfituesit kryesorë të ndihmës amerikane si Egjipti, Afganistani dhe Iraku.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Kosovës (PK) ka reaguar ndaj akuzave të deputetit…