Apelohet për konsensus politik për ratifikimin e demarkacionit

22 shkurt 2018 | 17:33

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka vlerësuar se pas dështimit të seancës së sotme për të shqyrtuar Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për kufirin shtetëror në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, është dëshmuar mungesa e seriozitetit dhe përkushtimit të partive politike për të arritur konsensus politik që i shërben interesit të të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Sipas kësaj, organizate e cila merret me monitorimin e punës së Kuvendit, ka theksuar se mungesa e këtij konsensusi politik tash e gati tri vite, jo vetëm që ka lënë qytetarët e Kosovës të izoluar dhe pamundësi lëvizjeje të lirë, por njëkohësisht ka bllokuar funksionimin normal të institucioneve të vendit.

“Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) vlerëson se çështja e demarkacionit është shteruar si temë, dhe tanimë është koha e fundit për të ndërmarrë hapa konkret në ratifikimin e kësaj marrëveshjeje”.

“Andaj, KDI-ja apelon ndaj të gjitha partive politike parlamentare për arritjen e një konsensusi të përgjithshëm dhe zgjidhjen e kësaj nyje që po mbanë peng qytetarët e Republikës së Kosovës. Vota pro demarkacionit është votë pro lëvizjes së lirë dhe rrugëtimit të mëtutjeshëm të Kosovës drejt BE-së, sidomos tani kur sipas Transparency International vendi ynë ka shënuar progres në luftën kundër korrupsionit dhe renditet më mirë sesa shumë vende të tjera që tashmë gëzojnë liberalizmin e vizave. KDI-ja u bënë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës të tregojnë vendosmëri dhe përkushtim më të madh për të mbyllur çështjen e shënjimit të kufirit me Malin e Zi”, është thënë në reagimin e KDI-së.

KDI-ja ka konsideruar se Republika e Kosovës ka në dispozicion mekanizma ligjor për të rinegociuar me Malin e Zi për ndonjë përmirësim eventual të marrëveshjes, nëse konsiderohet që veçse janë bërë gabime në këtë drejtim.

“Prandaj, çdo vonesë e mëtutjeshme për ratifikimin e demarkacionit do të ndikoj në izolimin e qytetarëve, dhe njëkohësisht do të shpërfaqë paaftësinë e skenës politike kosovare për të marrë vendime të mëdha”, është thënë në reagimin e kësaj organizate.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ylli i Barcelonës, Sergio Roberto e ka vazhduar kontratën me…