Biraj: Rezultatet në Ligën Ballkanike, historike

17 prill 2018 | 10:39

Bashkimi humbi në finale të Ligës Ballkanike nga skuadra e Levskit, por Qëndrim Biraj është i kënaqur me arritjet në këtë garë nga skuadra prizrenase. “Vetëm fakti se kemi arritur deri në ‘Final Four’ për neve si ekip realisht ka qenë një sukses i madh”, ka thënë Qëndrim Biraj për “Epokën e re”

Kapiteni i KB Bashkimi, Qëndrim Biraj, është i kënaqur me suksesin e arritur nga skuadra prizrenase në Ligën Ballkanike. Bashkimi në finale u mposhtë nga Levski, por Biraj e vlerëson pozitive aventurën e skuadrës nga Kosova në këtë garë mjaft prestigjioze.

“Vetëm fakti se kemi arritur deri në ‘Final Four’ për neve si ekip realisht ka qenë sukses i madh. Në gjysmëfinale e kemi pasur përballë ekipin më të mirë të pjesës së rregullt të BIBL-it, njëherësh dhe organizatorin e kësaj ngjarje. Në këtë takim jemi llogaritur autsajderë, por ndodhi e kundërta falë një paraqitje fenomenale që patëm duke dhenë gjithçka nga vetja dhe duke luftuar e besuar deri në fund në fitore ku dhe e arritëm një gjë të tillë”, ka thënë Biraj për “Epokën e re”, duke shtuar se: “Në finale realisht ishim të harxhuar dhe nuk e patëm energjinë dhe forcën për ta përsëritur të njëjtën lojë. Këtë gjendje ekipi i Levskit e shfrytëzoj më së miri dhe arriti të triumfojë”.

Për ndeshjen finale ka folur edhe trajneri i Bashkimit, Dragan Radoviq, i cili është më meritori për arritjen deri në finale. “Mendoj se nuk kishim forcë dhe energji të mjaftueshme për të bërë një tjetër befasi. Është vështirë të luash në ndeshje të vështira brenda dy ditësh me një rotacion të shkurtër. Besoj se e kemi dhënë maksimumin dhe nuk mund t’i fajësosh lojtarët për asgjë. I uroj ata për paraqitjen, për luftën që bënë dhe për rezultatin e arritur. Po ashtu, e uroj Levskin për fitimin e titullit. Mund të them se jam i lumtur me atë që ka treguar skuadra në dy muajt e fundit gjatë ndeshjeve dhe gjatë seancave stërvitore”, ka thënë Radoviqi.

(Veton ZYMBERI)

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Televizioni shtetëror i Sirisë ka raportuar se mbrojtja ajrore e…