Ahmeti: Ftesa për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, arritje e madhe

12 korrik 2018 | 14:04

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka uruar qytetarët maqedonas për marrjen e ftesës për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO.

Ai ka thënë se integrimi euroatlantik i Maqedonisë ka qenë udhërrëfyesi i tyre.

“Kam kënaqësinë e veçantë që të uroj të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO që paraqet arritje të madhe dhe jashtëzakonisht të rëndësishme për të ardhmen e sigurt të vendit tonë. Integrimi euroatlantik ka qenë udhërrëfyes i aktivitetit tonë politik dhe shoqëror që nga fillet e veprimtarisë sonë gjer sot dhe përkushtimi jonë konzistent drejt realizimit të këtij synimi, pa e humbur përqendrimin për asnjë çast, ka rezultuar me sukses të përbashkët”, ka shkruar Ahmeti në llogarinë e vet në “Facebook”.

Ahmeti ka thënë se integrimi i plotë i Maqedonisë, por edhe i rajonit në NATO e bën lirinë tonë të plotë, mundëson siguri, stabilitet, paqe të qëndrueshme, marrëdhënie të mira ndëretnike, zhvillim ekonomik dhe mirëqenie shoqërore.

“Arritjet e këtij viti të cilat mundësojnë barazi dhe integrim euroatlantik janë synim i të gjithë qytetarëve dhe partive politike në vend, prandaj të gjithë ne bashkërisht duhet të punojmë për rrumbullakësim të suksesshëm të këtij procesi. Këto arritje janë rezultat i punës së përbashkët të qytetarëve tanë, partive politike, shoqërisë civile, botës akademike, medieve dhe miqve ndërkombëtar. Kjo ëndërr e qytetarëve tanë që ka filluar të realizohet sot kërkon nga ne që të bashkohemi rreth Maqedonisë euroatlantike”, ka shkruar Ahmeti.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
"The Economist" Amerika ka bërë më shumë se çdo vend…