Adem Demaçi, militant për mbrojtjen e të drejtave të njeriut

26 shkurt 2018 | 11:36

Selatin Novosella

“MENDIME TË ZGJEDHURA PËR ADEM DEMAÇIN” (13)

274. Vera Pelaj, gazetare: Romani i Adem Demaçit “Dashuria kuantike e filanit” komunikim modern në letërsi

Romani i fundit të shkrimtarit të njohur Adem Demaçi “Dashuria kuantike e Filanit”, është shkruar në bazën e komunikimit modern, por ngjarja zhvillohet në retrospektivë, e gërshetuar me të tashmen.

275. Vladimir Sheks, kryetar i Kuvendnit të Republikës së Kroacisë: Adem Demaçi të fascinon me besnikërinë e tij patundshme ndaj idealeve të tij
Njeriu mund edhe të mos pajtohet me idetë e Adem Demaçit, por, megjithatë, të fascinon besnikëria e tij e patundshme ndaj idealeve për të cilat e ka sakrifikuar jetën e vet. Pse një njeri dhe intelektual të tillë ta trajtojnë e ta radhisin me kriminelët më të zinj?!

276. Vullnet Ahmeti, rektor i Universitetit të Tetovës: Adem Demaçi, figura më markante e kombit shqiptar
Nderi i Kombit, Adem Demaçi, është një ndër figurat më markante të kombit shqiptar, por edhe në arenën ndërkombëtare. Ai personifikon simbolin e qëndresës së shqiptarëve në ish-Jugosllavi, kundër politikës diskriminuese dhe gjenocidale.

277. Xun Çeta, veprimtar i dalluar i çështjes kombëtare: Adem Demaçi, figura më markante e kombit
Fjala e fundit për Adem Demaçin do të jepet nga studiues të kohës së ardhme që do të jenë më të liruar nga trysnia e kohës së sotme. Dhe jam i sigurt se Adem Demaçi, përfundimisht, do të mbetet figura më markante e kombit për të mësuar se si rezistohet për jetë a vdekje.

278. Xhakson, deputet anglez: Është privilegj i madh të takohesh me zotin Ddem Demaçi
Është një privilegj i madh të takohesh me zotin Adem Demaçi, edhe pse është më i ri se unë. Demaçi rininë e humbi burgjeve për deri sa unë përfundova universitetin.

279. Xhavit Haliti, deputet i Kuvendit të Kosovës: Adem Demaçi, idol që shndriti rrugën e lirisë
Bacë Adem Demaçi, Ramadan Shala dhe veprimtarë të tjerë kanë qenë për gjeneratën tonë idolë që shndritën rrugën tonë drejtë lirisë.

280. Xhafer Mahmutxhiku, bashkëveprimtar i Adem Demaçit: Nga Burgu i Pozharevcit e kam qitur dramën e Adem Demaçit “Politika dhe Pushka”
Me rastin e lirimit tim nga burgu i Pozharevcit, në Serbi, e kam qitur dramën e Adem Demaçit “Politika dhe Pushka” të fshehur në mes të dy fundeve të arkës sime që e kisha në burg.

281. Xhafer Shatri, ministër për Informim në Qeverinë e Kosovës në Ekzil: Adem Demaçi i sakrifikoi të gjitha, duke përfshirë edhe dhuntinë krijuese
Krahas tundimeve të natyrshme të Adem Demaçit që të zgjedhë në mes fatit të shkrimtarit të madh dhe kalvarit të luftëtarit të paepur për liri, krahas sakrificave të panumërta të gati tri dekadave dergjjesh nëpër burgjet dhe qelitë e pushtuesit të shqiptarëve, nuk duhet harruar kurrë sakrificat e shkrimtarit të talentuar që për popullin, për Kosovën e për lirinë nuk sakrifikoi vetëm rininë, familjen, jetën e tij, por edhe diçka që për autorin është akoma më e shenjtë, dhuntinë krijuese dhe dëshirën e flaktë për të shkruar.

