Beteja Apple-Samsung nuk ka fund

14 maj 2018 | 23:12

Betejat ligjore në lidhje me të drejtat e autorit mes Apple dhe Samsung nuk kanë fund.

Dy kompanitë më të mëdha në fushën e telefonave inteligjentë, përballen në serinë e tretë për një set prej pesë patentash.

Bëhet fjalë për një proces që ka nisur prej vitesh, e që Apple e fitoi në 2012, duke detyruar Samsung që të paguajë 1.05 miliardë dollarë si dëmshpërblim për kompaninë amerikane.

Shuma u reduktua në 400 milionë pas apelimit të kompanisë koreano-jugore, që nuk u dorëzua me kaq, por vendosi që ta dërgojë çështjen në Gjykatën Supreme të Shteteve të Bashkuara.

Kjo e fundit duhet të vendosë nëse mënyra dhe metoda e përdorur për të përllogaritur dëmet që i janë shkaktuar Apple qëndrojnë apo jo.

Por edhe në këtë gjykatë procesi nuk është i thjeshtë. Pas seancës së parë dëgjimore, palët kërkuan një tjetër të tillë me pretendimin se kanë prova të reja, që u japin të drejtë, transmeton tch.

Gjykatësja Lucy Koh, që ishte anëtare në gjykimin fillestar deklaroi se ka ndërmend që të aplikojë rregullin e famshëm “Groundhog Day”, si referencë e filmit të vitit 1993, ku procesi përsërit vetveten duke u ndaluar kompanive paraqitjen e provave të reja.

Kjo do të thotë se gjykatësit do t’i qëndrojnë vendimit të parë, që Samsung kopjoi tri patenta dizajni të iPhonet dhe dy patenta të tjera në sistemin e kamerës.

Por, kjo nuk do të thotë se si shpërblim ndaj Applet do të jetë e njëjta shumë, pasi mund të vendoset për një shifër më të vogël, nëse përllogaritet dëmi real që Samsung pretendon se nuk ekziston.

As Apple dhe as Samsung nuk kanë komentuar në lidhje me këtë deri më tani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nisma Socialdemokrate në një takim me strukturat në Viti ka…