Berisha thotë se ndërrimi i ambasadorëve nuk është punë e lehtë, siç po e bën shefi i tij

03 Shkurt 13:50

 

Para disa ditëve, ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, tha që 22 ambasadorë të Kosovës në vendet tjera do të zëvendësohem me ambasadorë të rinj, dhe se një vendim i tillë është marrë për shkak që ai nuk është njoftuar në Ministrinë e Jashtme me stafin diplomatik dhe nuk ka kohë të merret me këtë çështje.

Mirëpo, zëvendësministri i kësaj ministrie, Anton Berisha, nuk mendon që kjo punë është aq e lehtë, që vetëm me disa deklarata të ndërrohen diplomatët.

Berisha, ka thënë për lajmi.net se kjo procedurë është e rregulluar me ligj dhe duhet të shkojë nëpër tre hallka për të hyrë në fuqi, shkruan lajmi.net.

“Procedura e ndërrimit te ambasadorëve është e rregulluar me ligj dhe nuk është revolucion, Ministria e Jashtme jep vlerësimin  për këtë gjë, ajo shkon në Qeveri, dhe Presidenti është hallka e tretë, vetëm kur harmonizohen këto tria mund të ndodhin ndryshime , presim që misionet diplomatike të shkojnë sipas procedurës .” tha Berisha.
Berisha shtoi se çështja e emërimeve të ambasadorëve nuk është vetëm çështje vetëm e Kosovës, pasi që sipas tij ata duhet të konsultohen edhe me shtetet përkatëse ku emërohen ata ambasadorë.
“Sipas normave diplomatike  ne duhet të  konsultohemi  edhe me shtetet ku i kemi ambasadorët, nuk është vetëm çështje e jona, kjo do të shkojë sipas procedurave dhe do të zgjasë një periudhë të caktuar, pra, nuk do të ndodhë menjëherë, nga këndvështrimi i ambasadorit ka një varg procedurash që duhet të plotësohen për të ndodhë ai ndryshim” shtoi Berisha.
Berisha shtoi se nuk është një deklaratë e ministrit apo kryeministrit që mund të bëjnë një gjë të tillë sepse kjo çështje kërkon procedurë të gjatë.
“Duhet të merren parasysh procedurat dhe rregullat, nuk është një deklarim i ministrit apo kryeministrit apo  edhe presidentit që mund të bëjë një gjë të tillë, shembull kemi me Çekinë raporte njohjeje por meqenëse Presidenti i tyre ka qëndrim ndryshe, nuk kemi ambasador atje,  kemi vetëm të ngarkuar me punë, as atje nuk vendos vetëm Qeveria, por kjo e fundit bashkë me Presidencën” deklaroi Berisha.
Berisha pret që ky proces të depolitizohet dhe të jetë një proces më normal se sa që është “bombastik” .
Po ashtu ai theksoi se do të shkohet me diplomatët e karrierës më shumë se sa me diplomatët politikë në këto vende, ngase sipas tij Qeveritë vijnë e shkojnë, mirëpo diplomacitë mbesin.
“Pres që të jetë më shumë një proces më normal sesa duke parë që është bombastik ,  të shkohet më shumë me diplomatët e karrierës sepse Qeveritë vijnë e shkojnë, ndërsa diplomacitë mbesin. Vendimi që ta dërgojmë një ambasador në një shtet është çështje edhe e shtetit tjetër  si dhe respektit për atë vend, sa më shumë që arrihet të depolitizohet ky proces aq më mirë është për ne” përfundoi Berisha.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të fundit
“Rruga e tre heronjve, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond…