>

Adem Demaçi flijoi artin për vendin dhe popullin

25 shkurt 12:38

Selatin Novosella

“MENDIME TË ZGJEDHURA PËR ADEM DEMAÇIN” (12)

254. Shefkije Islamaj, punëtore shkencore në Institutin Albanologjik të Prishtinës: Adem Demaçi, vrojtues hollë i mjedisit hapësinor
Adem Demaçi do të përvetësojë gjithë elementet e kulturës materiale dhe asaj shpirtërore të këtij mjedisi hapësinor, të cilat do t’i shërbejnë si frymëzim artistik për të ndërtuar romanin e tij famëmadh, “Gjarpinjtë e gjakut”, dhe për të ndërtuar tregimet e tij mbresëlënëse.

255. Shefet Murtezi, mjek: Adem Demaçi si kryetar i Kuvendit të Kosovës ide e qëlluar
Adem Demaçi në Parlamentin e Kosovës dhe kryetar i tij është një ide e qëlluar dhe e përkryer. Si njeri i dëshmuar, dje dhe sot, ai është më i zgjedhuri ndër të zgjedhurit. Ai do të dijë të sillet edhe për të nesërmen tonë, duke mos menduar për veten.

256. Shemsi Mehmeti, redaktor në gazetën “Rilindja”: Adem Demaçi, simbol i trimërisë dhe qëndresës
Adem Demaçi u bë dhe mbeti i njohur si simbol i trimërisë dhe qëndresës. Andaj, le të më lejohet ta parafrazoj këngën popullore që dëgjohej dhe dëgjohet ende në anët e ndryshme të Kosovës: “Ku lenë dielli e praron hana…”, kurse unë do të shtoja: “si Adem Demaçin, rrall bën nëna!”
257. Sherafedin Kadriu, kritik: Adem Demaçi s’u ndalë edhe kur iu këput peri
Për një jetë njeriu sa e sa përpjekje, me gjilpërë në dorë, e harta shqepet ende pa nisur mirë. Megjithatë, dikush s’u ndalë edhe kur iu këput peri, se besoi, dikush s’u luhat, se drejt peshoi. I tillë qe Adem Demaçi.

258. Shkëlzen Gashi, publicist: Adem Demaçi dhe Hasan Prishtina janë figura të ngjashme politike
Mua më duket se figura e Adem Demaçit është figura politike shqiptare që ka disa ngjashmëri me Hasan Prishtinën. Nuk e kam fjalën për nga niveli intelektual, por për nga sakrifica për lirinë e atdheut.

259. Shkëlzen Maliqi, analist: Adem Demaçi dhe Ibrahim Rugova duhet të kenë një program të përbashkët aksional
Ripërcaktimi dhe riforcimi me një program të përbashkët veprimi në Kosovë, para së gjithash, nënkupton pajtimin programor dhe aksional të Ibrahim Rugovës me Adem Demaçin. Kjo do të ishte një zgjidhje më racionale për Rugovën, që do të ndikonte shumë në shtendosjen e domosdoshme të brendshme që po shkakton ngritjet e shpeshta të tensioneve dhe po e sprovon çarjen e lëvizjes që do të ishte me pasoja katastrofale.

260. Shoqata e Shkrimtarëve të Serbisë: Adem Demaçi është në burg për shkak të shprehjes së mendimit të lirë
Shoqata e Shkrimtarëve të Serbisë, Komisioni për mbrojtjen e lirisë krijuese, konsideron se e ka obligim që të paralajmërojë opinionin, që në kushtet tona është rast i jashtëzakonshëm i burgosuri politik Adem Demaçi. Demaçi është shkrimtar, për të cilin siç mësuam është qe 23 vjet në burg. Ai, sa e kemi vlerësuar ne, është i burgosuri i cili më së shumti ka mbajtur dhe mban burg në vendin tonë për shkak të shprehjes së mendimit të lirë.

261. Shqiptar Oseku, shkrimtar: Adem Demaçi, avenir i parealizuar i popullit shqiptar
Adem Demaçi nuk është vetëm hero, as vetëm shkrimtar, as vetëm veprimtar. Ai nuk qe simbol, por ai ishte motor energjik i rezistencës në Kosovë. Demaçi është avenir i parealizuar i një kombi të tërë, që me shembullin e vet na mëson se si do të mund të ishim. Adem Demaçi nuk është armë boshe e vjetër që ti e vendos në një muze. Ai, Jeta dhe Vepra e tij, mbeten gjithmonë pushkë e mbushur për shqiptarët, e për vlera univezale. Uroj që një ditë ta kuptojmë këtë.

262. Shqipe Hetemi, gazetare: Adem Demaçi tha: “Epopeja e Prekazit është Epopeja më madhe që nga koha e Hasan Prishtinës”
Bacë Adem Demaçi, duke folur për Epopenë e Prekazit, ka thënë: “Sakrifica e Adem Jasharit me Familje është shembulli më heroik që nga koha e Hasan Prishtinës. Sakrifica e Familjes Jashari ndezi zemrat e shqiptarëve dhe detyroi botën, miqtë tanë, ta shihnin të vërtetën. Por, fatkeqësisht, ende ka të atillë që nuk e kanë kuptuar rëndësinë dhe peshën e sakrificës së Familjes Jashari dhe luftën e UÇK-së”.

