Veseli në Rahovec, fton bashkatdhetarët të investojnë kapitalin e dijen në Kosovë

20 maj 2018 | 18:25

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka marrë pjesë në vendosjen e gurthemelit të një projekti të ri prej 7 milionë euro që ka filluar kompania “Stone Castle Resort” në komunën e Rahovecit, e që ka për qëllim turizmin dhe sjelljen e vizitorëve nga mbarë bota për të vizituar vreshtat e Rahovecit dhe Kosovën.

Në ceremoninë e gurthemelit, kryeparlamentari Veseli ka thënë se investitori Rrustem Gecaj po e transformon industrinë e bujqësisë edhe në industri të turizmit.

“Sot po i jepni një dimension të ri të zhvillimit komunës së Rahovecit dhe krejt Republikës së Kosovës, duke e transformuar industrinë e përpunimit të verës, përkatësisht bujqësinë në tërësinë e vet, edhe në industri të turizmit. Ne u jemi falënderues për këtë sukses. Kjo është ajo çfarë i duhet Kosovës. Në të njëjtën kohë i falënderojmë qytetarët e komunës së Rahovecit të cilët janë njerëzit më punëtorë në Republikën e Kosovës, janë dora e artë e punës”, ka thënë Veseli.

Duke folur për shembullin e suksesit të investitorit Gecaj nga diaspora në Kosovë, kryeparlamentari Veseli ka ftuar edhe bashkatdhetarët tjerë të suksesshëm që ta sjellin jo vetëm kapitalin e tyre në Kosovë, por ta sjellin edhe dijen e përvojën e fituar.

“Dëshiroj në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës t’ju falënderoj për këtë investim të jashtëzakonshëm. Para disa ditësh në Kuvendin e Kosovës kishim disa dhjetëra, qindra intelektualë, biznese nga diaspora. Një nga momentet më të suksesshme në Kosovë do të jetë kur diaspora jonë do të transformohet në pjesën e investimeve në atdheun e vet. Që ta sjellin jo vetëm kapitalin por ta sjellin edhe dijen. Ne institucionet e Republikës së Kosovës, qytetarët e komunës së Rahovecit dhe qytetarët e Republikës së Kosovës janë shumë falënderues për këto investime që jeni duke i vazhduar në Komunën e Rahovecit”, ka thënë Veseli.

Ndërsa, pronari i kompanisë investuese, Rrustem Gecaj e ka falënderuar kryeparlamentarin Veseli për përkrahjen e vazhdueshme që i ka dhënë ai investitorëve.

Ai ka thënë se projekti i ri që ka filluar në Rahovec do të punësojë mbi 50 qytetarë, ndërsa do ta shndërrojë këtë pjesë të Kosovës si destinacion mjaft interesant për turistët të cilët do të kenë mundësi të pushojnë në këtë zonë dhe të vizitojnë vreshtat e mrekullueshme të Kosovës.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mali i Zi është duke planifikuar të ndërtojë një gardh…