282. Xhemajl Mustafa, veprimtar i shquar i Lidhjes Demokratike të Kosovës: Adem Demaçi, simbol i ngadhënjimit fizik dhe intelektual i një rezistence politike
Nga perspektiva e thellë e plagëve të Kosovës nuk mund të flas kurrë e kush më mirë e më bindshëm, më drejtpërdrejtë dhe më me shpirt, se sa Adem Demaçi.
Ai ishte dhe mbeti simbol i një rezistence të provuar gjatë dhe i ngadhënjimit fizik, intelektual, moral e politik të kësaj rezistence dhe të burgjeve serbo-jugosllave.

283. Xhevat Hasani, veprimtar i çështjes kombëtare: Adem Demaçi e vlerësonte mërgatën shqiptare si pasuri kombëtare
Për vet faktin se Adem Demaçi mërgatën shqiptare, disa milionëshe, nëpër botë e ka konsideruar një pasuri të madhe njerëzore, ekonomike, politike, kulturore dhe, sipas nevojës, edhe ushtarake, ai, më shumë se cilado figurë tjetër politike e kohës e ka vizituar këtë mërgatë.
284. Xhevat Mustafa, mjek: Adem Demaçi premton pak por bënë shumë
Adem Demaçi për 28 vjet luftoi dhe qëndroi për një liri që do ta gëzojmë të gjithë ne. Ai bënë dritë për të tjerët, duke u djegur vetë. Ai premton pak, por bënë shumë. Ai na meson se lirinë dhe jetën duhet pushtuar çdo ditë.

285. Xhevë Lladrovci, ushtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Adem Demaçi, yll që ndriçon çdo skutë të Atdheut
Sapo e mbarova një kartolinë për t’ia dërguar Bacës Adem Demaçi për ditëlindje, kur dëgjuam lajmin u lirua nga burgu! Një gëzim i madh përshkoi zemrat tona. E paramendonim si yll që vjen të ndritë çdo skaje të Atdheut, të zhdukë errësirën shumëshekullore që ka kapluar popullin tonë.

286. Xhuliano Bregasi: Adem Demaçi u lirua nga burgu kur po shpërbëhej Jugosllavia
Adem Demaçi, shkrimtari, intelektuali dhe veprimtari i shquar politik nga Kosova, u lirua nga burgu politik 28-vjeçar në vitin 1990, në një kohë kur shpërbërja e ish- Jugosllavisë Socialiste Federative të Jugosllavisë ishte në prag dhe situata për shqiptarët aty, veçanërisht në Kosovë, ishte duke u bërë gjithnjë e më dramatike.

287. Ymer Fazliu, gazetar: Përurohet Trilogjia kushtuar Adem Demaçit
Në qendrën e Kulturës “Mensur Zyberaj”, në Rahovec, u bë përurimi i Tilogjisë kushtuar Heroit të Kosovës, Adem Demaçit, të autorit Selatin Novosella: “Damaçi – Lëvizja për bashkim”, “Demaçi – Procesi i Prishtinës” dhe “Demaçi – Metaforë Lirie”. Për librat folën Mr.Besa Hoxha – Beqiri, Dr. Sabahajdin Cena dhe Qemajl Krasniqi.

288. Zanë Zyba, gazetare: Adem Demaçi i vlerëson lartë vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zekën
Adem Demaçi, kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës ka thënë se “Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka në kohët më të vështira morën përsipër t’i bashkonin shqiptarët. Ata u bënë dritë që gjithë shqiptarët ta vazhdojnë kundërshtimin e tyre ndaj robërisë”.

289. Zekirja Shabani, gazetar: Lëvizja Vetëvendosje refuzoi ta mbështeste propozimin që Adem Demaçi të zgjidhej president i Kosovës
Partia Demokratike e Kosovës kishte përkrahur idenë që Adem Demaçi të zgjidhej President i Republikës së Kosovës në kohën kur Behgjet Pacolli u detyrua të lëshojë këtë post. Por, Lëvizja Vetëvendosje refuzoi ta mbështeste atë. Adem Demaçi, në një prononcim për gazetën Express, thotë se partia e Albin Kuriti humbi një shans të mirë.

