270 punëkërkues përfitojnë nga programet aktive të tregut të punës

25 maj 2018 | 14:25

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, në bashkëpunim me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) ka mbajtur të premten ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjeve në mes të përfituesve të programeve aktive të tregut të punës, ku do të përfitojnë 270 punëkërkues.

Ministri i MPMS-së, Skender Reçica, me këtë rast ka përgëzuar të rinjtë që kanë përfituar nga ky program, duke shtuar se punësimi i të rinjve është prioritet kryesor i MPMS-së.

“Si MPMS po punojmë në shumë drejtime dhe në disa programe. Një nga pikat programore të Qeverisë është edhe punësimi i një anëtari të secilës familje që nuk e kanë asnjë të punësuar dhe në këtë drejtim ne po punojmë shumë që këtë pikë programore ta bëjmë realitet. Për këtë jam duke u angazhuar shumë edhe personalisht”, ka thënë Reçica.

Po ashtu, ai ka theksuar se krahas masave aktive të tregut të punës, MPMS po angazhohet shumë edhe në arritjen e marrëveshjeve për punësim sezonal me disa vende të BE-së, duke premtuar se së shpejti do të kemi lajme të mira në këtë drejtim.

Reçica ka falënderuar punëdhënësit e sektorit privat për mundësinë që kanë ofruar, që përmes programit të subvencionimit në pagë dhe praktikës në punë, do të përfitojnë 270 persona.

Ministri Reçica ka falënderuar edhe UNDP-në duke premtuar se MPMS-ja do të bashkëpunojë edhe në projekte tjera në kuadër të masave aktive të tregut të punës.

Ai ka thënë se shumë shpejt do të kenë edhe ftesën për programet e vetëpunësimit, e cila është një mundësi e re për të rinjtë e të rejat që përmes ndërmarrësisë do të krijojnë vende punë për veten e tyre, por edhe për të tjerët.

Ndërkaq, zëvendëspërfaqësuesja e përhershme e UNDP-së në Kosovë, Alessandra Roccasalvo, ka uruar të gjithë përfituesit e programit duke thënë se përmes kësaj skeme, UNDP-ja po synon të realizojë disa objektiva rreth punësimit.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka…