Adem Demaçi, burim i fuqishëm frymëzimi

11 shkurt 12:00

Selatin Novosella

“MENDIME TË ZGJEDHURA PËR ADEM DEMAÇIN” (2)

1. Abdullah Konushevci, shkrimtar: Adem Demaçi, me romanin e tij “Heli dhe Mimoza”, synon t’i komunikojë lexuesit fillet e lëvizjes atdhetare shqiptareRomani i Adem Demaçit “Heli dhe Mimoza” mund të karakterizohet si një lloj proze popullore, sepse më parë se me mbresën estetike, autori synon të komunikojë me publikun lexues me një porosi a mesazh të drejtpërdrejtë, duke i kumtuar atij fillet e lëvizjes atdhetare shqiptare.

2. Abdyl Kadolli, shkrimtar: Romani i Adem Demaçit “Libër për Vet Mohimin”, roman postmodern dhe dramë intelektuale
Romani i Adem Demaçit “Libër për Vet Mohimin” është romani më kompleks i opusit të tij krijues, ku janë shtresuar shumë procedime të tij artistike. Është një sprovë e poetikës së romanit postmodern me dramën intelektuale të ideve filozofike, ndjeshmërisë metafizike e vizioneve fantastike.

3. Abdullah Zeneli, shkrimtar: Adem Demaçi, me romanin “Gjarpinjtë e gjakut”, na del si shkrimtar i formuar
Të rrallë janë shkrimtarët botëror, ata më të përmendurit, që ia kanë dalë që në provën e parë të llojit më të vështirë, romanit, të dalin të suksesshëm, që të mos them edhe të formuar, si na paraqitet Adem Demaçi me romanin e tij “Gjarpinjtë e gjakut”.

4. Adem Zejnullahu, punëtor shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës: Adem Demaçi zgjodhi rrugën pa alternativë
Të dhënat jetësore e historike dëshmojnë fuqishëm se kapiten i mirë i anijes është ai që di ta drejtojë anijen edhe në furtunë. Adem Demaçi, gjatë tërë jetës dhe veprimtarisë së tij kombëtare e letrare, e pati parasysh këtë parim, ndaj me kohë u përcaktua për veprim dhe qëndresë në rrugën pa alternativë tjetër.

5. Adem Istrefi, shkrimtar: Romani i Adem Demaçit “Gjarpinjtë e gjakut” është një shumësi dramash
Para se të jetë roman, “Gjarpinjtë e gjakut” është dramë, dramë e luajtur në skenat e një kohe të caktuar, po në të njëjtën kohë një shumësi dramash të përcjella, të përsëritura në shumësi kohësh e përvijues, po të bashkëshkrirë shtresimesh në një jetë të tejngjeshur.

6. Adil Pireva, një prej organizatorëve të demonstratave të vitit 1968: Adem Demaçi, idol i brezave të atdhetarëve
Edhe sot më rrinë parasysh pamja kur Adem Demaçi, në vitin 1964, kur ngjitej shkallëve të ndërtesës së Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, dhe kur dilte në krye të tyre, pa lejen e policëve, kthehej dhunshëm dhe i ngriste lartë duar e lidhura me pranga dhe përshëndeste, kështu, masën e tubuar aty.

7. Adnan Asllani, veprimtar i çështjes kombëtare: Adem Demaçi burgosej për t’iu bërë leksion shqiptarëve
Duke e burgosur Adem Demaçin e ri, me këtë veprim, pushteti jugosllav mendonte se, kështu, jo vetëm do t’i jepte një leksion atij, por, bashkë me të, do t’i burgoste edhe idetë e tij. Koha do ta dëshmojë të kundërtën e kësaj.

8. Afërdita Dervishi, profesoreshë në Kolegjin e Biznesit në Prishtinë: Adem Demaçi kishte të drejtë të natyrshme historike
Adem Demaçi, në emër të të drejtës së natyrshme historike për bashkim kombëtar, jo vetëm që mbajti gjithë ato vjet burg, por edhe ishte vënë në krye të procesit politik të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pra ishte zgjedhur Përfaqësues i Përgjithshëm Politik i UÇK-së.

