Adem Demaçi kishte ndikim të madh në opinionin shqiptar

28 shkurt 2018 | 10:59

Selatin Novosella

“MENDIME TË ZGJEDHURA PËR ADEM DEMAÇIN” (15)

19. Gazeta “Epoka e re” (5 maj 2011): Adem Demaçi fajëson francezët për ndarjen e Mitrovicës
Gazeta e Prishtinës “Epoka e re” e sjell këtë vlerësim të Adem Demaçit për ndarjen e Mitrovicës: “Për gjendjen e krijuar në veri të Kosovës fajtor janë forcat franceze të KFOR-it, të cilat, pas përfundimit të luftës, u ndalën tek lumi Ibër, ndalën forcat e UÇK-së që të kalonin lumin dhe krijuan një situatë të volitshme për kriminelët dhe UDB-shët serbë, të cilët dalëngadalë përzunë rreth 20 mijë shqiptarë nga shtëpitë e tyre dhe e bënë serbizimin e pjesës veriore të Mitrovicës, atë që nuk e kishte bërë as krali në kohën e vet, as Tito dhe as Millosheviqi”!

20. Gazeta “Tribuna Shqiptare” (31 tetor 2011) – Adem Demaçi: “Fati i pashkruar i popujve të vegjël”
Veprimtari i shquar, Adem Demaçi, deklaron për gazetën prishtinase “Tribuna Shqiptare”: “Varësia e institucioneve të Kosovës nga institucionet ndërkombëtare është dëshmi e fatit të pashkruar të popujve të vegjël, të cilët qëllimet e të drejtat e veta i arrijnë hap pas hapi”.

21. Gazeta “Epoka e re” (31 dhjetor 2011) – Adem Demaçi: “Vuajtjet e mia i kam falur, kurse për ata që bënë krime ndaj popullit tim kam thënë: O Zot, mos ua fal!”
Baca Adem Demaçi, për gazetën “Epoka e Re” që botohet në Prishtinë, deklaroi: “Vuajtjet e mia personale kam pasur fuqi e urti t’ua falë të gjithë atyre që kanë marrë pjesë në ato punë të turpshme. Ndërkaq, sa u takon masakrimeve, vrasjeve, përdhunimeve dhe fshehjeve të krimeve mbi popullin e pafajshëm, gjithherë kam menduar, edhe tani mendoj e lutem: O Zot, mos ua fal!”

22. Gazeta “Lajm” (6 prill 2012) – Adem Demaçi s’dëshiron të jetë president ceremonial
Veprimtari i shquar i çështjes kombëtare, Adem Demaçi, thotë për gazetën prishtinase “Lajm”, se nuk pranon të garojë për president të Republikës së Kosovës, edhe nëse e propozon ndonjë parti apo grup politik, pasi që, sipas tij, kompetencat e presidentit janë ceremoniale, e ai nuk dëshiron të jetë president sa për sy e faqe.

23. Gazeta “Epoka e re” (27 nëntor 2012): Mesazhi i Adem Demaçit për Festën e 28 Nëntorit
Baca Adem Demaçi, në vigjilje të Festës së Flamurit, për gazetën prishtinase “Epoka e re”, jep këtë mesazh: “Të festojmë me bindje të sigurt se e ardhmja do të jetë më e mirë. Por, i kisha këshilluar shqiptarët të mësojnë nga përvoja e popujve të tjerë, të mësojnë nga përvoja e vet, të mendojnë me kokën e vet, të dinë se kriteri kryesor është kombi, të mos bëjnë asgjë që bie në kundërshtim me interesat e kombit, le t’ia kushtojnë krejt veprimet e veta kombit, e të mos habiten për disa dallavere të vogla, sepse krejt të tjerat shkojnë e vijnë e vetëm kombi mbetet”!

24. Gazeta “Telegraf” (28 nëntor 2012) – Adem Demaçi: “Nëse vendosni të vdisni para se me ra në burg, atëherë është pak më lehtë”
Kampioni i burgjeve të Jugosllavisë, Adem Demaçi, në intervistën për gazetën “Telegraf” të Prishtinës, deklaron: “Burgu është provë e madhe. Nëse vendosni të vdisni para se me ra në burg atëherë është pak më lehtë. Por, kam pa të tjerë sesi janë plakur, si janë mërzitë, si brengoseshin, humbnin nervat etj., sepse aty njeriu vdes një herë, dy herë, tre herë…! Sistemi i burgjeve të Serbisë e Jugosllavisë ka qenë i tillë. Ata janë munduar me mjeshtëritë e tyre të përsosura që të na hanë shpirtin, të na shkatërrojnë fizikisht dhe shpirtërisht. Ka qenë një makineri shumë dërmuese, shkatërruese, por, për fat, unë dhe shokët e mi, edhe pse ka pasur situata të ndryshme, kryesisht kemi kaluar mirë”.

25. Gazeta “Epoka e re” (6 dhjetor 2012) – Adem Demaçi: “Qeverinë e Kosovës ta formojë PDK, AAK dhe LVV”
Duke folur për formimin e Qeverisë së ardhshme të Kosovës, veprimtari Adem Demaçi propozon: “Pres që krejt krahu i luftës, pra PDK-ja dhe AAK-ja, të hyjnë në një koalicion të përbashkët dhe nuk e di se çka po presin. Unë i kisha propozuar edhe Lëvizjes Vetëvendosje! Të heqë dorë nga ekstremet e ta gjejë mënyrën e të bashkohet në këtë koalicion. Është interesi i kombit të jemi sa më të bashkuar dhe sa më të fortë”.
26. “Radio Evropa e Lirë” (5 janar 2013) – Adem Demaçi: “Të mos bërtasim për bashkimin kombëtar por të veprojmë për bashkim kombëtar”
Adem Demaçi, duke folur për bashkim e shqiptarëve në një shtet, në rrethanat e reja kombëtare dhe ndërkombëtare, konstaton: “Nuk është fjala të thyejmë lëvozhgën e vezës, fjala është që atë të verdhë të vezës që është brenda lëvozhge ta shndërrojmë në zog të gjallë. Në momentin kur ai zog merr shpirt, ai do ta shohë veten se është i kufizuar, se është i burgosur, dhe ai me sqepin e vet mekanikisht do të veprojë dhe do ta thyej atë lëvozhgë dhe del zogu, i cili është tri herë më i madh sesa kur ishte vezë dhe kur ishte brenda lëvozhgës. Këtë mënyrë duhet ta përdorin shqiptarët, pra të punojnë ngadalë dhe në mënyrë sistematike, pa folur e bërtitur dhe munduar ta bëjnë veten patriotë duke bërtitur se duan bashkimin kombëtar”.

27. Gazeta “Express” (4 shkurt 2013): Adem Demaçi promovon kompletin e veprave të tij në Zvicër
Shkrimtari dhe veprimtari i shquar Adem Semaçi e ka promovuar kompletin prej dhjetë veprave të tij në Bernë të Zvicrës, pranë bashkatdhetarëve që jetojnë atje. Nga kritikët që referuan, vepra e Demaçit u shqua si metaforë për lirinë në përgjithësi dhe për lirinë e shqiptarëve në veçanti. Në fund të përurimit autori ua dhuroi veprat e tij ambasadorit të Shqipërisë në Zvicër, Mehmet Elezit, dhe ambasadorit të Kosovës në Zvicër, Naim Malajt.
28. Gazeta “Lajm” (12 prill 2013): Adem Demaçi përuroi kompletin e veprave të tij në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë
Shkrimtari dhe njëra prej figurave më të njohura në Kosovë, Adem Demaçi, përuroi kompletin e veprave të tij në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, në Tiranë. Demaçi çmohet, në radhë të parë, me shembullin e tij jetësor, por edhe me veprën e tij letrare.

