215 të vdekur në përpjekje për të kaluar Mesdheun

22 qershor 2018 | 17:22

Shifra të frikshme janë publikuar nga një raport i fundit nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB).

Vetëm gjatë dy ditëve, të paktën 215 persona janë mbytur pasi janë larguar nga Libia në tentativë për ta arritur në brigjet evropiane.

Të martën, 95 persona janë mbytur gjatë udhëtimit me një varkë prej druri, e cila mbante 100 persona, është thënë në raportin e OKB-së.

Varka është gjetur pranë brigjeve të Tripolit në Libi nga Garda Kombëtare. Në të njëjtën ditë, në një tjetër zonë janë mbytur 70 persona me një varkë që mbante 130 pasagjerë.

Në rastin e parë, pesë të mbijetuarit janë dërguar në spital nga autoritetet libiane, ndërsa 60 të mbijetuarit në ngjarjen e dytë janë kthyer sërish në Libi edhe pse është e paqartë, ndërsa janë duke marrë ndihmë mjekësore.

Ndërkohë të mërkurën, Rojet Bregdetare libiane kanë gjetur të mbytur 50 persona në një zonë rreth 40 milje në lindje të Tripolit, në Garabulli.

“Këto vdekje tragjike na rikujtojnë se luftërat dhe varfëria vazhdojnë t’i nxisin njerëzit të kryejnë udhëtime të dëshpëruara që i kushtojnë atyre të gjitha kursimet e jetës, dinjitetin e tyre dhe në fund edhe jetën”, ka thënë komisionari i lartë i OKB për refugjatët, Filippo Grandi.

Ngjarje tragjike si këto të fundit kanë ndodhur shpesh gjatë kohëve të fundit. Sipas OKB-së, 90 emigrantë nga Libia janë mbytur gjatë muajit shkurt, ndërsa 11 të tjerë kanë humbur jetën në prill, sipas flotës libiane.

Në Libi ka nga 700 mijë deri në 1 milion emigrantë, sipas Organizatës Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara për Migracionin, ndërsa popullsia kombëtare është 6.2 milionë.

Libia që kufizohet me Egjiptin, shihet shpesh si një destinacion për emigrantët, sepse ka sasinë më të madhe të naftës në Afrikë.

Sidoqoftë, Libia është dëmtuar nga dhuna dhe varfëria në vitet e fundit. Një luftë civile nisi në vitin 2011 me përplasje mes qeverisë dhe forcave rebele, e cila kishte nxitur edhe një luftë të dytë civile që është ende në vazhdim në këtë shtet.

Ndërkohë, ShBA-ja ka vendosur sanksione ndaj Libisë pas një hetimi të fshehtë të “CNN”, duke zbuluar tregtinë moderne të skllevërve.

Migrimi në Libi, megjithatë, nuk ka rënë. Vendndodhja e Tripolit, në buzë të Mesdheut, e bën atë një pikë strategjike për të gjithë ata që synojnë t’i largohen varfërisë dhe konfliktit, duke synuar Evropën.

Më shumë se 60 mijë persona kanë arritur në Itali nga Libia ndërmjet janarit dhe majit të vitit të kaluar, sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin. (TCh)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të gjitha kompetencat ekzekutive, të cilat deri më tani Misioni…