Aporia e epistemologjisë dhe sfidat problemzgjidhëse

01 nëntor 2017 | 13:17

Abazi, autor i disa librave kryesisht për shkencën, në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re” tregon se fillimisht një artikull me të njëjtin titull në gjuhën shqipe dhe angleze e kishte botuar në revistën “Thesis” të Kolegjit AAB, më pas, papritmas, e kishte marrë një e-mail nga Lambert Academic Publishing për botimin e këtij artikulli, për të cilin fillimisht kishte menduar se dikush ka bërë ndonjë shaka. “U bëra kureshtar dhe hulumtova në internet, ku gjeta se LAP ishte një shtëpi botuese shumë serioze, që publikonte vepra të autorëve nga e tërë bota. S’do mend, u intrigova, dhe u ktheva përgjigje konfirmuese”, shprehet Abazi, duke shtuar se pas kontakteve të para, kishte pranuar në një e-mail tjetër, me kërkesën që artikullin ta zgjerojë ashtu që të botohej si libër më vete. “Pranova me kënaqësi, sepse kjo më bënte të mundur ta thelloja shtjellimin. E për këtë duhej kohë shtesë. Hasa në mirëkuptim të plotë te LAP”, rrëfen Abazi. Dhe, sipas tij, çdo gjë shkoi në rregull. Tani libri “A ka shkenca ndonjë parim bazë?” është distribuuar dhe ndodhet në tregun botëror.

Kontaktet me Lambert Academic Publishing

“Epoka e re”: Profesor Abazi, si ligjërues jeni shumë në trende të zhvillimeve të fushës suaj. Po ashtu si pedagog je shumë komunikues dhe kreativ, je edhe krijues tashmë me përvojë për çka edhe do të bashkëbisedojmë. A mund ta fillojmë disi më thjeshtë?
Hajdin Abazi: Kjo kërkesë, në shikim të parë, duket e lehtë, por, në të vërtetë, aspak nuk është. Uroj t’ia dalim, pasi që thjeshtësia është më e zorshmja të arrihet. Mu për këtë ajo është një prej idealeve edhe në formulimin e teorive shkencore dhe filozofike, sikurse e kishte shprehur Jules Henri Poincaré, matematikan, fizikan teorik dhe filozof i shkencës. Thjeshtësia nënkupton qartësi, zbërthyeshmëri deri në thelb, lehtësi e të kuptuarit, potencë shpjeguese të asaj që trajtohet dhe artikulim shprehës. Të flasësh për probleme teorike në mënyrë sa më të thjeshtë, nuk është aspak e thjeshtë.

“Epoka e re”: Ne vetëm hymë në temë… me shkas botimin tuaj më të ri. Cili është fokusi juaj në këtë studim?
Hajdin Abazi: Artikulimi filozofik i shkencës. Në të vërtetë, sikurse dihet, raporti midis filozofisë dhe shkencës që nga fillimi, domethënë qyshkur është konstituuar filozofia si disiplinë më vete, ka qenë sfidues dhe i tillë mbetet edhe sot e gjithë ditën. Në fakt, studimi im është shqyrtim epistemologjik ndaj shkencës. Një hamendësim përftohet që nga titulli i këtij studimi: “A ka shkenca ndonjë parim bazë?”, kurse nëntitulli e pasqyron materien e shtjellimit: “Mbi zhvillimet në filozofinë e shkencës lidhur me përparimin shkencor”. Studimi është në gjuhën angleze, botuar nga Lambert Academic Publishing (LAP).

“Epoka e re”: Domethënë, studimi të është botuar jashtë vendit? A është vështirë të depërtohet në qarqet intelektuale të jashtme?
Hajdin Abazi: Varet se si shihet kjo. Personalisht nuk e kam menduar ndonjëherë depërtimin jashtë, në kuptimin që vlerat janë vlera si brenda (në vend) ashtue dhe jashtë (në botë). I preokupuar me disiplinën time, jam provokuar nga problemet e saja aktuale dhe të mprehta, të cilat i kam artikuluar, duke u përpjekur të hedhë dritë disi më ndryshe mbi to. Puna intelektuale në filozofi, si ajo në shkencë apo art, nuk njeh kufij shtetëror, por njeh nivel, përmbajtje, qasje, kritere, kreativitet dhe inovacion. Kërkohet të jesh në rrjedhat botërore të disiplinës, t’i njohësh problematikat, kontestimet, debatet, vështirësitë dhe sfidat që të mund të japësh ndonjë gjë nga vetja. Nëse arrin diçka që është e duhur, atëherë ke dhënë një kontribut intelektual i cili herët a vonë nxirret në pah.

