Besa rikthehet fuqishëm

19 Janar 13:58

KF Besa i ka filluar përgatitjet për sezonin pranveror me shumë risi. Përveç kryetarit të ri, klubi pejan i ka rikthyer në krye të shtabit teknik edhe Valdet Shoshin, Haxhi Zekën, Ilir Nallbanin dhe Valmir Bytyqin.

Skuadra e Besës është rikthyer fuqishëm pas pushimit dimëror. Fillimisht në krye të kësaj skuadre u emërua kryetari i ri, Mustafë Nila, më pas në krye të shtabit teknik i ka rikthyer Valdet Shoshin dhe tri legjendat e klubit: Haxhi Zekën, Ilir Nallbanin dhe Valmir Bytyqin. Lajmin e rikthimit të tyre për “Epokën e re” e ka konfirmuar Haxhi Zeka.

“Po, së bashku me Valdetin, Ilirin dhe Valmirin jemi rikthyer te Besa. E kemi mbajtur edhe stërvitjen e parë. Klubi është riorganizuar dhe tash na mbetet të punojmë për t’i arritur objektivat në sezonin pranveror. Pagat janë siguruar për pesë muaj dhe ky është një motiv edhe më i madh për punë”, ka thënë Zeka, i cili ka konfirmuar edhe rikthimin e Florent Papuqit dhe shumicës së futbollistëve. “Në skuadër është rikthyer edhe Papuqi dhe shumica e lojtarëve të tjerë. Ende mbetet e paqartë e ardhmja e Altin Merlakut, i cili ka kaluar në skuadrën e Llapit, por për këtë ende nuk dihet se a ka të drejtë apo jo”, ka deklaruar ai.

Valdet Shoshi së bashku me Haxhi Zekën, Ilir Nallbanin dhe Valmir Bytyqin ishin në krye të skuadrës pejane dhe në fillim të këtij kampionati por, pas problemeve financiare, ata vendosën që bashkërisht të largohen nga klubi.

Gjeraj, transferimi i parë

Transferimi i parë i Besës së Pejës në këtë afat kalimtar është Robert Gjeraj, i cili në vjeshtë mbrojti ngjyrat e Lirisë, por nga kjo skuadër u largua për shkak të mosmarrëveshjeve me trajnerin Bledi Shkëmbi. Gjeraj ishte pjesë e skuadrës së Besës edhe në të kaluarën, kurse të enjten mbrojtësi në fjalë ishte në stërvitje, ku u prezantua edhe shtabi teknik. “Po në stërvitje ka qenë edhe Gjeraj, një lojtar me përvojë të madhe, i cili do të jetë i mirëseardhur për klubin e Besës”, ka thënë ndihmëstrajneri Haxhi Zeka.
Skuadra e Besës, që njihet si ndër më të fortat në futbollin e pasluftës në Kosovë, edicionin vjeshtor e mbylli në pozitën e dhjetë me 13 pikë të grumbulluara.

(Veton ZYMBERI)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të fundit
Një virus “Text Bomb”, ka kapluar kompaninë “Apple” , i…