263. Shyqri Galica, shkrimtar: Romani i Adem Demaçit “Libër për vet mohimin” është akt biografik i shkrimtarit
Romani i Adem Demaçit “Libër për Vet Mohimin” është edhe një akt autobiografik i shkrimtarit, në të cilin gërshetohen jeta e popullit dhe veprimtaria e tij, segmente që kanë një pikë të përbashkët nistore.
264. Tahir Hani, veprimtar i çështjes kombëtare: Adem Demaçi në burg dëgjonte ‘BBC’, ‘Zërin e Amerikës’, ‘Dojçe Velen’, ‘Radio Evropën e Lirë’, ‘Radio Tiranën’ etj.
Baca Adem Demaçi, në Burgun e Stara Gradishkës, në çdo mëngjes apo në situata të jashtëzakonshme dhe në mbrëmje na tregonte për zhvillimet politike në Shqipëri, Kosovë, viset ku jetonin shqiptarët dhe në botë, pasi i dëgjonte lajmet e ‘BBC’, ‘Zërit të Amerikës’, ‘Dojçe Veles’, ‘Radion Evropës së Lirë’, ‘Radio Tiranës’, radiot jugosllave sikur edhe radio Pekinin në gjuhën shqipe në një transistor të improvizuar në një kuti plasmasti të sapunit, e që ia kishte rregulluar një i burgosur politik kroat.

265. Teki Dërvishi, shkrimtar: Adem Demaçi, model i tregimtarit modern
Në historinë e letërsisë shqipe, vepra e AdemDemaçit do të jetë model i tregimit të parë modern në letrat tona. Fatkeqësia, tragjedia e gjeniut, do të dëshmohet me jetën e tij që bëhet metaforë konkrete: evoluimi gjuhësor i këtij shkrimtari bartet në fuqinë krijuese të brezave.
266. Teuta Arifi, kryetare e Komunës së Tetovës: Adem Demaçi i mbronte edhe shqiptarët e Maqedonisë
Deri sa ishim në studime në Universitetin e Prishtinës, unë dhe brezi im, e denim se Adem Demaçi, të cilin s’e kishim pa asnjë herë, po vuante burgjet e gjata dikund në llogoret jugosllave dhe, kështu, po sakrifikohej jo vetëm për shqiptarët e Kosovës por edhe për ne të Maqedonisë.

267. Teuta Hadri, ushtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Nuk kishte nder më të madh se të ishe pranë Adem Demaçit gjatë luftës së UÇK-së
Isha krenare që u ftova të jem anëtare e Zyrës Politike të Ushtrisë sonë Çlirimtare, krah Adem Demaçit. Nuk kishte nder më të madh se të ishe pranë njeriut më të dashur e më të besuar. Në krah të Adem Demaçit isha zgjedhur edhe më parë anëtare e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, më 1990.

268. Ukshin Hoti, veprimtar i shquar i çështjes kombëtare: Adem Demaçi, legjendë e gjallë e popullit shqiptar
Lëvizja e proceseve politike në drejtim të demokracisë në Kosovë, por edhe në Shqipëri, do të ishte tepër dubioze dhe e ndarë me siguri në kategori të veçanta shoqërore, pa kontributin e veçantë të Adem Demaçit, Bacës – legjendës së gjallë të popullit shqiptar.
269. Uran Krasniqi, Adem Demaçi kishte 28 vjet burgim ndërsa autori që shkruante për të i kishte 28 vjet jetë
Autori i librit biografik për Adem Demaçin, Shkëlzen Gashi, tregon se si e ka shkruar librin për njeriun që kur filloi së shkruari për të, në një mënyrë, ishin baras me vjet. Veç Adem Demaçi i kishte 28 vjet burg e autori 28 vjet jetë.

270. Valon Murati, ministër i Diasporës në Qeverinë e Republikës së Kosovës: Adem Demaçi, simbol i lirisë universale për shqiptarët dhe njerëzimin
Raporti i Adem Demaçit me mërgatën është i veçantë, sepse mërgata dhe diaspora jonë është ngritur e krijuar edhe si mërgatë politike. Veprimtarët tanë kanë punuar në mobilizimin e njerëzve në diasporë në vitet më të rënda, çdoherë duke e pasur përballë edhe figurën e Demaçit si simbol i rezistencës, i lirisë universale për shqiptarët dhe njerëzimin.

271. Vaxhid Sejdiu, veprimtar i çështjes kombëtare: Adem Demaçi, arkiv i popullit
Adem Demaçi me veprën që bëri, me luftën e tij kundër një sistemi diktatorial arriti të shndërrohet në arkiv popullor, brenda së cilit janë zier dhe përzier pothuajse të gjitha ngjarjet politike, kulturore dhe shoqërore deri në ditët e sotme.

272. Vehap Shita, kritik letrar: Adem Demaçi ndien pulsin dhe dëshirat e popullit
Fjalët e Adem Demaçit në tregimet e tij janë të thjeshta, të drejtpërdrejta, janë fjalë që kanë gufuar prej një djaloshi që, edhe pse ende nuk ka at afinitet letrarë për shprehje të bukur letrare e artistike, ka zemër e ndjenja për me ndie pulsin e popullit dhe dëshirat e tij.

273. Veli Veliu, shkrimtar: Adem Demaçi flijoi artin për vendin dhe popullin
Me tragjiken e tij individuale në rrafshin letrar, te figura e Adem Demaçit spikat vendosmëria e njeriut kosovar, fati i tillë i krijuesit që e flijon artin me përkushtimin e tërë qenies për vendin dhe popullin e tij, dhe mbetet i paluhatur në idealet e tij kombëtare, përkundër propagandës së pushtetit dhe bindjes që mbizotëronte në atë kohë se administrimi titist jugosllav ishte i fuqishëm dhe i përjetshëm. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të fundit
Nga orën 15:05 në “Old Trafford” zhvillohet derbi i Premier…