Agani: Urgjentisht të zbatohet udhëzimi për kontrollin e gazrave të automjeteve

31 Janar 13:48

Ish-ministri i Mjedisit dhe Planifikim Hapësinor, Ferid Agani, ka treguar për hapat urgjentë që duhet t’i ndërmarrin institucionet e vendit për uljen e ndotjes së ajrit në Prishtinë.

Ai e ka ftuar Qeverinë e Kosovës që urgjentisht ta fillojë zbatimin e udhëzimit administrativ për kontrollin e gazrave nga automjetet.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Agani ka deklaruar se ende nuk ka arritur të kuptojë pse ky akt nënligjor jetik për shëndetin publik nuk zbatohet.

“Ajo që duhet urgjent të ndodhë është të fillojë të zbatohet udhëzimi administrativ i Qeverisë për kontrollin e emetimit të gazrave nga burimet e lëvizshme, pra nga automjetet. Unë nuk po kuptoj se si nuk zbatohet një akt nënligjor, i cili është i lidhur drejtpërdrejt me shëndetin e qytetarëve dhe për këtë të mos ketë kurrfarë reagimi”, ka thënë Agani.

Ai ka deklaruar se për këtë zbatim të këtij udhëzimi administrativ përgjegjës është Ministria e Infrastrukturës.

“Ministria e Infrastrukturës duhet të merret me zbatimin e këtij udhëzimi administrativ në qendrat e kontrollit teknik. Kjo është diçka imediate dhe mund të ketë impakt të menjëhershëm. Me të vërtetë nuk po mund ta kuptoj ende se si mund të lejohet kjo shkallë e papërgjegjësisë për moszbatimin e një akti nënligjor kaq të rëndësishëm për shëndetin e qytetarëve”, është shprehur Agani, duke përmendur edhe masat e tjera afatshkurta dhe afatgjata që duhet t’i ndërmarrin institucionet adekuate për përmirësimin e kësaj gjendje.

“Një masë tjetër afatshkurtër është kontrollimi i filtrave në termocentralet e KEK-ut, veçanërisht ato të ‘Kosovës A’, por edhe të ‘Kosovës B’. Kurse te masat afatgjatë hyn vetëdijesimi i popullatës dhe institucioneve për mospërdorimin e thëngjillit si lëndë djegëse. Pastaj, do të duhej implementuar projekti i koogjenerimit, pra zgjerimi i implementimit të këtij projekti nëpër gjithë qytetin”, ka thënë Agani.

Ai e ka ftuar Qeverinë që këtë çështje ta bëjë prioritet dhe ta rishikojë edhe bazën ligjore që ka të bëjë me këtë fushë.

 “Epoka e re”: Z. Agani, cilësia e ajrit në Prishtinë ka disa ditë që është jashtëzakonisht e keqe. Cili është komenti juaj si ish-ministër i Mjedisit dhe Planifikim Hapësinor?
Agani: Kjo është një gjendje shumë e papranueshme nga perspektiva e shëndetit publik të qytetarëve. Është një çështje për të cilën ka qenë e sensibilizuar Qeveria dhe opinioni qysh në kohën kur kam qenë unë ministër. Në mandatin tim si ministër këtë çështje e kam vendosur si prioritet. Në këtë drejtim kemi punuar edhe për formimin e një Task-Force vendore dhe ndërkombëtare, e cila ka pasur për detyrë ta adresojë këtë çështje në mënyrë gjithëpërfshirëse. Për fat të keq, për shkak të zhvillimeve politike që ndodhen, u ndërpre ai aktivitet dhe u shënua një ngecje në këtë drejtim.

“Epoka e re”: Çfarë hapash keni kërkuar të ndërmerren në atë kohë?
Agani: Në atë kohë kam kërkuar të ndërmarrim masa të cilat mund të sjellin rezultate të shpejta. Pra, që këto masa të merren në kohën kur nuk është kriza me ndotjen e ajrit, siç po ndodh tash, ku të gjithë mekanizmat shtetërorë po aktivizohen. Strategjitë për mbrojtjen e mjedisit dhe për kontrollin e cilësisë së ajrit do të duhej të zbatoheshin shumë më herët, veçanërisht në tri rrafshe. Fillimisht do të duhej të ndodhte zbatimi i udhëzimit administrativ për kontrollin e gazrave nga burimet e lëvizshme, nga automjetet, sepse ato janë përgjegjëse për 30 për qind të ndotjes së ajrit në kryeqytet. Së dyti, duhet të ndërmerren masa të menjëhershme për kontrollin e filtrave në termocentralet e KEK-ut. Pra, të kontrollohen të gjithë tymtarët e këtyre termocentraleve dhe të shihet nëse janë të pajisura me filtra adekuatë dhe nëse janë duke funksionuar në bazë të parametrave ligjorë. Së treti, me kohë do të duhej të bëhej vetëdijesimi i popullatës dhe institucioneve të ndryshme për mosshfrytëzimin e thëngjillit si lëndë djegëse.

