7. Rekomandimet të korrespondohen me referencat e studimit

13 korrik 2018 | 10:38

Hajdin Abazi

PROBLEME THEMELORE TË PUNIMEVE STUDIMORE (8)

(Autori është prof. ass. dr. dhe ka ligjëruar për shumë vjet lëndët Shkrimi akademik dhe Metodologjia e hulumtimit shkencor)

Duke e përmbyllur shqyrtimin e problemit të rekomandimeve si praktikë e deritashme dhe pasi shpresoj të jetë qartësuar nevoja për një praktikë të re e më të duhur, duket e udhës të rikujtohen disa gjëra kryesore.
Rekomandimet nuk janë të domosdoshme në secilin punim studimor, sepse një studim fare mirë mundet edhe pa ndonjë rekomandim.
Por nëse nga vetë studimi rrjedhë nevoja për rekomandime, atëherë kjo duhet të bëhet. Sikurse u tha, rekomandimet mund të jenë të dy natyrave: të tilla që tregojnë kahet se kah mund të bëhet ndonjë studim në të ardhmen si thellim i ndonjë aspekti të vënë re, dhe të tilla që tregojnë se si duhen implementuar rezultatet e studimit.
Rekomandimet kanë kuptim dhe peshë shkencore vetëm po qe se burojnë dhe rrjedhin nga shqyrtimi i bërë në studim. Secili rekomandim që nuk është i këtillë, më mirë është të mos futet fare si rekomandim, sepse ajo thjesht është si një amputim artificialisht i një gjymtyre.
Po qe se ndonjë rekomandim mund të jetë joshës dhe të vë në pah ndonjë mangësi, defekt, vështirësi apo dukuri negative, por që nuk buron drejtpërdrejt nga studimi në fjalë – do të duhej të mos inkorporohet fare në këtë studim. Sigurisht, një rekomandim i tillë, si një ide e re për studime të tjera, mund të mbahet shënim, që të jenë embrioni i një studimi tjetër në të ardhmen. Ky do të ishte veprim korrekt, kurse i pafrytshëm futja e panevojshme si rekomandim.
Janë krijuar të gjitha parakushtet që të tejkalohet praktika tashmë e ngulitur e që nuk është aspak e frytshme dhe të nisë një praktikë e re që metodologjikisht ta bëjë studimin korrekt dhe shkencor, duke krijuar kalibrimin dhe korrespondimin (në këtë rast) të rekomandimeve me referencat domethënë përmbajtjen e studimit, ose që nga studimi të rrjedhin natyrshëm rekomandimet.

V. PROBLEMET E PËRFUNDIMIT TË STUDIMIT

Probleme të tjera, po ashtu shumë serioze, të punimeve të shumta që bëhen nëpër universitete lidhen me pjesën e fundit të studimit, ajo që njihet zakonisht si “përfundimi”, “konkluzione” ose “përmbyllja”. Kësaj pjese tash do t’i kushtoj vëmendje, por nuk do të flas për rekomandimet, meqë çështja e tyre është trajtuar më sipër dhe nuk kam ndonjë gjë më tepër për të shtuar.
Në fillim do të përpiqem t’i tregoj mënyrat jo të duhura të të shkruarit të “përfundimit” e pastaj do të shpreh disa mendime se si do të mund të bëhej më mirë, të hartohej në mënyrën e duhur kjo pjesë.

1. Përfundimet që nuk përmbushin misionin e vet

Praktika dominuese e “përfundimit”, zakonisht, është se duhet të shkruhet një përfundim. Kjo tregon se është mishëruar nevoja që çdo punim duhet të ketë një përfundim ashtu sikurse ka një “hyrje”. Si e tillë, kjo është një praktikë e mirë, gjithsesi. E, megjithatë, ka diçka që nuk është në rregull me “përfundimin”.
Parregullsia qëndron te fakti se “përfundimi” nuk jep atë që pritet të japë, atë që duhet, në të vërtetë, të japë. E njëjta gjë e karakterizon “përfundimin” sikurse u theksua më parë lidhur me “rekomandimet”; madje përderisa rekomandimet disi përpiqen të ndërlidhen me studimin (ani se pa referenca në brendi), përfundimi shpesh del edhe më keq dhe është më i mangët. Si i tillë, përfundimi duket lë përshtypjen se duhej shkruar vetëm sa për t’u shkruar, sa për t’i plotësuar standardet universitare.
Në shumicën e punimeve që pretendojnë të jenë studimore mund të hetohet qartë se autorët nuk e kanë të qartë misionin e përfundimit, nuk e dinë se çfarë duhet ajo të përmbajë. Por, para se të tregohet kjo, dua të tregoj se ku qëndron panatyrshmëria e “përfundimeve” ashtu sikurse është bërë praktikë deri më tash.

