Adem Demaçi, i burgosuri politik më i famshëm ndër shqiptarët

14 shkurt 2018 | 11:50

“MENDIME TË ZGJEDHURA PËR ADEM DEMAÇIN” (5)

Selatin Novosella

82. Fehmi Berisha, veprimtar i çështjes kombëtare: Për Adem Demaçin dashuria dhe ndërgjegjja njerëzore duhet të ngadhënjejnë
Adem Demaçi, duke e njohur thellësisht mendësinë dhe shpirtin e popullit shqiptar, dhe përkundër që ndaj tij, të ligët dhe injorantët, bënë edhe shtab që pareshtur do të merrej me fyerjen, ofendimin, denigrimin dhe anatemimin e tij, ai, sërish, “vetëm buzëqeshi”, i bindur se vetëm dashuria është ndërgjegje njerëzore dhe se vetëm dija duhet të fitojë mbi injorancën, qoftë edhe duke u flijuar e rënë theror.

83. Feride Papleka, shkrimtare: Filozofia jetësore e Adem Demaçit – jeta duhet ta mund vdekjen
Duke lexuar romanin e Adem Demaçit “Gjarpinjtë e gjakut”, një ide e fuqishme vjen dhe shuan kufijtë kohor për t’u shndërruar në një filozofi të vetme universal: Jeta duhet ta mund Vdekjen. Vepra të tilla e humanizojnë botën, i japin formën e dëshirave sublime, në të cilat duhet të triumfojë e Mira dhe e Bukura.

84. Ferit B. Dibrani, publicist: Adem Demaçi, armiku numër një në Jugosllavi
Duke vërejtur se Adem Demaçin, pas lirimit nga burgu i dytë, në vitin 1974, po e vizitonin shumë qytetarë, se ai tashmë ishte shndërruar në lider shpirtërorë të shqiptarëve të robëruar, UDB-ja dhe Lidhja e Komunistëve mori vendim që Demaçi të burgosej përsëri, sepse për pushtuesin ai ishte armiku numër një në Jugosllavi.

85. Filla Fillota, avokat: Adem Demaçi deklaroi se “s’ka paqe në Jugosllavi pa u bashkuar Kosova me Shqipërinë”
Në vitin 1964 e kam mbrojtur një të burgosur, Nijaza Saraçogllu, që po gjykohej së bashku me Adem Demaçin dhe shumë të tjerë. Demaçi, në fjalën përfundimtare para gjyqit, përveç tjerash, tha: “Pa u bashkuar Kosova dhe territoret tjera shqiptare të banuara me shqiptar në Jugosllavi me Shqipërinë, s’do të ketë paqe as në Jugosllavi as në rajon”.

86.Flora Brovina, kryetare e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës: Adem Demaçi, klasik i letërsisë moderne
Flijimi i tij e ka bërë Adem Demaçin simbol të lirisë dhe pavarësisë kombëtare. Ai edhe sot është ndër klasikët e letërsisë sonë moderne. Personaliteti veprimtar dhe krijues i zotit Adem Demaçi, deri sot, është nderuar me shumë çmime dhe mirënjohje kombëtare dhe ndërkombëtare.

87. Florim Berisha, veprimtar i çështjes kombëtare: Adem Demaçi, vetëm 10-vjeçar, e pyeste mësuesen serbe: “pse nxënësit serbë nuk mësojnë shqip siç mësojmë ne shqiptarët serbisht?!”
Adem Demaçi si nxënës i klasës së parë Gjimnaz në Prishtinë, vetëm dhjetë vjeçar, në vitin 1946, arsimtares serbe ia bëri pyetjen: “Pse edhe nxënësit serbë nuk mësojnë shqip sikurse shqiptarët që mësojnë serbisht?!” Ajo u zhgreh në vaj dhe e lëshoi orën e mësimit, duke bërë ankesë te drejtori i shkollës.

88. Frashër Demaj, historian: Adem Demaçi të zgjedhet kryeministër i Kosovës
S’do të kisha asgjë kundër zgjedhjes së Adem Demaçit në krye të Kuvendit të Kosovës, mirëpo mendoj se më e rëndësishme është që të riformatohet Qeveria e Kosovës dhe Demaçi të jetë kryeministër ose ministër i punëve të jashtme, pasi që është i njohur në botë dhe është fitues i çmimeve ndërkombëtare.

