Beqaj: Do ta përkrahim çdo ide konkrete inovative

09 mars 2018 | 13:38

Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ka qëndruar sot në Ferizaj, ku se bashku me kryetarin e kësaj komune, Agim Aliu, kanë vizituar hapësirën e destinuar nga komuna për Qendrën e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë.

Me këtë rast, Beqaj, ka deklaruar se Qendra e Inovacionit në Ferizaj do ta përkrah çdo ide konkrete inovative. “Qendra e Inovacionit në Ferizaj ka për synim që t’i trajtojë të gjitha idetë inovative, prej fazës së parainkubimit, deri në fazën e avancimit të tyre. Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë ka fonde të pamjaftueshme edhe për ta rinovuar edhe për ta pajisur këtë qendër. Në bashkëpunim me komunën do të përkrahim edhe ide konkrete inovative”, ka thënë Beqaj..

Ndërsa, kryetari i komunës së Ferizajt, Agim Aliu është shprehur falënderues për vizitën e ministrit Beqaj dhe për interesimin për të realizuar projekte të përbashkëta. “Sot jemi pikërisht në vendin ku ne si komunë kemi vendosur që kati i parë i ish-Qendrës së Kulturës, tashmë do të shndërrohet në Qendrën e Inovacionit dhe Teknologjisë. Ka hapësira të mjaftueshme pikërisht për t’u funksionalizuar kjo Qendër e Inovacionit. Ne si komunë do të përmbushim në afat sa më të shpejtë obligimet që kanë të bëjnë me hapjen e kësaj qendre”, ka deklaruar Aliu.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ikona e KB Peja, Valdet Grapci i është rikthyer basketbollit…