AGK-ja dënon kërcënimin e pjesëtarit të sigurimit të Kuvendit ndaj gazetares Lumturie Blakaj

16 mars 2018 | 12:55

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka dënuar kërcënimin e pjesëtarit të sigurimit të Kuvendit të Kosovës ndaj gazetares Lumturie Blakaj, e cila ishte duke mbuluar seancën e ditës së enjte.

Gazetarja e RTK-së, Lumturie Blakaj, e ka informuar AGK-në se në kohën kur ajo po mbulonte seancën plenare të Kuvendit të Kosovës është penguar në punën e saj nga një pjesëtar i sigurimit të Kuvendit të Kosovës.

“Unë jam fyer me fjalët më poshtëruese dhe me një sjellje arrogante nga pjesëtari i Sigurimit të Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Blakaj.

Gazetarja Blakaj ka theksuar se është penguar nga pjesëtari i sigurimit deri sa ajo ishte duke biseduar me një deputet dhe është poshtëruar madje edhe në prani të disa gazetarëve të tjerë.

Ajo ka pohuar se ofendimi është përcjell edhe me veprim fizik duke e nxjerrë atë dhunshëm nga salla ku qëndronin deputetët.

Gazetarja Blakaj ka shtuar se pjesëtari i sigurimit e ka kërcënuar verbalisht duke i thënë se nuk do të lejohet në të ardhmen që të hyjë më në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.

“Përgjatë këtyre 18 viteve karrierë që përcjell Kuvendin e Kosovës, nuk jam ndjerë më e injoruar dhe më e fyer nga zyrtarët e shtetit të Kosovës”, ka thënë Blakaj.

Ndërkaq Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kërkon që të merren masa adekuate ndaj këtij pjesëtari.

“Ky është rasti i dytë që për një kohë të shkurtër kanë ndodhur kërcënime dhe sjellje arrogante nga anëtarët e sigurimit të Kuvendit të Kosovës ndaj gazetarëve që përcjellin punën e këtij institucioni”, është thënë në reagimin e AGK-së.

AGK-ja ka paralajmëruar se do të dërgojë letër shqetësuese tek kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe drejtori gjeneral i policisë së Kosovës që të ndërmarrin masa për të ndaluar këto sjellje të pahijshme të anëtareve të sigurimit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri i Kombëtares shqiptare të Futbollit, Christian Panucci bëri publike…