Apetitet e Serbisë shkojnë përtej ndarjes së Kosovës

22 janar 2018 | 11:54

Shkruan: Shemsi Reçica

A mund të besohet se qëllimi i fundit i Serbisë, në raport me shqiptarët, është shkëputja e vetëm katër komunave të Veriut të Kosovës, me shumicë serbe, dhe bashkimi i tyre me Serbinë?! A mund të besohet se apetitet e Serbisë, për zgjerimin e kufijve të saj, në dëm të tokave shqiptare, nuk shtrihen edhe përtej këtyre komunave, pra, edhe në “enklavat” serbe, në brendi të Kosovës dhe në gjithë hapësirën e saj?!

***
Për ta kuptuar qëllimin e Serbisë në Kosovë mjafton të kihen parasysh politikat, programet, projektet, planet dhe memorandumet sekrete serbe për Kosovën dhe kundër shqiptarëve, prej Garashaninit (Andriqit, Çubrilloviqit, Çosiqit, Rankoviqit, ASHA të Serbisë) e deri te Millosheviqi.
Nëse u hiqen datat dhe emrat e autorëve, ato duken sikur i ka diktuar një mendje, i ka shkruar një dorë, janë hartuar për një qëllim dhe vlejnë për të gjitha kohët. Dhe, nëse e ke njohur një projekt, të një kohe dhe të një qeverie serbe për Kosovën, i ke njohur të gjitha projektet e të gjitha kohëve dhe të të gjitha qeverive serbe kundër shqiptarëve.

Jetësimi i plotë i synimeve të politikës së fshehtë serbe ndaj tokave shqiptare, i filluar me “Nacertanjen” e Garashaninit (1845), ishte edhe qëllimi i fundit i politikës dhe i luftës së Millosheviqit në Kosovë (1998/99).
Tani kur të kihen parasysh politikat e fshehta të Serbisë kundër shqiptarëve, pastaj fakti që asnjë qeveri serbe, dje as sot, nuk është distancuar nga ato politika dhe, më në fund, mosgatishmëria e asnjë Qeverie të Serbisë për kërkimfalje, madje as për të shprehur keqardhje, për krimet shtetërore serbe në Kosovë, në vitet 1998/99, a mund të besohet se Serbia e sotme ka hequr dorë nga synimet e saj shekullore për zgjerimin e kufijve të saj, në dëm të tokave shqiptare?!

***
Nga përfundimi i luftës dhe deri sot e gjithë ditën ndër shqiptarë flitet dhe shkruhet, herë më shumë e herë më pak, për mundësinë e ndarjes së një pjese të Kosovës dhe bashkimit të saj me Serbinë, si synim i fundit i politikës aktuale të Beogradit zyrtar kundrejt Kosovës. Për këtë mundësi përflitet, kohë pas kohe, edhe jashtë Kosovës, në Serbi dhe në qarqe të ndryshme ndërkombëtare. Prishtina zyrtare, siç dihet, për hesape të vetat, është e vendosur kundër ndarjes së Kosovës, por ende jeton me frikë për mundësinë reale të ndarjes së saj.

Ajo, nën presionin e kësaj frike, në njërën anë, dhe dëshirës së saj për ruajtjen e integritetit territorial të vendit, në anën tjetër, ka bërë aq kompromise të mëdha kundrejt Serbisë dhe minoritetit serb në Kosovë, sa e ka vënë në pikëpyetje të madhe funksionimin normal të shtetit. Kundër ndarjes së Kosovës, por për hesapet e tyre, janë edhe përkrahësit ndërkombëtarë të pavarësisë së Kosovës. Një “JO” zyrtare e tyre, e fortë dhe e qartë, – ndarjes së Kosovës, është e njohur qysh në krye të herës dhe përsëritet kohë pas kohe, krahas “JO”-së tjetër të tyre, bashkimit të saj me ndonjë shtet tjetër. Qëndrimi i Serbisë, ndërkaq, kundrejt ndarjes së Kosovës, është ekuivok. Ajo nuk është deklaruar qartë “PËR”, por as “KUNDËR” ndarjes së Kosovës. Megjithëkëtë, përmes disa deklaratave publike të zyrtarëve të saj, në formën: “Ndarja, tash për tash, nuk është opsion”, ose në ndonjë formë tjetër, – Serbia i lë të hapura mundësitë për (mos)ndarjen e Kosovës.

Kështu, duke qenë paraprakisht e vetëdijshme për frikën e shqiptarëve dhe për shqetësimet e ndërkombëtarëve për ndarjen e Kosovës, Serbia e ka përdorur gjerësisht këtë opsion në interes të saj, vetëm si kërcënim dhe si presion ndaj tyre, për kompromise më të mëdha, në dëm të shqiptarëve, në bisedimet Kosovë – Serbi. Opsionin e ndarjes së Kosovës, Serbia e ka përdorur vetëm si kërcënim dhe si presion ndaj shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve, por ndarja e Kosovës, në fakt, nuk është qëllim real i saj. Qysh në përfundimin e luftës, shqiptarët dhe ndërkombëtarët e kishin porositur Serbinë, ta kuptonte realitetin e ri por, me sa po duket, ajo e kishte kuptuar më mirë se të tjerët atë realitet dhe, pahetueshëm, atij ia ka përshtatur edhe qëllimin e saj kundrejt Kosovës, por edhe mënyrat e jetësimit të qëllimit të saj.

Tash 19 vjet, siç dihet, Serbia praktikisht e ka kontrolluar territorin e katër komunave me shumicë serbe, të Veriut të Kosovës. Sikur të ishte qëllimi i saj, shkëputja nga Kosova e territorit të katër komunave me shumicë serbe dhe bashkimi i atij territori me Serbinë ajo, në përputhje me kushtet dhe rrethanat e reja të kohës, do të qëndronte, me ekuivokë, por e palëkundur, edhe sot e gjithë ditën, në ato pozita.

Në sy të ndërkombëtarëve, ajo do të bënte disa ecejake krejtësisht të kota, në pritje të ardhjes së ditëve më të mira për të, për t’i vendosur pastaj ushtrinë e xhandarmërinë, vendkalimet kufitare e pikat doganore të saj, përgjatë gjithë vijës së re kufitare, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Por, kjo do të thoshte se politika zyrtare serbe vullnetarisht po hiqte dorë prej pjesëve të tjera të territoreve shqiptare dhe po pajtohej edhe me pavarësinë e Kosovës. Gjëra që Serbia s’i sheh as në ëndërr. Rrjedhimisht, për hesape të saj, edhe Serbia është kundër ndarjes së Kosovës, madje po aq kundër sa edhe vetë shqiptarët dhe ndërkombëtarët. (Vijon)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK),…