ATK: Përzgjedhja e punëdhënësit primar apo sekondar është obligim ligjor

27 shkurt 2018 | 14:29

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), ri-kujton të gjithë punëdhënësit, se janë të detyruar që në momentin e pagesës së pagës për të punësuarin, të mbajnë Tatimin në Burim në paga dhe Kontribute Pensionale, ashtu siç është përcaktuar në Legjislacionin Tatimor.

“Punëdhënësi përmes deklarimit të listës së pagesës mujore, në formatin elektronik të përcaktuar nga ATK, cakton se i punësuari ka përzgjedhur atë si punëdhënës primar apo jo. Punëdhënësi i zgjedhur primar nga i punësuari i tij, obligohet të mbaj tatimin në burim në paga sipas shkallëve të tatimit, si në tabelën e bashkangjitur, ndërsa punëdhënësi i zgjedhur sekondar nga i punësuari i tij, obligohet të mbaj tatimin në burim në paga me shkallën 10 për qind”, thuhet në njoftimin e ATK-së.

Sipas këtij njoftimi, aktivitetet e ATK-së, në vazhdimësi, do të përqendrohen pikërisht te personat, të cilët nuk janë duke përmbushur këtë detyrim ligjor. “Për punëdhënësit, të cilët nuk mbajnë tatimin në burim siç është përcaktuar me Ligj, ATK, do të ndërmarrë masat ndëshkuese sipas Legjislacionit Tatimor. Andaj, ATK u bënë thirrje të gjithë personave që të mbajnë tatimin në burim për pagesat që i bëjnë apo të korrigjojnë sa më parë deklaratat e tyre dhe të përmbushin të gjitha detyrimet tatimore të parapara me Legjislacionin Tatimor”, është thënë në njoftimin e ATK-së, duke u shtuar se me kryerjen e detyrimeve tatimore, kontribuoni direkt në financimin e programeve qeveritare siç janë: ofrimi i shërbimeve publike, arsimim me standarde të larta, mirëqenie shëndetësore dhe sociale, mbrojtje ligjore dhe siguri, si dhe infrastrukturë të përgjithshme për një mirëqenie më të mirë ekonomike dhe shoqërore.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të martën…