Bitcoin ka bërë debutimin në bursë

13 dhjetor 2017 | 11:36

Bitcoin kaloi testin e parë në Wall Street. Valuta digjitale më e madhe dhe më e famshme në glob bëri debutimin në bursa përmes kontratave të së ardhmes, apo siç njihen në botën e financave “futures”, të tregtuara në Bursën e Çikagos.

Çmimi i një kontrate bitcoin ka shkuar nga 15 mijë e 500 dollarë në mbi 17 mijë e 800 dollarë, një rritje gati me më shumë se njëzet pikë përqindjeje. Në pak minuta Chicago Board Options Exchange u bllokua nga mbingarkesa.

“Futures” janë kontrata ku një blerës dhe një shitës bien dakord për çmimin që produkti do të marrë në të ardhmen, ka për të gjitha llojet e lëndëve të para. Duke blerë një “futures” vihet bast mbi ecurinë e produktit dhe në këtë rast investitorët bëjnë një parashikim se sa do të jetë vlera e bitcoin pas disa kohësh.

Por çfarë është një Bitcoin?

Bitcoin është një monedhë digjitale, e gjeneruar përmes një algoritmi kompjuterik, nuk ekziston fizikisht, dhe nuk ka asnjë autoritet qeverisës apo Bankë Qendrore që rregullon funksionimin e bitcoin-it. Përmes një sistemi të sofistikuar vlera e Bitcoin është përcaktuar nga kërkesë-oferta në llogaritë që mund të hapen në internet, pra praktikisht një treg i parregulluar.

Që nga emetimi i parë në rrjet në vitin 2009 e deri disa vite më pas, me 1 dollarë mund të blije më shumë se 3 bitcoin. Koha kaloi dhe kjo monedhë digjitale tërhoqi pas vetes mjaft persona që i besuan, si alternativë për të investuar paratë, njësoj sikur të blinin ar apo valutat të tjera reale. Kthesa më e madhe këtë vit, kur vlera e bitcoin është rritur me më shumë se 1600 %.

Por skepticizmi është i madh. Jamie Dimon, drejtor i JP Morgan, e ka quajtur bitcoin-in “një mashtrim të madh, një flluskë të madhe. Edhe çmimi Nobel në ekonomi Joseph Stiglitz, thotë se bitcoin është një flluske. Kurse Lloyd Blankfein drejtor i Goldman Sachs thotë ende nuk e ka një qëndrim të prerë për këtë çështje.

Rritja e Bitcoin ka tërhequr pas edhe rritjen e monedhave të tjera dixhitale. Duke shfrytëzuar këtë sukses në internet po lulëzon një produkt i ri financiar, të ashtuquajturat ICO, emetimi fillestar te monedhave virtuale.

Këto instrumente thithin fonde, para konkrete apo dhe valute digjitale, kundrejt ofertave për t’u pasuruar në një kohë të shkurtër. Ky është një treg krejtësisht jashtë çdo kontrolli dhe autoriteti i mbikëqyrjes financiare ashtu si institucionet homologe ndërkombëtare bëjnë thirrje për kujdes, pasi kushdo mund të bjerë viktimë e skemave të tilla. Frika është se ky mekanizëm jashtë çdo kontrolli mund të kthehet në një skeme piramidale dhe me marrjen e parave ofruesi mund të zhduket pa gjurmë. (tch)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike dhe Grupi për Studime…