Abrashi: Prishtina është qeverisur dobët

01 Nëntor 12:35

Ai ka treguar se tani me ekipin e tij është duke bërë një analizë të thellë të rezultatit të 22 tetorit dhe të gjithë strategjisë që do ta ndjekë deri në ditën e balotazhit. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Abrashi ka thënë se është i përgatitur maksimalisht që në garën në vazhdim ta forcojë bindjen e qytetarëve në favor të programit të tij. “Tashmë nuk ka asnjë dyshim se rezultati do të përmbyset. Ne i kemi bërë një analizë rezultatit tonë dhe po analizojmë gjithçka që na duhet për garën në vazhdim. Jemi të përgatitur maksimalisht që ta forcojmë bindjen te qytetarët të cilëve po ua kërkojmë votën në këmbim të një programi të analizuar që ka kosto dhe është serioz. Programi ynë i jep zhvillim të hovshëm Prishtinës”, ka thënë Abrashi.
Ai ka bërë me dije se qeverisja e dobët e Shpend Ahmetit në këta katër vjet do ta ndihmojë atë për përmbysjen e rezultatit të 22 tetorit.
Teksa ka numëruar përparësitë e veta në raport me Shpend Ahmetin, Abrashi ka thënë se kundërkandidati i tij nuk di të qeverisë. “Puna dhe përkushtimi për të, për Prishtinën. Shpendi është treguar se nuk di të qeverisë dhe unë kam sfiduar vetën në shumë projekte të ndjeshme sa kam qenë ministër. E kam kuptuar se vetëm me bashkëpunim mund të zgjidhen të gjitha problemet. Shpendi ka treguar se është përjashtues, e unë jam bashkëpunues”, është shprehur Abrashi.
Sa iu përket koalicioneve të mundshme për balotazh, ai ka thënë se parapëlqen koalicionin me qytetarë, megjithatë është treguar i gatshëm për bashkëpunim edhe me subjektet e tjera politike.
Sipas Abrashit, polemikat e fundin që janë zhvilluar në Kuvend ndërmjet deputetëve të LDK-së dhe liderit të PDK-së nuk do të ndikojnë në garën për Prishtinën. “Në fakt, PDK-ja ka qenë dhe mbetet rivale politike e LDK-së e jo aleate e natyrshme siç po thoni. Nuk mendoj se polemikat ndërmjet deputetëve të Kuvendit mund ta dëmtojnë garën për Prishtinën. Rezultati u pa të dielën. Por, unë jam i gatshëm për bashkëpunim me të gjitha partitë që si kryetar ta bëjmë më të mirën për Prishtinën”, ka thënë Abrashi.

“Epoka e re”: Z. Abrashi, e keni pritur këtë rezultat në Prishtinë?
Abrashi: E kemi pritur një rezultat edhe më të madh, duke e parë se Prishtina është qeverisur dobët nga z. Ahmeti. Por, qytetarët na kanë dhënë edhe një shans që të përballemi në garën e balotazhit dhe mendoj se do ta fitoj këtë garë.

“Epoka e re”: Sa besoni se do ta përmbysni këtë rezultat në raundin e dytë dhe cila do të jetë strategjia që do të ndiqni deri te balotazhi?
Abrashi: Tashmë nuk ka asnjë dyshim se rezultati do të përmbyset. Ne i kemi bërë një analizë rezultatit tonë dhe po analizojmë gjithçka që na duhet për garën në vazhdim. Jemi të përgatitur maksimalisht që ta forcojmë bindjen te qytetarët të cilëve po ua kërkojmë votën në këmbim të një programi të analizuar që ka kosto dhe është serioz. Programi ynë i jep zhvillim të hovshëm Prishtinës.

“Epoka e re”: Çfarë ju dalloni prej kundërkandidatit?
Abrashi: Puna dhe përkushtim për të, për Prishtinën. Shpendi është treguar se nuk di të qeverisë, e unë e kam sfiduar vetën në shumë projekte të ndjeshme sa kam qenë ministër. E kam kuptuar se vetëm me bashkëpunim mund të zgjidhen të gjitha problemet. Shpendi ka treguar se është përjashtues, e unë jam bashkëpunues.

“Epoka e re”: Për të dalë fitues në këtë garë ndoshta do t’ju duhen edhe koalicionet me subjektet e tjera politike. Keni diskutuar për këtë çështje me ndonjë parti?
Abrashi: Unë jam duke takuar shumë qytetarë dhe lidhja me ta është koalicioni më i mirë. Ata tashmë e kanë kuptuar se programi im është serioz dhe gjithëpërfshirës. Unë dhe LDK-ja nuk mund të japim premtime të rrejshme, sepse kështu nuk fitohet Prishtina. Pra, gjatë kësaj kohe do të mundohem ta bind çdo qytetar të Prishtinës për vizionin dhe programin tim, që ta bëjmë Prishtinën kryeqytet.

“Epoka e re”: Si aleat i natyrshëm për t’u përkrahur në balotazh është parë elektorati i PDK-së në Prishtinë. Mirëpo në seancën e fundit në Kuvendin e Kosovës disa zyrtarë të LDK-së kanë zhvilluar disa polemika të ashpra me liderin e PDK-së, Kadri Veseli. Mund t’ju dëmtojë kjo në vota, pasi mund të humbisni vota nga votuesit e PDK-së?
Abrashi: Në fakt, PDK-ja ka qenë dhe mbetet rivale politike e LDK-së dhe jo aleate e natyrshme siç po thoni. Nuk mendoj se polemikat ndërmjet deputetëve të kuvendit, apo të këshilltarëve komunalë, mund ta dëmtojnë garën për Prishtinën. Rezultati u pa të dielën. Por, unë jam i gatshëm për bashkëpunim me të gjitha partitë që si kryetar ta bëjmë më të mirën për Prishtinën.

“Epoka e re”: Qeverisja e Isa Mustafës në Komunën e Prishtinës është kritikuar shumë nga të gjitha subjektet politike. Sa mund t’ju dëmtoj kjo më 19 nëntor, ndonëse ju për herë të parë po garoni?
Abrashi: Të gjithë atë që e kanë kritikuar z. Mustafa tashmë e kanë kuptuar se kanë qenë të mashtruar nga atë që punuan fort e u bënë bashkë që ta fitojnë Prishtinën. E them pa modesti, që të gjithë kritikuesit nuk e kanë vlerësuar si duhet punën e madhe në mandatin e dytë të z. Mustafa. Këtë madje e tregoi edhe vetë z. Ahmeti që nuk e dinte që ish-objekti i Shkollës Fillore “Emin Duraku” ishte ndërtuar i ri. Mos të flasim për sheshet e reja, kolektorët, ujësjellësin, ngrohtoren e unazat që filluan në kohën e z. Mustafa. Por, ne nuk mund të merremi me të kaluarën. Nuk kemi as kohë e as dëshirë. Por, kemi vullnet të madh dhe jemi të përkushtuar që me projektet që po garojmë do të mund t’ia ndryshojmë pamjen Prishtinës.

(Muhamet KOCI)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të fundit
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetar të…