9. Afrim Imaj: Adem Demaçi ka lënë rininë në qelitë e fashizmit ballkanik
Adem Demaçi ka lënë rininë, jetën e vet, në qelitë e errëta e të përbindshme të fashizmit ballkanik dhe i përkushtohet sërish lirisë së Kosovës. Për të, politika çlirimtare duhet të shoqërohet me ngritjen institucionale të organizimit luftarak.

10. Agim Sylejmani, veprimtar i çështjes kombëtare: Rexhep Mala mësoi shumë nga Adem Demaçi
Takimet e Rexhep Malës me Adem Demaçin në fakt kishin karakter pune. Ai nga Baca Adem mësoi shumë gjëra. Më vonë u tregonte shokëve të celulës së tij në burg, se në këto takime me Bacën ai merrte këshillime të jashtëzakonshme për mënyrat e veprimit.

11. Agush Buja, veprimtar i çështjes kombëtare: Adem Demaçi, burrë i madh i kombit shqiptar
Emrin e këtij burri të madh të kombit, Adem Demaçit, e kam mësuar që në fëmijëri, duke dëgjuar bisedat e prindërve dhe të miqve tanë të afërm në kohën kur Baca vuante burgjet e gjata për lirinë tonë dhe për bashkimin e Kosovës me nënën Shqipëri.

12. Alban Bokshi, publicist: Libri “Adem Demaçi-Biografi” nuk është vetëm tregim për Adem Demaçin
Libri i Shkëlzen Gashit “Adem Demaçi – Biografi” nuk është vetëm tregim për jetën e Adem Demaçit. Ky është libër i historisë dhe rezistencës shqiptare në Kosovë, kundër pushtetit serb pas Luftës së Dytë Botërore.

13. Albin Kurti, përkthyes në zyrën e Adem Demaçit si përfaqësues i përgjithshëm politik i UÇK-së: Adem Demaçi ishte për ballafaqimin në Rambuje të UÇK-së dhe Ushtrisë jugosllave
Adem Demaçi është dakord për të shkuar delegacioni i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Rambuje. Ndërkaq, mosshkuarja e tij në Rambuje ka pasur për qëllim ballafaqimin e drejtpërdrejtë të palëve që bëjnë luftë në Kosovë, pra të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe të Ushtrisë Jugosllave, siç ka ndodhur gjithherë në historinë e palëve ndërluftuese. Nuk mund të jenë palë e një marrëveshjeje ata të cilët e kanë injoruar dhe denigruar vet UÇK-në.

14. Alfred Beka, gazetar: Qeveria e Kosovës dha 60 mijë euro për botimin e kompletit të veprave të Adem Demaçit
Vepra letrare e Adem Demaçit, e botuar në dhjetë vëllime, për të cilën Qeveria e Kosovës dha 60 mijë euro, qe objekt trajtimi në Sesionin Letrar të mbajtur në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë, më 18 dhjetor 2012. Për veprën letrare të Demaçit folën studiuesit: Rexhep Qosja, Shyqri Galica, Shefkije Islamaj dhe Myrvete Dreshaj-Baliu.

15. Alfred Moisiu, president i Republikës së Shqipërisë: Ademi juaj dhe Ademi ynë, Adem Demaçi i të gjithë shqiptarëve
Ademi juaj dhe Ademi ynë, Adem Demaçi i të gjithë shqiptarëve, të cilët kudo ku punojnë e jetojnë e kujtojnë dhe krenohen për bëmat e tij në të mirën e Kosovës, për lirinë dhe pavarësinë e saj, gjë të cilën unë dhe bashkëmoshatarët e mi, që në rininë e hershme, robërinë e Kosovës e kemi pasur plagë në zemër.