“Epoka e re”: Është paralajmëruar mbajtja e një seance të jashtëzakonshme parlamentare. Cilat janë hapat urgjentë që duhet t’i ndërmarrin institucionet?
Agani: Urgjentisht duhet të fillojë të zbatohet udhëzimi administrativ i Qeverisë për kontrollin e emetimit të gazrave nga burimet e lëvizshme, pra nga automjetet. Unë nuk po kuptoj se si nuk zbatohet një akti nënligjor, i cili është i lidhur drejtpërdrejt me shëndetin e qytetarëve dhe për këtë nuk ka kurrfarë reagimi. Përveç reagimit nga ministrja e Ambientit dhe Mjedisit, e cila disa herë po thekson problemin e moszbatimit të këtij udhëzimi administrativ, kurse të tjerët nuk e ngritin zërin. Ministria e Infrastrukturës do të duhej të merrej me zbatimin e këtij udhëzimi administrativ në qendrat e kontrollit teknik. Me të vërtetë nuk po mund ta kuptoj ende se si mund të lejohet kjo shkallë e papërgjegjësisë në moszbatimin e një akti nënligjor kaq të rëndësishëm për shëndetin e qytetarëve.

“Epoka e re”: Sa keni qenë ministër keni kërkuar sqarim pse nuk po zbatohet ky udhëzim administrativ?
Agani: Sigurisht. Kur kam marrë mandatin e ministrit kam gjetur një udhëzim administrativ i cili ka qenë në fuqi dhe që nuk është zbatuar asnjëherë. Arsyetimi për këtë veprim ka qenë se standardet që ka kërkuar ai udhëzim kanë qenë aq të larta sa është rrezikuar që një numër shumë i madh i automjeteve të dalin nga qarkullimi. Pastaj, ne i kemi hyrë punës dhe me një grup të përbashkët ndërministror e kemi elaboruar udhëzimin e ri administrativ dhe e kemi futur në fuqi. Ky udhëzim tash parasheh standardin ‘euro 3’. Ky standard duhet të plotësohet nga çdo automjet i cili dëshiron të regjistrohet dhe të funksionojë në tërë territorin e Kosovës. Ani pse këtë udhëzim arritëm ta miratojmë në Qeveri, prapëseprapë ai nuk është duke u zbatuar.

“Epoka e re”: Cilët janë hapat që do të duhej të merren në periudhën afatshkurtër?
Agani: Kontrollimi i filtrave në termocentralet e KEK-ut, veçanërisht ato të ‘Kosovës A’, por edhe të ‘Kosovës B’. Kurse te masat afatgjata hyjnë vetëdijesimi i popullatës dhe institucioneve për mospërdorimin e thëngjillit si lëndë djegëse. Pastaj do të duhej implementuar projekti i kogjenerimit, do të duhej të shtohet sistemi i monitorimit dhe i kontrollit të cilësisë së ajrit në disa pika të kryeqytetit gjatë tërë vitit. Sistemi shtetëror i monitorimit të cilësisë së ajrit duhet të jetë më efikas dhe të mos varemi nga informatat që vijnë vetëm nga një pikë e matjes.

“Epoka e re”: Gjatë kohës suaj si ministër është bërë ndonjë hulumtim se kush janë ndotësitë kryesor të ajrit?
Agani: Kur është përpiluar strategjia për komentimin e cilësisë së ajrit janë bërë hulumtimet dhe matjet përkatëse. Sipas të gjeturave të hulumtimit, përgjegjës për ndotjen e ajrit janë automjetet e të gjitha kategorive me 30 për qind, ndërsa 70 për qind e ndotjes së ajrit vjen nga burime të tjera, termocentralet e KEK-ut dhe nga amvisëritë.

“Epoka e re”: Meqenëse vini nga sektori i shëndetësisë, sa është i rrezikshëm për shëndetin e banorëve të kryeqytetit kjo cilësi e ajrit?
Agani: Duke pasur parasysh pozitën gjeografike të kryeqytetit, e cila është si një fushëgropë dhe duke pasur parasysh se efekti negativ shumëfishohet në mjedise të tilla gjeografike, rreziku është i madh. Po ashtu, duke pasur parasysh strukturën demografike të popullatës me numër tejet të madh të fëmijëve, atëherë me të vërtetë rreziku nga ky ajër është mjaft i madh, veçanërisht te pjesa e popullatës së ndjeshme siç janë fëmijët dhe të moshuarit, por edhe tek ata që kanë sëmundje të ndryshme kronike. Qytetarët duhet të kenë kujdes të shtuar këto ditë. Duhet të përcillen komunikatat që vijnë nga Instituti Kombëtar i Shëndeti Publik, i cili është institucioni i vetëm në vend që mund të japë rekomandime adekuate profesionale dhe shkencore. Pra, duhet pasur kujdes për dalje në ambiente të hapura, duhet të mbyllen dritaret në zona të caktuara të qytetit dhe të vendosen edhe maskat për t’u mbrojtur nga ndotja e ajrit.

Muhamet KOCI

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të fundit
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka mbështetur protestën e organizuar…