Askush s’mund ta bllokojë zyrtarizimin e gjuhës shqipe

16 mars 2018 | 18:29

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë, i cili vjen nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Hazbi Lika, ka bërë me dije se Ligjin për përdorimin e gjuhëve, pjesë e të cilit është edhe zyrtarizimi i gjuhës shqipe në këtë vend, nuk mund ta bllokojë askush.

Ai ka thënë se presidenti i Maqedonisë tani e ka obligim kushtetues të reflektojë ndaj kësaj çështje dhe ta dekretojë këtë ligj.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka ftuar presidentin Ivanov të reflektojë ndaj kësaj çështje dhe ta respektojë Kushtetutën e Maqedonisë.

“Presidenti e ka pasur mundësinë ta bllokojë ligjin herën e parë, kur nuk e ka dekretuar këtë ligj, prandaj edhe ligji është rikthyer në procedurë parlamentare. Ndërsa tani ligjin nuk mund ta bllokojë mosdekretimi nga ana e presidentit. Ivanovi është i detyruar që pas votimit të tretë ta dekretojë ligjin. Por, edhe nëse ai nuk e bën këtë, tashmë për fuqizimin e këtij ligji nuk është i detyrueshëm vendimi i presidentit. Kështu që, sipas infrastrukturës ligjore dhe kushtetuese, ai do të hyjë në fuqi”, ka thënë Lika.

Ai ka mohuar pretendimet e presidentit se ky ligj është antikushtetues, ndërsa ka falënderuar partnerët e koalicionit qeverisës që mbështeten miratimin e këtij ligji.

“Tani për tani nuk ka ndonjë iniciativë për të kontestuar kushtetushmërinë e këtij ligji. Ne edhe gjatë hartimit të këtij projektligji jemi përpjekur që mos të dalim jashtë Kushtetutës së vendit. Mendojmë se ky ligj është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Maqedonisë”, është shprehur ai.

Zëvendëskryeministri Lika ka pranuar se zbatimi i këtij ligji do të jetë sfidues, por është zotuar se Qeveria do të angazhohet maksimalisht që ky dokument të zbatohet pikë për pikë.

Madje, sipas tij, parashihen dënime shumë të larta për ata që nuk e respektojnë apo nuk e trajtojnë siç duhet këtë ligj. Duke folur për rëndësinë që ka ky ligj për gjuhët, zëvendëskryeministri i Maqedonisë ka treguar se ky ligj është motivues për shqiptarët.

“Ne kemi pasur nevojë për ta kthyer besimin në institucionet e shtetit, për ta ndërruar qasjen e shtetit ndaj shqiptarëve në përgjithësi dhe ndaj komuniteteve të tjera. Kështu që, miratimi i këtij ligji është një hap shumë i mirë për të forcuar dhe për të qenë më të vendosur në perspektivën e këtij vendi, ku shqiptarët janë një nga kontribuuesit kryesor”, ka thënë zëvendëskryeministri Lika.

“Epoka e re”: Z. Lika, në një atmosferë të tensionuar, Kuvendi i Maqedonisë ka miratuar të mërkurën për herë të tretë Ligjin për gjuhët, përmes të cilit zyrtarizohet edhe gjuha shqipe. Sa ishte e vështirë të arrihet deri te ky synim?
Lika: Në Parlamentin e Maqedonisë shpesh ka pasur tensione. Ne po shohim se nuk është e lehtë të kalohen disa ligje, sidomos ato që kanë bëjnë me avancimin e një të drejte të një populli tjetër që jeton në Maqedoni. Mirëpo, tensionet e së mërkurës ishin në radhën e provokimeve për ta penguar votimin e ligjit, por vendosmëria jonë, e deputetëve shqiptarë dhe përkrahje e partnerit të koalicionit, ishte shumë e rëndësishme në këtë proces. Pra, përfundimisht arritëm që ky ligj ta kalojë këtë fazë. Shpresoj shumë se në të ardhmen këso tensione të mos ketë, sepse ato nuk janë në të mirën e Maqedonisë, kur dihet se jemi në përpjekje e sipër për t’u përgatitur për çështjet integruese të saj.

“Epoka e re”: Kulmi i këtyre tensioneve ishte momenti kur ish-kryeministri Gruevski provokoi kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi, duke i shkuar tek ulësja. Si e keni parë këtë veprim të ish-kryeministrit?
Lika: Mund t’ju them se ishte një përpjekje e Gruevskit për ta përshkallëzuar tension. Nuk besoj se dikush prej deputetëve mund të marrë një guxim të tillë sa t’i prekë figurat e shquara shqiptare në këtë vend, sidomos ish-përfaqësues të UÇK-së. Ky ligj dhe shumë çështje të tjera që janë të hapura dhe të cilat janë arritur me përpjekje të vazhdueshme të shqiptarëve, duke përfshirë edhe konfliktin e vitit 2001. Pra, askush nuk mund të bëjë më shaka. Përsëri po themi se të gjithë duhet të reflektojnë dhe ta pranojnë realitetin që po ndodh tani në Maqedoni. Në fund të fundit, jemi në vitin 2018, pra 17 vjet pas konfliktit, dhe realizimi i të drejtave që dalin si rezultat i atij konflikti janë të detyrueshme të zbatohen.