2. Mospërputhja formale e përfundimit me hyrjen

Panatyrshmëria e “përfundimit” mund të hetohet konkretisht nga parregullsitë që i përmban. Këto parregullsi janë të karakterit të dyfishtë, edhe formale edhe, sidomos, kryesoret madje, përmbajtjesore.
Në aspektin formal parregullsitë vërehen fare lehtë. Si mund të dihet kjo? Thjesht mjafton për t’iu kthyer “hyrjes” për të parë se çka përmban ajo, se çfarë është thënë aty se do të bëhet gjatë studimit. Për shembull, te “hyrja” zakonisht është aspekti teorik i problemit studimor, i cili, sipas standardeve universitare, ka një strukturë të përbërë nga qëllimi, objektivat, pyetjet studimore dhe hipotezat. Pyetja e thjeshtë që shtrohet është kjo: çfarë thotë “përfundimi” për këto aspekte të problemit studimor?
Se çka përmban e çka jo nga struktura e problemit studimor të formuluar në “hyrje” kjo mund të shihet nga struktura e përfundimit. Nuk është fort e rrallë që asnjëra nuk figuron te përfundimi. Megjithatë, zakonisht figuron ndonjëra, por thuaja përjashtimisht që të gjithat.
Në përfundim, ndonjëherë, shihet “qëllimi”, ku theksohet se është arritur qëllimi. Ndonjëherë mund të përmenden “objektivat” të cilat zakonisht deklarohen se janë përmbushur. Rrallë ka edhe përgjigje në pyetjet e shtruara. Po ashtu, mjaft rrallë mund të ketë pohime lidhur me hipotezat, se çfarë është bërë me to apo çfarë ka treguar studimi për to.
Kështu duket qartë se “hyrja” dhe “përfundimi” nuk korrespondojnë me njëra-tjetrën as në aspektin formal, sepse një pjesë e atyre që janë parashtruara si synime në “hyrje” harrohen në “përfundim” dhe thuhet krejt diçka tjetër.
Në praktikën aktuale të universiteteve përgjithësisht duket se shpëtimi magjik shpresohet te “rekomandimet”, ndonëse relacioni midis rekomandimeve dhe përmbajtjes së studimit është me përplot të paqarta ashtu sikurse tashmë e kam sqaruar.

3. Deklarativiteti për qëllimin dhe objektivat

Në aspektin përmbajtjesor parregullsia është jo vetëm e dukshme, por edhe më e thellë. Ndonjëherë, si shprehi, shkruhet një fjali ku theksohet se “qëllimi është arritur”. Ky është një pohim, por nuk mjafton vetëm si i tillë. Për t’u treguar se është arritur qëllimi apo se në ç’përmasë është arritur qëllimi, duhet të tregohet se ku mbështetet ky konstatim dhe se si është arritur konkretisht qëllimi. Me fjalë të tjera, duhet të argumentohet se është arritur njëmend qëllimi, nëse është arritur, ose për aq sa është arritur. E kjo, në të shumtën e herëve, mungon. Prandaj edhe konstatimi se “qëllimi i studimit është arritur” më tepër tingëllon si një frazë sesa si një paralajmërim se do të tregohet se si është arritur.
Po ashtu, ndonjëherë gjendet edhe ndonjë pohim i ngjashëm për “objektivat e studimit”. Rrallë e tek ndonjëherë tregohet se si janë përmbushur ato. Nuk po flas këtu për atë se, sipas punimeve në të shumtën e herëve, objektivat e shtruara përmbushen dhe përjashtimisht mund të ketë ndonjë rast kur autori “dështon” të përmbush një objektiv. Duket qartë se ka një keqkuptim themelor, thua se një punim duhet me patjetër t’i përmbushë të gjitha objektivat e shtruara, për të qenë studim i “arrirë”. Me sa duket është konceptuar se duhet të jepet ndonjë deklaratë për qëllimin dhe objektivat e studimit, ku të thuhet se ato janë arritur.
Edhe pse disi panatyrshëm, prapëseprapë, duket se disa autorë ndjejnë nevojën që të thonë diçka lidhur me qëllimin dhe objektivat e studimit, të parashtruara që në hyrje. Qoftë dhe vetëm si përpjekje, pavarësisht nivelit, kjo është një tregues se logjika i nxit për mos të harruar pikënisjen, atë që është “premtuar” në hyrje se do të bëhet.