“Epoka e re”: A domethënë kjo se vepra juaj kishte “diçka të duhur”?
Hajdin Abazi: Ndoshta, vetë historia se si erdhi deri te botimi, e jep disi përgjigjen. Një artikull, me të njëjtin titull si edhe të këtij libri, e kam pas botuar më herët në revistën “Thesis” të Kolegjit AAB. Shkrimi ka qenë dy gjuhësh, shqip dhe anglisht. Aty kam parashtruar këndvështrimin tim themelor të problematikës lidhur me parimet drejtuese të shkencës. Duke qenë se jam “akomoduar” në praktikën tonë të shpërfilljes së arritjeve intelektuale, arritje që ndonjëherë ka si rrjedhojë pengimin, përhapjen e insinuatave, veprimet minimizues, eliminimin referncial dhe smirën ballkanike, ç’është e vërteta as që më ka vajtur ndërmend se eseja ime do të ngjallte ndonjë interesim te ndokush. Por ja që ndodhi.

“Epoka e re”: E si u bë, si erdhi deri te interesimi nga jashtë? Si ratë në kontakt?
Hajdin Abazi: Bota, në procesin e globalizimit, është ndërthurur e është afruar aq shumë, sidomos falë internetit; është hapur sa i përket kërkimit të dijes pa paragjykime kudo në botë, pra edhe në Kosovë, për të “peshkuar” ata që kanë për të thënë ndonjë gjë të denjë për tregun botëror të dijes. Një e-mail nga Lambert Academic Publishing (LAP), diku në dhjetor të vitit të kaluar, ma bënte me dije se eseja ime e botuar në revistën “Thesis” u ishte dukur interesant dhe më kërkonin leje për ta botuar atë. Sinqerisht, në fillim e mora me rezerva; pandeha se ndokush po bënte ndonjë shaka që janë në trend përmes e-mailave të rrejshëm, meqë artikulli ishte botuar edhe në shqip e kishte kaluar në heshtje totale si të mos qe botuar fare. U bëra kureshtar dhe hulumtova në ueb-faqe të ndryshme, ku gjeta se LAP ishte një shtëpi botuese shumë serioze, që publikonte vepra të autorëve nga e tërë bota. S’do mend, u intrigova, dhe ju ktheva përgjigje konfirmuese.

“Epoka e re”: Kaq ishte?
Hajdin Abazi: Fillimisht kaq: më falënderuan që pranova bashkëpunimin. Më pas, në një e-mail tjetër, meqë artikulli ishte i shkurtër për botim më vete, më pyetën nëse kisha gatishmëri që ta zgjeroja ashtu që të botohej si libër më vete. Pranova me kënaqësi, sepse kjo më bënte të mundur të thelloja shtjellimin. E për këtë duhej kohë shtesë. Hasa në mirëkuptim të plotë te LAP.

“Epoka e re”: Pastaj? Si shkoi? Është interesant të tregohet, se ndoshta mund t’u shërbejë të tjerëve.
Hajdin Abazi: E para e punës, duhej ta bëja shtjellimin ashtu që problematika të shihej nga perspektiva të ndërthurura. Nuk mjaftonte më vetëm ideja themelore, por duhej edhe artikulimi i saj më i thelluar. Këtë kam mundur ta bëja edhe më herët, por më mungonte motivimi. Në të vërtetë, unë kisha trajtuar aspekte që lidheshin me këtë tematikë, me paraqitjet e mia në konferenca të ndryshme ndërkombëtare të filozofisë, dhe ato gjithherë kishin bërë që të më shtronin pyetje përgjigjet e të cilave kërkonin shtjellim përtej asaj që paraqitej në kumtesa. Kështu, si të thuash, materien e kisha, vetëm duhej përpunuar. Dhe e bëra: e rrumbullakova studimin sipas konceptit tim. Veprimi tjetër ishte vlerësimi nga LAP. Pas dy apo tri javësh m’u kthye përgjigje aprovuese. Çështjet e tjera ishin teknike, si dizajni, kopertina, faqosja, të dhënat etj. Tashmë libri është distribuuar dhe ndodhet në tregun botëror.

Ka apo nuk ka shkenca ndonjë parim bazë?

“Epoka e re”: Titull intrigues i veprës suaj. A mund të thuash, ka apo jo ndonjë parim bazë shkenca – cila është gjetja juaj?
Hajdin Abazi: Përgjigja nuk është aspak e lehtë. Të thuhet se shkenca nuk ka ndonjë parim do të tingëllonte absurde, dhe ashtu është. Pozitivistët logjik dhe Karl Popperi, duke ndjekur linjën e traditës, kishin formuluar parime universale, sipas të cilave zhvillohej ose duhej të zhvillohej shkenca. Thomas Kuhn e tronditi komunitetin e filozofëve, veçanërisht të epistemologëve, kur pohoi se nuk ka ndonjë parim universal në shkencë, dhe e argumentoi bindshëm këtë. Situata epistemologjike nga kryevepra Struktura e revolucionev shkencore ka ndryshuar thelbësisht. Debati epistemologjik që shkaktoi teoria e Kuhnit, nxori dy kahe të kundërta qasjesh: përpjekje, në njërën anë, për të rikonstituuar ndonjë parim universal (p.sh. Imre Lakatos, Larry Laudan etj.); dhe në anën tjetër, shkuarja në ekstremin e kundërt – minimi i çdo parimi pak a shumë të qëndrueshëm me devizën ‘gjithçka lejohet’ (Paul Feyerabend). Kjo ende ka mbetur çështje e hapur, e njohur si problemi i zgjedhjes teorike, në nivelin paradigmatik. Nëse nuk do të ketë një përgjigje si shpjegim, atëherë do të rridhte që shkenca, në momentet më relevante të kthesave rrënjësore kur edhe hapen perspektiva përparuese, është irracionale.