“Epoka e re”: Edhe pas këtij votimi, presidenti i Maqedonisë nuk ka reflektuar, pasi ka dalë hapur kundër këtij ligji. Tashti si do të rrjedhë situata?
Lika: Deri më tani presidenti i shtetit nuk ka treguar vullnet të mirë për të bashkëpunuar për miratimin e këtij ligji. Ne nuk presim që ai të reflektojë. Ne vazhdimisht kemi bërë thirrje që institucionet e shtetit, duke përfshirë edhe presidentin, të reflektojnë mbi këtë ligj dhe ta japin kontributin për miratimin e këtij ligji, sepse kjo është një marrëveshje politike e cila është bërë më herët. Gjithashtu, është një normë kushtetuese e cila e detyron këtë shtet ta miratojë një ligj të tillë. Fatkeqësisht, deri më tani nuk e kemi parë këtë reflektim të presidentit të shtetit, por edhe të një pjese të partive opozitare. Megjithatë, ligji të mërkurën ka kaluar edhe fazën e tretë të votimit dhe në këtë e konsiderojmë si përfundim të këtij procesi, kurse tash presim që presidenti të reflektojë ndaj kësaj gjendje.

“Epoka e re”: Presidenti Ivanov ligjin e ka cilësuar antikushtetues. Çfarë ndodh nëse ai përsëri refuzon ta dekretojë?
Lika: Presidenti e ka pasur mundësinë ta bllokojë ligjin herën e parë kur nuk e ka dekretuar, prandaj edhe ligji është rikthyer në procedurë parlamentare. Ndërsa tani ligjin nuk mund ta bllokojë mosdekretimi nga ana e presidentit. Ivanovi është i detyruar që pas votimit të tretë ta dekretojë ligjin. Por, edhe nëse ai nuk e bën këtë, tashmë për fuqizimin e këtij ligji nuk është i detyrueshëm vendimi i presidentit. Kështu që, sipas infrastrukturës ligjore dhe kushtetuese, ai do të hyjë në fuqi. Tani për tani nuk ka ndonjë iniciativë për ta kontestuar kushtetushmërinë e këtij ligji. Ne edhe gjatë hartimi të këtij projektligji jemi përpjekur që mos të dalim jashtë Kushtetutës së vendit. Mendojmë se ky ligj është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Maqedonisë.

“Epoka e re”: Pra, ligji do të fuqizohet edhe pa dekretim të presidentit?
Lika: Po.

“Epoka e re”: Sa do të jetë sfidues zbatimi i këtij ligji?
Lika: Në kuadër të këtij ligji parashihet të themelohen dy institucione. Njeri institucion ka të bëjë me implementimin e ligjit, ku brenda tre muajve nga Ministria e Drejtësisë do të themelohet agjencia e cila do t’i marrë kompetencat adekuate për zbatimin e këtij ligji. Ndërkohë do të jetë edhe një institucion tjetër, inspektorati për mbarëvajtjen dhe mirëmbajtjen e këtij ligji. Ky inspektorat do të merret me ecurinë e ligjit nëpër institucione. Kjo është një nga sfidat më të mëdha që na pret tani e tutje. Gjatë procedurave nëpër institucione të nivelit më të ulët, siç janë komunat, nuk ka qenë e lehtë për ta implementuar përdorimin e gjuhës shqipe. Ndoshta do të kemi probleme, mirëpo kjo na takon neve të punojmë intensivisht dhe teknikisht më shumë për implementim të ligjit. Përndryshe, sipas ligjit, parashihen dënime shumë të larta për ata që nuk e respektojnë dhe nuk e trajtojnë siç duhet ligjin për gjuhët.

“Epoka e re”: Cili është vullneti i Qeverisë së Maqedonisë që të përballet me sfidat që dalin nga zbatimi i këtij ligji?
Lika: Sipas marrëveshjes së partnerëve të koalicionit qeverisës, kemi pajtim dhe vullnet të punohet intensivisht dhe të bashkëpunohet në zbatimin pikë për pikë të këtij ligji.

“Epoka e re”: Çfarë rëndësie do të ketë ky ligj për shqiptarët?
Lika: Ligji për gjuhët ka qenë një nevojë dhe e drejtë e patjetërsueshme për shqiptarët e Maqedonisë. Në këtë aspekt, ky ligj neve në bënë më vendimmarrës dhe kjo është një hapje e perspektivës për gjithë qytetarët e Maqedonisë. Sa më shpejt që të zgjidhen problemet ndërmjet komuniteteve që kanë të bëjnë me çështjet e të drejtave themelore, aq më mirë do të jetë për Maqedoninë që të zhvillohet dhe të ndërtojë një perspektivë më të sigurt. Për ne shqiptarët, ligji për gjuhën shqipe është një çështje shumë e rëndësishme dhe shumë motivuese. Ne kemi pasur nevojë për ta kthyer besimin në institucionet e shtetit, për ta ndërruar qasjen e shtetit ndaj shqiptarëve në përgjithësi dhe ndaj komuniteteve të tjera. Kështu që, miratimi i këtij ligji është një hap shumë i mirë për të forcuar dhe për të qenë më të vendosur në perspektivën e këtij vendi, ku shqiptarët janë një nga kontribuuesit kryesorë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk e ka miratuar rezolutën…