Berisha: Specialja është e rrezikshme për Kosovën

17 Janar 14:50

Deputeti i Nismës për Kosovën, Zafir Berisha, ka thënë të martën se Gjykata Speciale është e rrezikshme për Kosovën dhe Kuvendi duhet ta shfuqizojë.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka bërë me dije se Nisma ka qenë dhe vazhdon të jetë kundër kësaj gjykate.

“Qysh në fillim Nisma për Kosovën ka qenë kundër Gjykatës Speciale, pra atëherë kur një pjesë e madhe ka qenë për. Qëndrimi ynë vazhdon të jetë i njëjtë edhe tash. Qëndrimi ynë kundër kësaj gjykate nuk është ndonjë zbulim epokal. Kjo gjykatë është më tepër se e dëmshme për Kosovën. Një gjë e di se Zafir Berisha dhe Nisma për Kosovën janë kundër Gjykatës Speciale”, është shprehur Berisha, duke shtuar se Specialja është themeluar mbi baza etnike dhe do ta gjykojë luftën e drejtë të UÇK-së.

Berisha ka deklaruar se miratimi i Ligjit për shfuqizimin e Gjykatës Speciale nuk e rrezikon shtetësinë e Kosovës dhe raportet e saj me vendet mike. “Çfarë të rrezikuari, bre! Kjo është tallje.

Gjykata Speciale është barazim i luftës çlirimtare me luftën e okupatorit serb të kryer në Kosovë. Fajtori i vetëm, fajtori i parë dhe i fundit, është Hashim Thaçi. Të gjithë ata që do të arrestohen nga Gjykata Speciale duhet të shkojnë të lypin llogari te Thaçi, sepse çështjen e kësaj gjykate ai e ka bërë çështje të pazareve të politikës së vet ditore”, ka theksuar ai.

Po ashtu, Berisha ka thënë se shfuqizimi i kësaj gjykate nuk do të sjellë kurrfarë destabilizimi në Kosovë.

Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që Gjykata Speciale të jetë shkaktari i prishjes së koalicionit qeverisës. “Flaka i daltë! Inshallah në pranverë nuk mbërrin ky koalicion. Gjykata Speciale është e dëmshme”, ka deklaruar Berisha.

Në këtë intervistë deputeti i Nismës ka folur edhe për çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, duke thënë se ky version nuk ka shanse të ratifikohet në Kuvend. Sipas Berishës, për Specialen dhe demarkacionin, fajtor kryesor është Hashim Thaçi. Ai ka vlerësuar se Kosova është buzë falimentimit si shtet i ri.

“Epoka e re”: Z. Berisha, është paralajmëruar se sot (e mërkurë) në kryesi të Kuvendit të Kosovës pikë e rendit të ditës do të jetë Ligji për shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Nisma për Kosovën në vazhdimësi është shprehur kundër kësaj gjykate. Ka ndryshuar ky qëndrim?
Berisha: Qysh në fillim Nisma për Kosovën ka qenë kundër Gjykatës Speciale, pra atëherë kur një pjesë e madhe kanë qenë për. Qëndrimi ynë vazhdon të jetë i njëjtë edhe tash. Qëndrimi ynë kundër kësaj gjykate nuk është ndonjë zbulim epokal. Kjo gjykatë është më tepër se e dëmshme për Kosovën.

 “Epoka e re”: Kuvendi do të mund ta shfuqizojë këtë gjykatë?
Berisha: Këtë nuk e di. Mirëpo, një gjë e di, se Zafir Berisha dhe Nisma për Kosovën janë kundër Gjykatës Speciale.

 “Epoka e re”: Por iniciativa për shfuqizimin e Speciales është përcjell me reagime të ashpra nga faktori ndërkombëtar.
Berisha: Ka pasur reagime për ata të cilët një herë kanë qenë për dhe tash kanë dalë kundër. Por, për ne ndërkombëtarët e kanë ditur dhe e dinë se jemi kundër.

 “Epoka e re”: Me këtë iniciativë po rrezikohen raportet e Kosovës me partnerët strategjikë?
Berisha: Nuk e di. Por e di se Gjykata Speciale është tepër e rrezikshme për Kosovën. Unë jam për ta shfuqizuar këtë gjykatë, sepse kam qenë kundër dhe vazhdoj të jem kundër saj.

 “Epoka e re”: Mund të rrezikohet shtetësia e Kosovës me shfuqizimin e Speciales ashtu siç kanë thënë miqtë ndërkombëtarë?
Berisha: Çfarë të rrezikuari, bre! Kjo është tallje. Gjykata Speciale është barazim i luftës çlirimtare me luftën e okupatorit serb të kryer në Kosovë. Fajtori i vetëm, fajtori i parë dhe i fundit, është Hashim Thaçi. Të gjithë ata që do të arrestohen nga Gjykata Speciale duhet të shkojnë të lypin llogari te Thaçi, sepse çështjen e kësaj gjykate ai e ka bërë çështje të pazareve të politikës së vet ditore.