89. Gani Krasniqi, kryetar i Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës: Adem Demaçi ishte në ballë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës
Kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës po i binte orës së madhe të lirisë, Baca Adem Demaçi, ishte në ballë saj për të bërë mësimin e madh të historisë se pa luftë të armatosur nuk ka Liri dhe Atdhe.

90. Gazmend Kajtazi, gazetar: Adem Demaçi ka mbetur i pathyeshëm dhe i papërkulur përballë hegjemonizmit serb
Adem Demaçi është shqiptari të cilin më së shumti e ka mbajtur në burg Serbia. Por, Adem Demaçi ka mbetur i pathyeshëm, i papërkulur dhe i pa dorëzuar përballë hegjemonizmit serb. Ai burgun e konsideron si një përvojë të madhe, përfshirë edhe pesë vitet e kaluara në vetmi të plotë. Ndonëse i ka kaluar 28 vjet në burgje, ai gjen forcë ta “falënderojë” Serbinë, “…që e futi nëpër këto kanale të luftës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.

91. Gjekë Gjonlekaj, Adem Demaçi, simbol i qëndresës
Gazetarët amerikanë kishin të dhëna për Adem Demaçin. Kohë pas kohe ata njoftonin për dënimin dhe vuajtjet e këtij intelektuali disident. Komentet dhe korrespondencat e gazetarëve amerikanë zgjonin kurajën dhe interesimin e shqiptarëve të Amerikës. Pas një kohe relativisht të shkurtër Adem Demaçi u shndërrua në simbol të qëndresës.

92. Gjuro Perica, bashkëvuajtës gjatë 14 viteve,i Adem Demaçit në Burgun e Stara Gradishkës: Adem Demaçi ishte inspirim për mua në burg
Adem Demaçi është njeri i cili edhe për mua personalisht ishte inspirim që ta përballoja burgun tim. Sepse, jeta e tij pak karizmatike në përcaktimin dhe bindjen e tij se lufton për çështje të drejtë më ka dhënë forcë që edhe unë të qëndroj në bindjen time.

93. Hajdin Abazi, veprimtar i çështjes kombëtare: Adem Demaç, Sali Berisha dhe Ismail Kadare kishin një akord
Kthesat filluan me Adem Demaçin, në një intervistë njëorëshe në programin satelitor të TVSH-së. Pastaj, presidenti Sali Berisha dhe Ismail Kadare. Që të tre, sa i përket perspektives së lëvizjes demokratike shqiptare të Kosovës, kishin një akord.

94. Hajredin Kuçi, zëvendëskryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës: Adem Demaçi eci para kohës
Baca Adem Demaçi, eci para kohës. Ai fillonte qëndresën për t’u bërë motiv për formësimin të vetëdijes kombëtare. Nuk ka emër të përveçëm dhe të gjallë në historinë tonë të re si komb që ishte dhe është më frymëzues se Baca Adem.

95. Haki Kasumi, historian: Ukshin Hoti pasues besnik i rrugës së Adem Demaçit
Adem Demaçi ishte dhe mbeti veprimtari i parë dhe i pathyeshëm i idealeve të pastra kombëtare shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit njëzet, ndërsa Ukshin Hoti, me plotë të drejtë, duhet të konsiderohet si pasues besnik i rrugës së drejtë, idealit kombëtar, i qëndrimit dinjitoz dhe si hartues e begatues i platformës dhe strategjisë moderne politike të luftës çlirimtare shqiptare.

96. Hakif Bajrami, historian: Adem Demaçi, njëri prej liderëve më të mëdhenj shqiptar të shek XX
Adem Demaçi është njëri ndër liderët më të mëdhenj shqiptar të shekullit XX. Vepra e tij është kryqëzata më fitimtare dhe më dinjitoze e luftës dhe e sakrificës, është simboli më sublim i daljes së shqiptarëve nga inferioriteti, është zëri i ndërgjegjes së një populli, është amaneti i Hasan Prishtinës e Bajram Currit në vazhdim, është mësues i gjeneratës së Fehmi Lladrovcit.