290. Zeqir Gërvalla, bashkëveprimtar i Adem Demaçit: Adem Demaçi e çmonte së tepërmi Fazli Greiçevcin
Deri sa po më fliste Baca Adem Demaçi për Fazli Greiçevcin, në vitin 1963, tha: “Zeqë, Fazliu është i vrullshëm kur duhet të jetë i tillë. Është fjalëpakë e vizionar. I sinqertë, tepër i sinqertë. Ia kam lakmi sa i fjalës dhe i besës është. Është guximtar mbi të gjitha”.

291. Zonja Lenz, deputete gjermane: Shpreh kënaqësinë time z. Demaçi që ju nga Çmimi Saharov
Shpreh kënaqësinë që Çmimi Saharov ju nda juve z. Demaçi, njeriut që lufton për të drejtat e njeriut. Ka një vit që me kolegen time zonjën Doris Pak isha në Kosovë, ku gjendja ishte shumë e keqe.

292. Zymer Neziri, punëtor shkencor i Institutit Albanologjik të Prishtinës: Adem Demaçi, frymëzues i brezit të ‘68-s
Brezi i ‘68-s, që nga mësimet e Brezit paraardhës të Adem Demaçit, i përgatiti me guxim dhe i realizoi me shumë sukses demonstratat e mëdha të vitit 1968: për barazi, për kushtetutë, për republikë dhe për vetëvendosje të shqiptarëve nën robërinë e federatës jugosllave.

293. Willi Kuipers, senator belg: Adem Demaçi, militant për mbrojtjen e të drejtave të njeriut
Adem Demaçi është shkrimtar nga Kosova dhe militant për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. I ka kaluar 28 vite të jetës së tij në burgjet jugosllave, për shkak të veprave të tij dhe kryesisht mbi respektin e lirisë dhe afrimin e popujve drejt paqes. Paralamenti Evropian e ka shpërblye me Çmimin Saharov për vitin 1991.

Gazeta dhe revista të përzgjedhura për Adem Demaçin

1. Gazeta “Zëri i Kosovës” (Nr. 10, tetor 1987): Adem Demaçi, biri i shtrenjtë i popullit tonë
Këtë vit u mbushën 25 vjet që mbahet pa të drejtë në burgjet jugosllave biri i shtrenjtë i popullit tonë, simboli i rezistencës kombëtare, ideologu dhe udhëheqësi i shquar lëvizjes patriotike e revolucionare të Kosovës dhe shkrimtari i talentuar – Adem Demaçi.

2. Gazeta “Borba” (24 mars 1989) – Adem Demaçi: “Burgjet e mia janë në funksion të lirisë”
Në intervistën e Adem Demaçit dhënë gazetës beogradase “Borba”, më 24 mars 1989, nga burgu, përveç tjerash, thotë: “Liria nuk mund të vritet. Burgu im është në funksion të lirisë. Jugosllavia për mua është njerka ime. Ajo, duke më mbajtur kaq gjatë në burg, ajo i ka ngritur vetit përmendoren e zezë. Asnjë masë terrori nuk mund ta ndalë luftën e popullit shqiptar për Republikën e Kosovës”.

3. Gazeta “Mlladina” (26 maj 1989) – Adem Demaçi: “Dy milionë shqiptarëve iu takon Republika e Kosovës” Nga Burgu i Stara Gradishtës Adem Demaçi, me stazhin më të gjatë të burgut në Jugosllavi, në intervistën për revistën sllovene “Mlladina” tha: “Të gjithë popujt e Jugosllavisë duhet të jenë të barabartë. Që të jemi ne shqiptarët me të vërtetë të barabartë, na nevojitet Republika e Kosovës. Përse kërkesa për Republikë të jetë kundërrevolucionare?!” (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e Republikës së Kosovës nëpërmjet një komunikate për medie…