“Epoka e re”: Dhe, ka apo jo ndonjë parim bazë?
Hajdin Abazi: Parime ka shkenca, gjithsesi, sepse pa to nuk do të mund të arrinte ato rezultate të shkëlqyeshme duke avancuar njohjen njerëzore. Problemi është te vlefshmëria e këtyre parimeve. Ka apo jo parime universale, kjo është çështja. Përgjigja duhet kërkuar në praktikën shkencore, kjo e parë nga aspekti historik: ç’tregojnë ndryshimet në astronomi nga gjeocentrizmi te heliocentrizmi, ndryshimet në fizikë nga Aristoteli te Newton e pastaj te Einstein. Kuhni e parashtroi qartë: nuk ka parime me validitet universal, në kuptimin që një parim i tillë do të diktonte ose udhëzonte apo orientonte për të zgjedhur njërën nga paradigmat, kur kjo shtrohet para komunitetit shkencor. Kjo ngjalli shumë pyetje themelore, p.sh., si bëhen ndryshimet në shkencë, si ndodhë revolucioni shkencor, a është shkenca veprimtari racionale , ku mbështetet komuniteti i shkencëtarëve kur i bën shndërrimet rrënjësore në shkencë etj. Këto janë dilema të mëdha epistemologjike që sfidojnë edhe sot e gjithë ditën.

“Epoka e re”: Dhe ju, profesor Abazi, jeni intriguar për shqyrtime epistemologjike, apo jo?
Hajdin Abazi: Po, madje, qysh te eseja ime e parë mirëfilli epistemologjike “Dallimi midis ndryshimeve normale dhe revolucionare sipas Thomas Kuhn” (2004) dhe pastaj te studimi “Çështja e zgjedhjes teorike, një krahasim midis teorisë së Th. Kuhn dhe I. Lakatos” (2005), si dhe te një varg esesh të tjera kam shtjelluar çështje e probleme të ndryshme të kësaj natyre. Epistemologjia, duke ruajtur në thelb natyrën filozofike, gjithnjë nxjerr probleme intriguese, gjë që më ka çuar në studimin e thelluar, që e kisha dhe temë disertacioni, “Shqyrtime të racionalizmit në epistemologji” (2012). Nga këto shtjellime, ndjeva se mungonte një hallkë lidhëse, gjë që u nxita të shkoja pas në kohë, deri te antikiteti grek, prej nga doli një libër me titull metaforik “Shembja e Olimpit”, me nëntitull: “Rënia e zotave – ngritja e njerëzimit”; me sqarimin e natyrës së shtjellimeve: “Ese filozofike mbi çlirimin botëkuptimor” (refleksione mbi mitologjinë, Homerin, Hesiodin, Talesin, Ksenofanin e Protagorën). Të gjitha këto studime, në një farë mënyre, qëndrojnë në sfond të studimit “A ka shkenca ndonjë parim bazë?”, ndonëse tash këtu shtrohen, në mënyrë të kondensuar, si një gamë e ndërlidhur problemesh.

“Epoka e re”: Ç’kuptim ka kjo e fundit që e the; a mund ta zbërthesh, profesor Abazi?
Hajdin Abazi: Kjo domethënë se përderisa në studimet e mëparshme jam rrekur me ndonjë problem konkret e të veçantë, kësaj here kam ngërthyer një sërë problemesh që lidhen drejtpërdrejt dhe disi përcaktojnë momentumin më me peshë të zhvillimit të shkencës. Me fjalë të tjera, kam një gërshetim disiplinash filozofike, për të shtruar çështjen nga shumë aspekte. Një prej tyre është, fjala vjen, metafizika. Cili është roli i saj në shkencë, si është perceptuar ajo ndër filozofët dikur e si sot? Kam shtjelluar kontroversën prej mohimit të metafizikës si e dëmshme dhe e rrezikshme, përfshirë edhe perceptimin si kundërshkencore, e deri te pranimi i funksionit të saj si vizion i shkencës, ose, për të përdorë një shprehje të Ludwig Wittgenstein-it, si pikturë e asaj se si duket universi, ose një pjesë e tij. Klasikët bashkëkohor të epistemologjisë, si Karl Popper, Thomas Kuhn, Imre Lakatos e madje edhe Paul Feyerabend, pajtohen për një rol ndryshe të metafizikës në shkencë. Kjo, megjithatë, nuk e zvogëlon sfidën sa i përket funksionimit të shkencës, por mbase hedhë dritë mbi atë se si mund të kërkohet zgjidhja për gjetjen e një shpjegimi adekuat të asaj se si zhvillohet shkenca. (Vijon)

Qendresa RAMA

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Berat Armagedoni