Berisha: FSK-ja e gatshme për t’u transformuar në Forca të Armatosura të Kosovës

12 shkurt 2018 | 16:37

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, ka bërë me dije se FSK-ja është e gatshme të transformohet në Forca të Armatosura të Kosovës.

“FSK-ja është në shërbim të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Kemi shumë të arritura dhe presim shumë shpejt që të kalojmë në fazën tjetër, në FAK. Kemi bashkëpunim të mirë me ndërkombëtarët dhe qysh tash jemi të gatshëm të kalojmë në fazën vijuese të transformimit”, ka thënë ministri Berisha gjatë vizitës së tij në komunën e Klinës, ku është pritur nga kryetari Zenun Elezaj.

Ministri Berisha është shprehur i gatshëm për ta ndihmuar Klinën në ndonjë projekt duke u bazuar në kapacitetet që ka FSK-ja.

Në anën tjetër, kryetari i komunës së Klinës, Zenun Elezaj, e ka njoftuar ministrin, se qysh nga konstituimi i organeve komunale kanë filluar të punojmë për realizimin e kërkesave të qytetarëve.

Ai ka pohuar se fokusi kryesor i qeverisjes lokale është sigurimi i ujit të pijshëm në zonat urbane dhe rurale, si dhe trajtimi i ujërave të zeza.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni i Garave ka vendosur që shorti për rrethin e…