Bashota: Klina vazhdon të jetë bastion i PDK-së

01 nëntor 2017 | 12:33

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka bërë me dije se fitoren e bazon në qeverisjen e mirë gjatë këtyre dhjetë vjetëve. “Jo vetëm se do ta ruaj epërsinë e rezultatit, por do të fitoj bindshëm në zgjedhjet e 19 nëntorit. Qytetarët dinë ta vlerësojnë punën e mirë që është bërë në këta dhjetë vjet të qeverisjes sime dhe të PDK-së në Klinë. Kundërkandidati im asnjëherë nuk u ka ofruar asgjë qytetarëve të Klinës, madje është një person i panjohur për politikën në komunën tonë. Ai nuk garanton kurrfarë rezultati. Unë dhe PDK-ja kemi kontratë me qytetarët, prandaj më 19 nëntor qytetarët do të ma japin besimin për mandatin e katërt qeverisës”, është shprehur Bashota, duke shtuar se alternativa e vetme e zhvillimit dhe mirëqenies së qytetarëve të Komunës së Klinës është PDK-ja dhe ai si kandidat i saj për kryetar të komunës. “Alternativa e vetme e zhvillimit dhe mirëqenies së qytetarëve të Komunës së Klinës është PDK-ja dhe unë si kandidat i saj për kryetar të komunës. I gjithë angazhimi dhe puna ime ka qenë në interes të qytetarëve, kurse kundërkandidati im nuk e ka bërë as edhe një hap të vetëm nga i cili do të mund të përfitonin qytetarët e Klinës. Qytetarët tashmë e dinë se në qeverisjen time është ndryshuar pamja e qytetit”, ka theksuar Bashota.
Ai ka treguar se nuk do të ketë koalicione me partitë e tjera për raundin e dytë të zgjedhjeve pasi, sipas Bashotës, koalicionet e tilla nuk kanë funksionuar në të kaluarën. “Bashkimi i subjekteve politike rreth një partie apo kandidati në balotazh nuk ka funksionuar gati në asnjë komunë, as në Komunën e Klinës. Tani për tani kemi kontratë vetëm me qytetarët dhe vetëm me ta do të hyjmë në garë për ta fituar mandatin e katërt qeverisës. Nëse është e nevojshme, koalicionet do të mund t’i bëjmë pas verdiktit të qytetarëve. Mirëpo, unë pres që votuesit e partive që i kanë humbur zgjedhjet më 19 nëntor të bëhen pjesë e fitores sime dhe të PDK-së në Klinë”, ka thënë Bashota.
Ai ka premtuar se në mandatin e tij të katërt qeverisës qytetarët e Komunës së Klinës do të kenë më shumë zhvillim ekonomik, mirëqenie më të madhe, shërbime shëndetësore më të avancuara, arsim cilësor, si dhe infrastrukturë më të mirë rrugore. “Gjatë mandatit tim të katërt qeverisës një vëmendje më të fokusuar do ta kem tek shëndetësia, meqë tani Ministria e Shëndetësisë drejtohet nga PDK-ja dhe presim mbështetje më të madhe. Po ashtu, arsimi gjithmonë do të mbetet prioritet për komunën tonë, por tashmë ky sektor është në binarët e dëshiruar. Prioritet do të jetë edhe rregullimi i infrastrukturës rrugore në disa lagje dhe fshatra”, ka thënë Bashota.

“Epoka e re”: Z. Bashota, edhe pse në zgjedhjet lokale të 22 tetorit keni dalë kandidati më i votuar, me 37.07 për qind, megjithatë nuk keni mundur t’i merrni votat e mjaftueshme (mbi 50 për qind) për ta qeverisur Komunën e Klinës. A do të mund ta ruani epërsinë e këtij rezultati më 19 nëntor?
Bashota: Fillimisht dëshiroj t’i falënderoj qytetarët e Komunës së Klinës për qytetarinë e treguar në fushatën elektorale, pastaj për procesin zgjedhor të 22 tetorit. Në veçanti i falënderoj qytetarët që kanë votuar Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe mua për kryetar të komunës. Falë këtyre votuesve Klina vazhdon të jetë bastion i PDK-së. Në këto zgjedhje kemi rritje të PDK-së, e cila na siguron më tepër ulëse në asamblenë komunale. Më 22 tetor qytetarët e Klinës për të katërtën herë me radhë e kanë rikonfirmuar besimin ndaj meje dhe PDK-së. Rezultati përafërsisht ka qenë i pritshëm për faktin se kemi qenë numër i madh i kandidatëve në garën për postin e kryetarit të komunës, kurse në balotazh unë garoj me kandidatin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Zenun Elezaj, por më vjen shumë keq që në balotazh nuk është kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besim Hoti, sepse kjo parti në vazhdimësi ka qenë subjekt serioz në komunën tonë. Jo vetëm se do ta ruaj epërsinë e rezultatit, por do t’i fitoj bindshëm zgjedhjet e 19 nëntorit.

