Bilall Sherifi: Kurdo që mbahen zgjedhjet, Nisma do të dalë edhe më e fortë

14 maj 2018 | 22:59

Nisma Socialdemokrate, dega në Viti, ka mbajtur një takim me strukturat e saj.

Në këtë takim është formalizuar Grupi Koordinues i Nismës Socialdemokrate për këtë qytet.

I pranishëm në këtë tubim nga qendra ishte sekretari dhe shefi i grupit parlamentar të Nismës, Bilall Sherifi.

Ai tha se pas zgjedhjeve lokale u shtrua nevoja për t’i nisur kuvendet e punës pasi shumë të rinj duan të bëhen pjesë e Nismës.

Sherifi ka thënë se Nisma i ka hapur dyert për të gjithë ata që mund ta japin kontributin e tyre pa paragjykuar se ku kanë qenë më herët.

Sherifi thotë se Nisma do që politikës t’i japë një karakter më human.

“Jemi sot në Viti për ta formalizuar Grupin Koordinues. Presim që ky grup ta shtrijë aktivitetin në të gjitha fshatrat dhe lagjet e Vitisë. Dega e Vitisë ka pasur disa ulje-ngritje. Nisma jo vetëm se nuk është shkrirë, por ajo është fuqizuar edhe më shumë”, ka thënë Sherifi të hënën në Viti.

Më tutje ai është shprehur i bindur se kurdo që mbahen zgjedhjet, Nisma do të dalë edhe më e fortë.

Nisma Socialdemokrate, sipas tij, angazhohet për krijimin e perspektivës së të rinjve.

Sherifi thotë se Nisma po rritet dhe po fuqizohet, e me këtë do të forcohen Vitia dhe Kosova.

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, ka thënë se fryma e Nismës Socialdemokrate po zgjerohet çdo ditë e më shumë.

“Ne po japim shembull se si qeveriset si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal. Rritja e Nismës po ndodh për shkak të punës së mirë që po bëhet në nivel qendror. Ne e kemi ulur kokën dhe po punojmë dhe kjo më së shumti u është dashur qytetarëve të Kosovës. Politikat e Nismës Socialdemokrate këtë e kërkojnë”, ka thënë Bytyqi.

Ai shton se qytetarët e Kosovës kanë nevojë më së shumti për politikat socialdemokrate të Nismës.

Ndërsa ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, ka thënë se Nisma në Viti do të shtrihet fuqishëm dhe se do të jetë një forcë politike serioze.

Hasani ka shtuar se Nisma ka dëshmuar se është parti me parime dhe konsistente në qëndrimet e saj.
Nisma në qeveri, sipas tij, po e kryen një punë mjaft të mirë.

Koordinatori i Nismës për Viti, Kastriot Sylejmani, ka thënë se Nisma Socialdemokrate që prej themelimit ka dëshmuar se interesin e shtetit e ka në rend të parë.

“Nisma në qeveri po jep shembull se si punohet në shërbim të qytetarëve dhe në të mirë të vendit. Rrugëtimi ynë ka për qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve. Nisma Socialdemokrate ka pasur shtrirje në komunën tonë, dhe pavarësisht sfidave ajo ka arritur të jetë afër qytetarëve dhe elektoratit të vet. Si koordinator i degës bashkë me ekipin punues do të angazhohem që Nisma të jetë faktor në nivel lokal dhe atë qendror”, ka thënë Sylejmani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtori i deritashëm ekzekutiv i organizatës joqeveritare FOL, Petrit Zogaj,…