Ballkani Perëndimor, ka ardhur koha për të vepruar

07 maj 2018 | 10:45

Nga Aida Cama

“Ka ardhur koha për të vepruar në Ballkanin Perëndimor”, titullohet raporti që katër veteranë të diplomacisë amerikane prezantuan në Institutin Amerikan për Paqen, në Uashington

Titulli është alarmues. Edhe vendi është zgjedhur me qëllim. Instituti Amerikan i Paqes, USIP, ndodhet përballë Departamentit të Shtetit, pra është sikur t’u thuash zyrtarëve ulur në karriget e zyrave në anën tjetër të rrugës: hej, koha nuk pret sepse Ballkani Perëndimor është kthyer sërish në rajon me stanjacion dhe destabilitet për shkak të qeverisjes së dobët, ndikimeve nga jashtë dhe marrëdhënieve të tensionuara etnike e midis shteteve.
Raporti i shkruar për dy organizata amerikane të fokusuara në konfliktet ndërkombëtare, Institutin EastWest dhe Komitetin Nacional për Politikën e Jashtme amerikane, thekson nevojën imediate që Amerika dhe Bashkimi Evropian të veprojnë për të penguar destabilizimin dhe shpërthimin e mundshëm të dhunës në Ballkan.
Autorët Thomas Graham, Jonathan Levitsky, Cameron Munter, Frank G. Wisner mendojnë se ShBA dhe EU duhet të përmirësojnë strategjinë dhe të rigjallërojnë partneritetin.

Koha nuk pret

Ambasadori Wisner është i shqetësuar për situatën në rajon. Progresi ka ngecur, në disa raste situata është përkeqësuar. Njerëzit duhet të tregojnë më shumë kujdes për situatën aktuale, sepse koha nuk pret. “Mënyra se si duhet vepruar me situatën në Ballkanin perëndimor njihet prej ne të gjithëve: integrimi gradual në NATO dhe BE”. Ky vit është i rëndësishëm për Ballkanin me takimet e nivelit të lartë të BE-së, të NATO-s. Vendeve duhet t’u ofrohet një rrugë e besueshme dhe e arritshme e anëtarësimit në institucionet transatlantike. “Kjo rrugë nuk shihet ende”, thotë Wisner.
BE-ja mbetet primare, roli i Amerikës është ai i katalizatorit. Ballkani është pjesë e Evropës dhe një Evropë e lirë dhe e plotë përmban edhe Ballkanin.

Këmbim territoresh Kosovë – Serbi?

Nga salla u shtrua pyetja për idenë e këmbimit të territoreve Kosovë – Serbi. Ambasadori Wisner, pranon që kjo ide është hedhur prej presidentit serb. “Nuk kemi zgjidhje tjetër përveç se të japim përgjigje me kujdes. Ideja e këmbimit të territoreve është një ide, së cilës nuk i ka ardhur koha ende. Dhe unë nuk mendoj se do t’i vijë koha tani shpejt. Ka shumë çështje të tjera që duhen zgjidhur… Si për shembull Asociacioni i komunave serbe”. Për drejtorin e Institutit EastWest, Cameron Munter, “edhe marrëdhëniet ekonomike midis Kosovës dhe Serbisë luajnë një rol. Po ashtu krijimi i besimit social tek njerëzit”.

Shqipërinë nuk e përmendi askush në takim, as nga folësit, as nga publiku. Por raporti sugjeron se formula për Shqipërinë është nxitja e reformave. “Kandidate që më 2014-n për pranim në BE, Shqipëria ka pasur vështirësi në zbatimin e reformave për fillimin e negociatave. ShBA duhet ta inkurajojë Shqipërinë për të shfrytëzuar shansin e ofruar për hapjen e negociatave”, thuhet në atë raport.

Maqedonia me lajme të mira dhe jo të mira

Për Maqedoninë prioritet duhet të jetë pranimi në NATO dhe në BE. “Amerika duhet të shfrytëzojë ndikimin që ka në nivelet më të larta të Maqedonisë dhe Greqisë, për të theksuar rëndësinë e zgjidhjes së çështjes së emrit. Duke bërë bilancin e bisedimeve Maqedoni – Greqi, ambasadori Wisner numëron lajmet e mira dhe ato jo të mira: “Sot, numri i çështjeve që duhet të zgjidhen midis Shkupit dhe qeverisë greke, është ulur shumë. Atmosfera e dialogut midis palëve është shumë e ngrohtë. Kryeministrat dhe ministrat e të dy vendeve merren vesh mirë. Ekziston mundësia që të gjendet zgjidhja. Por, duhen javë, për të mos thënë muaj të tërë deri sa palët të kenë pranuar një zgjidhje politike, e cila duhet zbatuar më pas”.
Plani që kanë diplomatët është ta bindin presidentin Trump se “Ballkani është i rëndësishëm”. (DW)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vullkani “Kilauea” në Havai ka shkatërruar 26 shtëpi derisa ka…