 “Epoka e re”: Z. Thaçi dhe të tjerët më herët patën deklaruar se kjo gjykatë do ta pastrojë luftën e UÇK-së.
Berisha: Nëse Hashim Thaçi është i papastër lë të shkojë të pastrohet. Përndryshe, lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e pastër. Të tjerat janë pallavra.

 “Epoka e re”: Deputetët të cilët kanë nënshkruar iniciativën për zhbërjen e kësaj gjykate do t’u qëndrojnë besnikë nënshkrimeve të tyre deri në fund, sepse është raportuar se disa deputetë tashmë i kanë tërhequr nënshkrimet e tyre?
Berisha: Unë e kam dhënë nënshkrimin për iniciativën e zhbërjes së Gjykatës Speciale dhe në momentin që vjen në Kuvendin e Kosovës unë do të votoj për shfuqizimin e kësaj gjykate.

“Epoka e re”: Mund të sjellë destabilizim shfuqizimi i Speciales?
Berisha: Shfuqizimi i Gjykatës Speciale nuk mund të sjellë kurrfarë destabilizimi në Kosovë.

 “Epoka e re”: Nuk mendoni se është e vonuar iniciativa për zhbërjen e kësaj gjykate, dy vjet pas miratimit të saj?
Berisha: Në fakt, ligji për këtë gjykatë nuk është dashur të miratohet fare. Përgjegjës për këtë janë ata që e kanë miratuar këtë ligj. Prandaj ata duhen pyetur pse tash kanë ndryshuar qëndrim?

 “Epoka e re”: Duke pasur parasysh se brenda koalicionit qeverisës, pjesë e të cilit jeni edhe ju, ka qëndrime për dhe kundër shfuqizimit të Speciales, kjo çështje mund të ndikojë edhe në prishjen e koalicionit?
Berisha: Flaka i daltë! Inshallah në pranverë nuk mbërrin ky koalicion. Gjykata Speciale është e dëmshme. Me themelimin e kësaj gjykate është dëmtuar Kosova. Me primitivizmin e deputetëve vasalë dhe pa kurrizorë, Kosova është bërë pjesë e përfoljeve ndërkombëtare, duke i varur në qafë një gjykatë mbi baza etnike, ku do të gjykohet lufta e drejtë e UÇK-së. Do të thotë, Kosova qysh para dy vjetëve është dëmtuar me këtë gjykatë.

“Epoka e re”: Përveç Speciales, këto ditë Kuvendi i Kosovës pritet të merret edhe me çështjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Do të mund të kalohet ky version?
Berisha: Nuk ka shanse të kalojë versioni aktual i demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Në fakt, vetëm pritet që demarkacioni të vijë në seancë të Kuvendit dhe të votohet kundër tij, në mënyrë që të krijohen rrethana të reja për demarkacionin me Malin e Zi.

“Epoka e re”: Nisma vazhdon ta ketë qëndrimin e njëjtë për demarkacionin?
Berisha: Po, sigurisht.

 “Epoka e re”: Që do të thotë se vota juaj dhe e deputetëve të tjerë të Nismës do të jetë kundër këtij versioni të demarkacionit?
Berisha: Po. Vota jonë është kundër. Edhe me këtë çështje ka pasur lojëra politike dhe ata që i kanë bërë këto lojëra duhet të japin llogari. Përndryshe, qysh në legjislaturën e kaluar, kur jam bindur se Kosova humbet mbi 8 000 hektarë tokë, kam qenë kundër dhe do të mbetem kundër. Madje tashmë jam bindur edhe më shumë për këtë çështje. Në momentin që vjen në Kuvend kjo çështje dhe nuk i ka 80 vota, versioni aktual është i rrëzuar. Prandaj mendoj se në momentin që marrëveshja për demarkacionin e nënshkruar nga Hashim Thaçi, i cili është përgjegjës për dëmet që iu kanë bërë Kosovës në dhjetë vjetët e fundit, Kuvendi duhet të nxjerrë një rezolutë me të cilën duhet njoftuar Malin e Zi se Komisioni i Kosovës që ka bërë këtë version ka qenë joprofesional dhe jashtë kompetencave të veta. Dhe këtë çështje Mali i Zi duhet ta ketë në konsideratë. Hashim Thaçi nuk është fajtor vetëm për Gjykatën Speciale dhe për demarkacionin me Malin e Zi, por është fajtor edhe për 100 mijë probleme të tjera që i ka Kosova. Republika e Kosovës është buzë falimentimit si shtet i ri.

Shqipe HETEMI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të fundit
Kryetari i komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ka pritur të…