“Epoka e re”: Pse qytetarët e Klinës duhet t’ju votojnë?
Bashota: Qytetarët dinë ta vlerësojnë punën e mirë që është bërë në këta dhjetë vjet të qeverisjes sime dhe të PDK-së në Klinë. Ndërsa kundërkandidati im asnjëherë nuk u ka ofruar asgjë qytetarëve të Klinës, madje është një person i panjohur për politikën në komunën tonë, gjë që nuk i garanton kurrfarë rezultati. Unë dhe PDK-ja kemi kontratë me qytetarët, prandaj më 19 nëntor qytetarët do të ma japin besimin për mandatin e katërt qeverisës. Alternativa e vetme e zhvillimit dhe mirëqenies së qytetarëve të Komunës së Klinës është PDK-ja dhe unë si kandidat i saj për kryetar të komunës. I gjithë angazhimi dhe puna ime ka qenë në interes të qytetarëve, kurse kundërkandidati im nuk ka bërë as edhe një hap të vetëm nga i cili do të mund të përfitonin qytetarët e Klinës. Qytetarët tashmë e dinë se në qeverisjen time është ndryshuar pamja e qytetit.

“Epoka e re”: Jeni në negociata për koalicione eventuale me ndonjërën prej partive, LDK-në, Vetëvendosjen, Nismën dhe AKR-në?
Bashota: Bashkimi i subjekteve politike rreth një partie apo kandidati në balotazh nuk ka funksionuar gati në asnjë komunë dhe as në Komunën e Klinës. Tani për tani kemi kontratë vetëm me qytetarët dhe vetëm me qytetarët do të hyjmë në garë për ta fituar mandatin e katërt qeverisës. Nëse është e nevojshme, koalicionet do të mund t’i bëjmë pas verdiktit të qytetarëve. Mirëpo unë pres që votuesit e partive që i kanë humbur zgjedhjet më 19 nëntor të bëhen pjesë e fitores sime dhe të PDK-së në Klinë.

“Epoka e re”: Pra, prisni mbështetje edhe nga elektorati i partive të tjera?
Bashota: Përderisa gjatë këtyre dhjetë vjetëve të qeverisjes time në Klinë nuk i kam ndarë qytetarët në baza partiake, besoj se në balotazh do ta kem mbështetjen e shumicës së qytetarëve. Pres që votuesit e partive të tjera të zhveshën nga petku partiak i subjektit për të më votuar mua, sepse kam punuar për interesin e të gjithë qytetarëve pa dallim partie. Në këtë rast, besoj fuqishëm se qytetarët do të dinë të zgjedhin dhe ta vlerësojnë punën dhe angazhimin tim, sepse këtë e kanë bërë edhe në tri palë zgjedhjet e kaluara. Në balotazh qytetarët që më votojnë mua nuk do të thotë se heqin dorë nga subjekti i tyre politik, por bëhen pjesë e fitores së radhës.

“Epoka e re”: Çfarë do të përfitojnë qytetarët e Klinës me rizgjedhjen tuaj në krye të komunës?
Bashota: Jam i njohur si kryetari që ka absorbuar investime të shumta, disa herë më shumë se sa mundësitë buxhetore që i ka Komuna e Klinës dhe si të tillë qytetarët edhe më votojnë. Qytetarët gjatë këtij mandati do të përfitojnë zhvillim ekonomik, mirëqenie më të mirë, rregullim të infrastrukturës e cila është e nevojshme dhe e domosdoshme, shtrirje të rrjetit të ujësjellësit në të gjitha fshatrat e komunës, trajtim të ujërave të zeza si dhe investime në bujqësisë dhe përkrahje për fermerët. Dihet se pjesa dërrmuese e qytetarëve të Klinës ekonomi të vetme kanë marrjen me bujqësi. Gjithashtu, do t’i mbështesim kulturën, sportin, rininë dhe gratë të cilat janë pjesë e programit ekonomik të PDK-së në nivel vendi. Zotohem se do t’i realizoj me përpikëri të gjitha premtimet që i kam dhënë gjatë fushatës zgjedhore. Qytetarët e dinë se, nëse premtoj diçka, e realizoj.

“Epoka e re”: Cili do të jetë prioriteti kryesor gjatë mandatit tuaj të katërt qeverisës?
Bashota: Gjatë mandatit tim të katërt qeverisës vëmendjen më të madhe do ta kem tek shëndetësia. Tani Ministria e Shëndetësisë drejtohet nga PDK-ja dhe presim mbështetje më të madhe nga ajo. Deri më tani Ministria e Shëndetësisë nuk na ka përkrahur në asnjë projekt. Megjithatë, në Komunën e Klinës janë kryer shërbime shëndetësore sepse kemi mjekë dhe personel mjaft të përgjegjshëm dhe profesional. Tashmë veç janë dhënë rezultatet e para nga ministri i ri i Shëndetësisë, i cili ka sjell një autoambulancë të re për Komunën e Klinës. Po ashtu, arsimi gjithmonë do të mbetet prioritet për komunën tonë. Ky sektor tashmë është në binarët e dëshiruar. Prioritet do të jetë edhe rregullimi i infrastrukturës rrugore nëpër disa lagje dhe fshatra.

(Shqipe HETEMI)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Bajram Hasani, në këtë…