>

Akademia Diplomatike e MPJ-së shënoi 5-vjetorin e themelimit

08 mars 16:14

Akademia Diplomatike e Ministrisë së Punëve të Jashtme e  Republikës së Kosovës (MPJ), ka shënuar sot përvjetorin e pestë të themelimit të saj përmes organizimit të konferencës ndërkombëtare me temën: “Diplomacia, gjinia, fuqizimi dhe ndërtimi i kombit”.

Shënimi i këtij përvjetori që përkon me 8 Marsin Ditën Ndërkombëtare të Gruas, është vlerësuar ditë e veçantë nga zëvendësministrja e punëve të Jashtme, Rejhan Vuniqi, e cila gjatë fjalimit të saj ka kujtuar sfidat me të cilat është përballur  Kosova në procesin e ndërtimit të shtetit ku siç është shprehur ajo kontribut të pazëvendësueshëm zë angazhimi i gjinisë femërore.

Me këtë rast ajo ka theksuar se duhet parë se cilat janë mundësitë që gruaja të shërbejë më shumë për shtetin.

“Gratë nëse nuk marrin pjesë në qeveri atëherë gjysma e popullit nuk do të përfshihet në vendimmarrje.  Burimet e financimit janë sfidat me të cilat përballen gratë dhe financimi është çelësi i suksesit për to. Ne e kemi bërë hapin e parë dhe duam të vazhdojmë”, ka thënë zëvendësministrja Vuniqi.

Nga ana tjetër drejtori i Akademisë Diplomatike, ambasadori Beqir Ismaili duke kujtuar se data e themelimit të Akademisë Diplomatike rastis me Ditën Ndërkombëtare të Gruas, ka thënë se në Kosovë gruaja dita ditës po zë vendin e saj në shoqëri.

“Kosova ndihet e privilegjuar që ka gra në institucionet e veta. Puna e grave në institucione përbën një realitet të prekshëm dhe faktor të prekshëm në arritjen e objektiveve”, është shprehur ai.

Ndërsa duke folur për rolin e Akademisë, ambasadori Ismaili, ka theksuar të arriturat e saj.

“Akademia është institucion që ka për qellim që të zhvillojë aftësi personale të stafit diplomatik. Akademia në këto 5 vite ka trajnuar një gjeneratë të re të diplomatëve të suksesshëm. Përmes kësaj veprimtarie akademia ka forcuar dhe do të forcoj kapacitetet”, ka thënë ambasadori Ismaili.

Ai ka përmendur edhe marrëveshjet e bashkëpunimit që Akademia ka nënshkruar me shtetet e ndryshme si dhe synimin që ka ky institucion për vitet e ardhshme.

“Janë nënshkruar 33 marrëveshje vendore e ndërkombëtare me të gjitha vendet e botës. Kemi realizuar katër publikime në anglisht. Rëndësi për akademinë që njihet roli parësor. Shprehim me krenari në sigurimin e kompetencave evropiane për të përgatitur të rijnë që te forcojë pozitën në arenën ndërkombëtare. Objektiv kryesor është krijimi i një fuqie të butë dhe forcimin e pozitës së shtetit jashtë. Tani synim i akademisë këtë vit është krijimi i shkollës diplomatike” është shprehur Ismaili.

Për rolin dhe rëndësinë e Akademisë Diplomatike ka folur edhe Nabil Ayad nga Këshilli për Tolerancë dhe Paqe, njëherësh këshilltar i jashtëm i zëvendëskryeministrit të parë dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli. Derisa ka përmendur rolin e grave në politikë, Ayad ka theksuar se është më se i nevojshëm fuqizimi i gjinisë femërore  në proceset politike dhe ekonomike.

“Është evidente që ka nevojë për ekuilibër në qasje mes burrave dhe grave. Roli i rëndësishëm i grave është në fushën e zhvillimit të politikave. Politik bërja në të kaluarën ka qenë e dominuar nga meshkujt. Shekulli ynë ballafaqohet me sfida, me lufta, konflikte religjioze, thatësira dhe këto kanë shkaktuar vuajte të njerëzve. Ende meshkujt vendosin në konflikte dhe gjendje lufte. Gratë duhet të jenë më të përfshira”, ka deklaruar Ayad.

Pikëpamjet e saj për rolin e gruas në ndërtimin e shtetit i ka prezantuar edhe Maria Pacolli, presidente e Fondacionit Ndërkombëtar “Ibrahim Kodra”, në Llugano.

Ajo ka theksuar se gratë duhet të jenë të fuqishme, të pavarura dhe kontribut dhënëse në ndërtimin e shtetit.

“Përfaqësimi i Kosovës është shumë i rëndësishëm. Duhet të jemi partner në bashkëbisedimet me burrat tanë. Gratë duhet të jenë të fuqishme, të pavarura dhe kontribut dhënëse në shtet ndërtim. Tradita është rrënja e vendit, gjuha, kuzhina juaj”, është shprehur Pacolli.

Po ashtu për punën e Akademisë Diplomatike, kontributin e saj dhe rolin e gruas në politikë në tema të ndryshme si “Gjinia dhe Diplomacia”, “Ligji dhe të Drejtat e Njeriut” dhe “Ekonomia dhe shtet ndërtimi” kanë diskutuar edhe zëvendësministri i Jashtëm, Besnik Hoti, ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, drejtoresha e Akademisë Diplomatike të Çekisë, Vera Jerbakova, drejtoresha e Akademisë Diplomatike të Malit të Zi, Satka Hajdarpasic si dhe përfaqësues të institucioneve tjera nga vendi dhe rajoni.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të fundit
Nga orën 19:00 në kuadër të Evropa Ligës zhvillohet ndeshja…