29. Gazeta “Epoka e re” (27 maj 2013) – Adem Demaçi: “Po na akuzojnë neve që jemi viktima të luftës”!
Simboli i rezistencës shqiptare, Adem Demaçi, i ka quajtur të padrejta dhe të gabueshme arrestimet e ish-pjesëtarëve të UÇK-së nga EULEX-i. Ai tha: “Shqiptarët nuk kanë kryer krime lufte. Ata kanë bërë luftë të drejtë kundër pushtimit të Serbisë dhe se nuk duhet të barazohet viktima me kriminelin. Ndjekja e çlirimtarëve të Kosovës është duke e turpëruar demokracinë. Jam i habitur me heshtjen e miqve tanë amarikanë ndaj këtyre arrestimeve dhe gjykimeve”!?

30. “Epoka e re” (11 qershor 2013): Adem Demaçi përuroi kompletin e veprave të tij në Stamboll
Në organizimin e Qendrës Kulturore të Kosovës në Stamboll u bë përurimi i kompletit prej dhjetë veprave të veprimtarit të mirënjohur Adem Demaçit. Në përurim morën pjesë mysafirë nga fusha e artit, kulturës, letërsisë dhe veprimtarë të çështjes kombëtare. 31. “Radio Kosova e Lirë” (7 shkurt 2016): Njëzetë tregimet e Adem Demaçit më shumë se njëzetë romane
Njëzetë tregimet e para të Adem Demaçit, të shkruara në vitet e ’50-ta të shekullit të kaluar, kanë ndikuar në publikun lexues të kohës më shumë se veprat e njëzetë shkrimtarëve dhe rrëfimtarëve të tjerë të cilët burim frymëzimi kishin “jetën e re” në Jugosllavinë e Josip Boz Titos.

32. “Radio Kosova e Lirë” (7 shkurt 2016): Në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë botohet kompleti i veprave të Adem Demaçit
Në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, botuar nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, doli në dritë kompleti i veprave të simbolit të gjallë të rezistencës kombëtare, shkrimtarit të mirënjohur, Adem Demaçi. Kompleti përfshin veprat: “Fërkime”, “Gjarpinjtë e gjakut”, “Libër për Vet Mohimin”, “Heli dhe Mimoza”, “Nëna shegë e pasë gocat”, “Shkrumbnajë e dashuri”, “Dashuria Kuantike e Filanti”, “Alb Prometeu”, “Politika dhe Pushka” dhe “Tung vargu im”.

33. “POGROM”: (Revistë gjermanoperëndimore): Adem Demaçi është shembull tipik i të burgosurit politik në Jugosllavi
Kur ke të bësh me të burgosurit politikë në Jugosllavi, atëherë të shpeshtën e rasteve, duhet përdorur konjuktivin, nga se është e njohur se të njëjtit të burgosur politikë për të njëjtat vepra nxirren para gjyqit dhe dënimet i kanë të ndryshme, madje edhe u zgjaten. Adem Demaçi, për këtë është shembull tipik.

34. “Zëri i Kosovës”: Adem Demaçi i vetmi rast në Evropë dhe në Botë
Është i vetmi rast në Evropë, po edhe në botë, që një i dënuar politik, siç është rasti me Adem Demaçin, të mos lirohet nga burgu, përkundër të gjitha kërkesave e protestave të autoriteteve, të grupeve, të organizatave e shoqatave të shkrimtarëve.

35. “Zëri i Kosovës”: Adem Demaçi dergjet në kampet e përqendrimit jugosllav
Në mos asgjë tjetër, 18 vjet të rënda dergjjeje të Adem Demaçit nëpër kampet jugosllave të përqendrimit si dhe 10 vjetët e tjera që i kanë mbetur atij për t’i mbajtur ende, vetëm e vetëm për bindjet politike, dëshmojnë për egërsinë e pashembullt dhe kalbëzimin e sigurt të Jugosllavisë titiste.

36. Gazeta “ÇLIRIMI”: Adem Demaçi kishte ndikim të madh në opinionin shqiptar
Në vitin 1996 Adem Demaçi paralajmëroi se do të aktivizohej plotësisht në jetën politike të Kosovës. Kjo do të thotë se ai do të inkorporohet në subjektet ekzistuese të Kosovës, sepse Adem Demaçi edhe deri në vitin 1996 ka qenë plotësisht aktiv në jetën politike të Kosovës, madje me një ndikim jo të vogël në opinionin shqiptar. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi, është kthyer në Kuvend…