16. Ali Ahmeti, komandat i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni: Ekspozita për Bacën Adem Demaçi më zgjoi shumë emocione, rrëqethje dhe nostalgji
Duke shikuar ekspozitën tematike kushtuar 80-vjetorit të lindjes së Bacës Adem Demaçi, më zgjuan shumë emocione, kthime në kohë dhe rrëqethje trupi nga ajo nostalgji që ngjalli në shpirtin tim për shumë shokë që kam njohur e që sot nuk janë në mesin tonë!

17. Antonia Young, hulumtuese në Departamentin e Studimeve Paqësore në Universitetin Bradford: Adem Demaçi i emërtoi fëmijët me emrat Abetare dhe Shqiptar
Adem Demaçi fëmijëve të vet ua vuri emrat Abetare dhe Shqiptar, të dy këta për të shprehur krenarinë dhe dashurinë për atdheun. Megjithatë, shumë pak arriti t’i shihte gjatë fëmijërisë së tyre.

18. Arben Hoxha, bashkëpunëtor shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës: Gjithnjë do të rritet numri i atyre që do të binden në vërtetësinë e mendimeve të Adem Demaçit
Numri i atyre që nuk janë pajtuar dhe që nuk pajtohen me mendimet e Adem Demaçit mund të ketë qenë dhe të jetë i madh, ashtu sikur që mund të ndodhë krejtësisht e kundërta: të rritet gjithnjë e më shumë numri i atyre që do të binden në vërtetësinë e mendimeve të tija.

19. Arbër Çeliku, prorektor i Universitetit të Tetovës: Adem Demaçi, intelektual me përmasa mbarëkombëtare
Për ne, në Universitetin e Tetovës, është një kënaqësi dhe privilegj që na jepet rasti për të bërë një vlerësim për një atdhetar siç është Adem Demaçi, një intelektual me përmasa mbarëkombëtare, një krijues dhe studiues të devotshëm dhe një dashamir të Universitetit Shtetëror të Tetovës.

20. Arbër Xhaferri, kryetar i “Partisë Demokratike Shqiptare” në Tetovë: Adem Demaçi, përfaqësues i politikës si Vita Activa
Filozofja gjermane me prejardhje hebraike, Hana Arend, e përkufizon politikën si veprimtari të njerëzve të lirë, si Vita Activa, një angazhim aktiv i vazhdueshëm. Ky përkufizim i politikës plotësisht e shpjegon jetën dhe angazhimin politik të Adem Demaçit.

21. Arsim Bajrami, ministër i Arsimit, i Shkencës dhe i Teknologjisë në Qeverinë e Republikës së Kosovës: Adem Demaçi, ikona shqiptare
Adem Demaçi është ikona shqiptare, është kryefjala shqiptare, është figura që ndërtoi ëndrrën e Kosovës së lirë dhe të pavarur. Në figurën e Adem Demaçit do të gjejmë një intelektual i cili tërë jetën ia kushtoi kombit dhe atdhedashurisë. Ai është intelektual që në vete mishëroi virtytet për të cilat të gjithë jemi krenar.

22. Agim Zogaj, historian: Adem Demaçi i ka kaluar kufijtë e një tribuni kombëtar
Adem Demaçi, me idetë e tij prej luftëtari të të drejtave universale, me pikëpamjet se liria nuk është privilegj i asnjë kombi, me qëndrimin e palëkundur për ta fisnikëruar filozofinë moderne humaniste, i ka kaluar kufijtë e një tribuni kombëtar.

23. Agim Vinca, shkrimtar: Shkrimet e Adem Demaçit janë një udhëtim dramatik, filozofik, politik dhe artistik
T’i lexosh shkrimet e Adem Demaçit do të thotë të bëhesh pjesëmarrës i një “udhëtimi dramatik, filozofik, politik dhe artistik”, siç thotë në një rast një nga personazhet e tij.