97. Halil Katana, gjeneral i Ushtrisë së Shqipërisë: Adem Demaçi luajti një rol të rëndësishëm në afirmimin e UÇK-së
Adem Demaçi la udhëheqjen e Partisë Parlamentare të Kosovës dhe pranoi detyrën tepër të rëndësishme të përfaqësimit Politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai, me personalitetin e tij të madh, i njohur nga bota, luajti një rol shumë të rëndësishëm në afirmimin e UÇK-së si ushtri çlirimtare, deri te njohja e saj dhe vendosjen në ballin e nderit në Rambuje.

98. Halil Matoshi, publicist: Adem Demaçi është kreator i idesë së kryengritjes së Kosovës
Adem Demaçi është kreator i idesë së kryengritjes së Kosovës kundër pushtetit jugosllav dhe këso dore njeri i sakrificës dhe lirisë. Libri “Adem Demaçi -Biografi” i Shkëlzen Gashit mund të cilësohet edhe si histori e shkurtër e Kosovës, histori politike, diplomatike, ushtarake madje edhe shtetformuese.

99. Hamdi Thaçi, historian: Adem Demaçi, Feniksi shqiptar
Me Adem Demaçin u ringjall Feniksi Shqiptar. Ai po shpërthente si ylber me shumë ngjyra duke sinjalizuar, kështu, një filozofi të qëndrueshmërisë e të stoicizmit që simbolizonte rezistencën shekullore të përmbledhur në një sfidë: “ku i vogli shtrinë viganin…veç tok, tok ore marathonamk”!

100. Hanëmshahe Ilazi, publiciste: Adem Demaçi ishte mbështetje shpirtërore për të rinjtë liridashës
Edhe pse Adem Demaçi nuk ishte fizikisht i pranishëm gjatë punës përgatitore për organizimin e demonstratave të vitit 1968, ai ishte shpirti frymëzues për të gjithë ata që u morën me këtë veprimtari dhe mbështetje shpirtërore për stoicizëm e qëndresë gjatë vuajtjes, keqtrajtimeve dhe burgosjeve të pareshtura të të rinjve atdhetarë e liridashës.

101. Hasan Mekuli, kritik letrar: Adem Demaçi është i lidhur me traditën
Vepra “Gjarpinjtë e gjakut” e Adem Demaçit nuk është vetëm libër i ri, por dëshmi e re për përparimin dhe pjekurinë e tij, dëshmi e re për faktin se Demaçi është i lidhur bukur fort dhe në mënyrë vet për traditën.

102. Hasan Ukëhaxaj, veprimtar i çështjes kombëtare: Për Adem Demaçin dituria ishte primare
Adem Demaçi kërkon nga bashkëkombësit që të pajisen me dije, sepse ajo është çelësi i përparimit; grishje kjo si e poetit kombëtar Naim Frashëri, i cili para më se një shekulli lëshonte kushtrimin “Vetëm dritë e diturisë përpara do na shpjerë”.

103. Hashim Thaçi, kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës: Adem Demaçi, simbol i pavarësisë së Kosovës
Qeveria e Kosovës ka vendosur që: ish-Përfaqësuesi Politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe simboli i pavarësisë së Kosovës, Adem Demaçi, të ketë pagë mujore, e njëjtë me kryeministrin, nga buxheti i Zyrës së Kryeministrit; të ketë veturë dhe vozitës; ndërsa shtëpia ku ai ka vepruar gjatë kohës së luftës të shpallet Shtëpi muze.

104. Helena Kadare, shkrimtare: Adem Demaçi, i burgosuri politik më i famshëm ndër shqiptarët
Letra e hapur e datës 2 nëntor, me të cilën Adem Demaçi i drejtohej Ismail Kadaresë, ishte pa dyshim mesazhi më tronditës. Letra kishte një peshë të veçantë, nga që ishte dërguar nga i burgosuri politik më i famshëm ndër shqiptarët, njeriu që kishte qëndruar rreth tridhjetë vjet në qeli dhe që njihej si Mendela i Kosovës. Ismaili mendonte se ai ishte më shumë se Mendela.

105. “Historia e popullit shqiptar”: Adem Demaçi synonte bashkimin e Kosovës dhe Viseve tjera shqiptare në Jugosllavi me Shqipërinë
Organizata e drejtuar nga gazetari dhe shkrimtari Adem Demaçi quhej “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”, qysh në nenin e parë të Programit të sajë thuhej: “Qëllimi i parë dhe i fundit i lëvizjes sonë asht sigurimi i të drejtës për vetëvendosje deri në shkëputje për viset e banueshme me në shumicë prej shqiptarësh, që gjinden ende nën administrimin e Jugosllavisë, d.m.th. qëllimi i parë dhe u fundit i lëvizjes sonë asht çlirimi i krahinave shqiptare, t’aneksueme prej Jugosllavisë dhe bashkimi i këtyre krahinave me nanën e vet – Shqipninë”.

106. Hugues Dorz, gazetar belg: Adem Demaçi, Mendela i Ballkanit
Kosova një provincë në jug të Serbisë, e banuar me mbi 90 % me shqiptarë, jeton nën pushtimin serb. Vendi është në tension dhe situata ekonomike është shumë e ulët. Adem Demaçi, simbol i rezistencës shqiptare të cilin e quajnë Mendela i Ballkanit, aktualisht është në Belgjikë. Ka ardhur për ta bindur komunitetin ndërkombëtar që ta përkrahin çështjen shqiptare.

107. Hydajet Hyseni, kryetar i Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës: Adem Demaçi ishte dënuar me të lindur
Kur flitet për Adem Demaçin përmenden në mënyrë të pashmangshme tri gjykimet e tij të padrejta, tri deceniet e burgut të tij të gjatë dhe të rëndë. Në të vërtet, siç thekson edhe vet Adem Demaçi, ai dhe Brezi i tij, ashtu si edhe Brezat para e pas tij, ishin dënuar me të lindur.

108. Hysen Matoshi, drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës: Për Adem Demaçin letërsia asnjëherë nuk ishte preokupim jetësor
Në aksionin gjithëpërfshirës të Adem Demaçit letërsia është vetëm një trajtë e angazhimit. Ndonëse një veprimtari që nis qysh në rininë e autorit dhe madje e frytshme e me një shtrirje prurjesh deri në ditët e sotme, letërsia asnjëherë nuk ishte preokupim jetësor i tij.

109. Hysen Neziri, profesor: Adem Demaçi të zgjedhet kryetar i Kuvendit të Kosovës
Ideja që Adem Demaçi të zgjedhet deputet, e nëse zgjedhet deputet do të bëhet edhe kryetar i Kuvendit të Kosovës, është sa e qëlluar, aq e domosdoshme. Sigurisht Adem Demaçi do të përpiqet të ndjekë një politikë më aktive në krahasim me politikën e sotme të Presidentit Ibrahim Rugova.

110. Ibish Neziri, bashkëvuajtës i Adem Demaçit në Burgun e Stara Gradishkës: Adem Demaçi, optimist i papërmirësueshëm
Adem Demaçi është mësues i mrekullueshëm, optimist i papërmirësueshëm dhe vizionar largpamës, në kuptimin e plotë të fjalës. Ai, edhe pse u gjend si në llumin e burgjeve tjera edhe në llumin e Stara Gradishkës, nuk e njollosi me asgjë dinjitetin e tij dhe të popullit që i priu, por atë me gjithçka e ngriti në piedestalin më të lartë.

111. Ibrahim Gashi, bashkëveprimtar i Adem Demaçit: Adem Demaçi, dy herë udhëheqës i shqiptarëve të Kosovës
Kur i kemi ngritur 40 flamuj kombëtarë në Prishtinë, në muajin qershor 1964, së bashku me Selatin Novosellën, Shemsi Hoxhën dhe Skënder Havollin, kemi vendosur nga një flamur në dyert e të burgosurve politikë, ndërsa në derën e shtëpisë së Adem Demaçit, i kemi vendosur dy flamuj. Në këtë mënyrë dëshironim t’ia bënim me dije pushtetit jugosllav se – nëse Adem Demaçi ishte njëherë udhëheqësi ynë, tashti, pas burgosjes së tij, ai ishte dy herë udhëheqësi ynë. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Brandon Taylor e gjeti veten duke ndërtuar një krevat princeshash…