Ambasadori Gashi viziton Përfaqësuesen e Kosovës në Francë

22 mars 2018 | 14:48

Ambasadori i Republikës së Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi, i shoqëruar nga konsulli Kadri Dakaj dhe aktivisti Ismet Mehmeti, vizituan sot Përfaqësuesen e Kosovës, e cila po qëndron në Francë për ndeshjet miqësore kundër Madagaskarit dhe Burkina Fasos.

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri, mirëpriti ambasadorin Gashi së bashku me Bekim Rexhepin, anëtar i Komitetit Ekzekutiv dhe Arianit Ahmetin, zëvendëssekretar Gjeneral, dhe shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e ofruar nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Francë në të gjitha angazhimet e Federatës së Futbollit të Kosovës.

Në një takim të përzemërt me futbollistët e Kombëtares, ambasadori Gashi shprehu fjalët më të ngrohta për të gjithë lojtarët dhe u uroi atyre suksese në dy ndeshjet e radhës dhe në vazhdimësi.
“Ju, me përfaqësimin tuaj po na bëni çdo ditë krenarë të gjithëve, ata që luajnë futboll dhe ne të tjerëve që do të donim të luanim dhe ta përfaqësonim Kosovën por nuk dimë ta bëjmë këtë. Kam qenë edhe vetë një ish-kadet dhe bartjen e fanellës së Kosovës në futboll do ta konsideroja një nder jashtëzakonisht të madh. Si ambasador i Republikës së Kosovës në Francë, ju siguroj se e keni gjithë mbështetjen tonë këtu. Ju uroj sukses në përfaqësimin që po i bëni Kosovës në këto dy ndeshje dhe në të gjitha ndeshjet e tjera”, deklaroi ambasadori Gashi.

Futbollistët e përfaqësues nderuan ambasadorin Gashi me fanellën e Republikës së Kosovës të nënshkruar nga i gjithë ekipi, të cilën ia dhuroi presidenti, Fadil Vokrri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fitorja e tretë radhazi për Cleveland Cavaliers në NBA dhe…