24. AShK: Dëshmitarët kundër Adem Demaçit
Sipas dokumenteve të Arkivit Shtetëror të Kosovës, në gjykimin e parë të Adem Demaçit, në vitin 1959, dëshmojnë këta dëshmitarë: Din Mehmeti, Syleman Drini, Fahredin Gunga, Ali Aliu, Zekiria Cana, Avdi Avdiu, Anton Pashku, Shefqet Popova, Shemsi Osmani, Ismet Bytyçi, Mehmet Ahmeti, Ruzhdi Xhaferi, Rafael Sopi dhe Sabit Ratkoceri.

25. Avdullah Hasani, kryetar i Këshillit të Rinisë Evropiane të Kosovës: Jeta e Adem Demaçit, thesar për njerëzimin
Veprat e mëdha dhe autorët e mëdhenj, pavarësisht dukjes dhe kostumeve, shqiptojnë ide të mëdha, esenca të jetës e të lirisë dhe bëhen thesar për njerëzimin. Të këtillë e shoh veprën letrare dhe autorin e saj Adem Demaçin.

26. Avni Azemi, gazetar: Adem Demaçi: “Lidhjet në mes të Kosovës dhe Shqipërisë nuk do të mund t’i pengojë askush”
Simboli rezistencës kombëtare, Adem Demaçi, në intervistën për gazetën prishtinase, “Infopress”, të 1 janarit 2010, tha: “Zërat që e propagandojnë “kombin kosovar” nuk e pengojnë dhe nuk do të mund ta pengojnë forcimin e lidhjeve ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, sepse forcimi i këtyre lidhjeve është dhe do të jetë gjithnjë e më shumë, gjithnjë e më fort nevojë e domosdoshme për të mbijetuar brenda Bashkimit Evropian”.

27. Avni Dehari, veprimtar i çështjes kombëtare: Lum ai popull që ka një Adem Demaçi
Lum ai popull që e ka një Adem Demaç dhe mjerë ai popull që nuk di ta shfrytëzojë kapitalin politik dhe patriotik të Adem Demaçit. Ne, shqiptarët, jemi popull fatlum, që na ka rënë hise ta kemi Adem Demaçin, veprën dhe personalitetin e të cilit e respektojnë dhe admirojnë shumë personalitete dhe popuj të tjerë edhe pse më herët se ne i kanë zgjidhur problemet me të cilat po ballafaqohemi.

28. Avni Rudaku, kritik letrar: Portreti unikat i Adem Demaçit në librin “Adem Demaçi – biografi”
Në librin e Shkëlzen Gashit “Adem Demaçi -biografi”, portreti i Adem Demaçit na del me cilësi hiperpozitive, kombëtariste, personalitet tej – unik, vizionar, obsesivo-shqiptarist, i palëkundër në regjimin e tmerrshëm për idetë e tij, me cilësi të rralla të guximit të asaj kohe të mosguximit, me aftësi të jashtëzakonshme për mbijetesë dhe për të gjetur shpresë për të jetuar, me ndërtim personaliteti që nuk mund të shumëzohet lehtë as me klonimin e mjekësisë bashkëkohore.

29. Azem Beqiri, bashkëveprimtar i Adem Demaçit: Adem Demaçi, Fazli Greiçevci, Zeqir Gërvalla, Azem Beqiri dhe Abdyl Lahu formuan organizatën “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”
Në vjeshtën e vitit 1963, pasi Adem Demaçi kishte ardhur në përfundim se, tashmë, ishin pjekur kushtet për formimin e një organizate atdhetare, na thirri në shtëpinë e tij, në Prishtinë: Fazli Greiçevcin, Zeqir Gërvallën, Abdyl Lahun dhe mua, ku e formuam organizatën “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”.

30. Azem Syla, komandant i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Adem Demaçi, burim i fuqishëm frymëzimi
Për gjeneratën time, në vitet e shtatëdhjeta të shekullit që shkoi, dy kanë qenë burimet më të fuqishme të frymëzimit dhe orientimit atdhetar, politik dhe jetësor: Shqipëria dhe Adem Demaçi. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të fundit
Tirana do të ketë së shpejti një shkollë të re…