4. “Përgjigjet” e vetëkuptueshme të pyetjeve studimore

Zakonisht ato që, në aspektin përmbajtjesor, harrohen më së shpeshti në përfundim janë “pyetjet studimore” dhe “hipotezat”.
Ndonëse në punim janë parashtruar disa pyetje studimore në “hyrje”, nuk konsiderohet e nevojshme për të treguar se çfarë është bërë me ato. Një prej arsyeve se përse ndodhë kjo “harresë” është ajo se konsiderohet e panevojshme të tregohet përgjigja, meqë ajo është e vetëkuptueshme për cilindo që ka lexuar studimin. Një arsye tjetër është se besohet që përgjigja është dhënë dhe është e qartë nga kapitujt e nënkapitujt e punimit. Këtu shprehet pa dashje një keq perceptim, thua se lexuesi duhet vetë të gjejë përgjigjet brenda tekstit të punimit studimor. Kjo mund të vlejë në punime të natyrave të tjera, por jo kur flitet për një shtjellim që pretendon të jetë shkencor. Mungesa e përgjigjeve të qarta dhe të përmbledhura, në të vërtetë, shpreh paqartësi dhe mjegull të studiuesit, dhe të vetë studimit.

5. Konstatime për hipotezat në vend të argumentimit

Parregullsia e “përfundimit”, nga aspekti përmbajtjesor, bëhet edhe më e dukshme lidhur me hipotezat. Problemi shfaqet, në fakt, qysh te formulimi i hipotezave, formulime të cilat shpesh janë të paqarta dhe më tepër ngjajnë në konstatime apriori se sa në hamendësime.
Krahas kësaj, “harresa” më e zakonshme ndodhë me hipotezat. Më e shpeshta është se ato nuk përmenden fare. E ndonjëherë, nëse përmenden, atëherë ato shprehen me formulën magjike të tipit “hipoteza është vërtetuar”. Kaq, dhe thuaja asgjë tjetër. Duket se këtij konstatimi duhet për t’i besuar, mbase për shkak se autori e thotë se është vërtetuar hipoteza.
Por në shkencë nuk mjafton të thuhet vetëm se është vërtetuar hipoteza. Për t’u besuar kjo, do të duhej të tregohej se si është vërtetuar, të argumentohet vërtetimi. Pa këtë shpjegim, konstatimi mbi vërtetimin e hipotezës mbetet një frazë me shumë enigma, si, fjala vjen, si është vërtetuar, ku bazohet vërtetimi, a është vërtetimi i saktë apo jo, a janë të dhënat apo faktet e duhura ato ku mbështetet vërtetimi i hipotezës. Konstatimi i tillë nuk lë vend për diskutim, por vetëm për pyetje përgjigjet në të cilat do të tregonin se si është arritur konstatimi i vërtetësisë e pastaj të diskutohet nëse ajo është e qëndrueshme apo jo.

6. Standardi i koherencës metodologjike

Këto parregullsi, si ato formale ashtu edhe ato përmbajtjesore, që i përmblodha më sipër, shpërfaqin, ç’është më e keqja, jo seriozitetin shkencor. Para se gjithash e mbi të gjithat, ato shprehin inkonsistencën metodologjike, defekt i dukshëm ky i keqfunksionimit të qasjes sipas një mënyre të proklamuar se do të ndiqet në studime të tilla, e që lëndojnë dukshëm edhe karakterin studimor.
Ky defekt metodologjik bëhet më e ndjeshme kur dihet se përmes punimeve të tilla merret titull shkencor. Edhe më shqetësuese bëhet fakti se këto parregullsi, të meta dhe mangësi në punime të tilla mbeten pa u hetuar jo vetëm nga autori. Këtu implikohet, në shumicën e rasteve, edhe mentori, e madje edhe komisionet vlerësuese, për vetë faktin se punimet e tilla marrin “vizën” për të kaluar.
Konsideroj se është bërë një përvojë e mjaftueshme dhe është krijuar një njohje se për të marrë titull shkencor, master apo doktor ose për t’u avancuar, duhet shkruar një punime studimore. Kjo ka krijuar premisat, ose bazat, që të mund të shkohet më tutje, të tregohet më shumë seriozitet në punimet e tilla.
Jam i bindur se është e mundur të arrihet një seriozitet i mirëfilltë studimor. Këtë e them edhe nga përvoja ime, por edhe nga fakti se në shkenca të aplikuara studentët arrijnë të tregohen kreativ dhe të shënojnë rezultate që janë të standardeve bashkëkohore, madje edhe konkurruese në tregun e inovacionit. Ky standard, me mundësitë që i jep interneti, është mundur të arrihet edhe në disiplinat shoqërore, pa përjashtim. Sigurisht, ajo që kërkohet është përkushtimi më i madh autorial dhe mentorial.
Në vazhdim do të shpreh disa pikëpamje se si mund dhe duhet të eliminohen parregullsitë e sipërpërmendura, e bashkë me këtë të ngrihet edhe niveli i punimeve studimore, duke marrë së pari karakter të konsistencës metodologjike e pastaj, dhe me këtë, edhe karakter më të mirëfilltë përmbajtjesor. Standardi i koherencës midis “përfundimit” dhe “hyrjes” është i arritshëm duke ndjekur me konsekuencë metodologjinë e studimit, ose strukturën e “hyrjes”. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë…