“Bardhësitë e atdheut”, libër kapital për të gjithë shqiptarët

29 maj 2018 | 10:57

Bilall Maliqi, shkrimtar

Këndvështrim

Libri “Bardhësitë e atdheut”, i autorit Afrim Mustafa, është një enciklopedi e rrallë për të gjithë heronjtë e tri luftërave çlirimtare, me 3 000 dëshmorë të të gjitha krahinave të ndara padrejtësisht nga trungu i vetëm shqiptar, Shqipëria.

Ky libër kapital për autorin, por edhe për shqiptarët në përgjithësi, jep një pasqyrë reale, si dhe letërnjoftimin e të gjithë këtyre dëshmorëve të kombit, të cilët dhanë jetët e tyre për çlirim të tokave shqiptare.

Autori i librit ka bërë punë kolosale në përmbledhjen e të gjithë aktorëve të lirisë që t’i fusë brenda kopertinave të këtij libri me përmasa gjithëkombëtare, e cila do të mbetet pasuria më e madhe e shqiptarëve, sepse do t’i kenë të gjithë këto lule të lirisë në një libër, siç kanë qenë të betuar para flamurit për t’i çliruar të gjitha trojet e shkëputura shqiptare, për t’ia bashkuar nënës Shqipëri.

Gjithashtu, lexuesi këta heronj të kombit, të cilët ndryshuan historinë gjithëkombëtare për 90 shkallë, do t’i ketë parasysh në çdo kohë, sepse po këta ia fituan lirinë, që të gjithë ne të frymojmë, punojmë e të shkruajmë lirshëm, pa kurrfarë droje.

Këta heronj të prezantuar brenda kopertinave të librit voluminoz japin gjithë atë mesazh për të gjithë ata armiq të jashtëm dhe të brendshëm, se me atdheun nuk luhet dhe se është i shtrenjtë sa vetë jeta.
Kujtojmë se kjo vepër e gjallë me personazhe të gjalla, të cilët kanë vetëm datën e lindjes, është monument në vete, sepse në të janë 3 000 shtatore me 3 000 kurora lulesh, të cilat i japin hijeshi atdheut.

Këtë libër duhet ta ketë çdo familje shqiptare, çdo komunë, çdo bibliotekë, secila zyrë, sepse aty gjenden yjet e lirisë, tok me yllin e gjallë (autorin) që i tuboi të gjithë këta atdhetarë, pasardhës të trimave, e që me ta lavdërohemi ne, lavdërohet edhe historia jonë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, fillon projekti…