Bizneset e Kosovës nuk lejohen në panairet e Serbisë me flamur të Kosovës

21 prill 2018 | 12:26

Bizneset kosovare nuk lejohet të marrin pjesë me flamurin e Kosovës në panairet që mbahen në Serbi, ndërsa 70 bizneset e Serbisë në panairin ndërkombëtarë që po mbahet në Prishtinë kanë marrë pjesë me flamurin e Serbisë, e cila është duke e dëmtuar Kosovën çdo vit me qindra miliona.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu ka pranuar se simbolet janë një prej barrierave për bizneset kosovare që të promovohen në Serbi, por beson se është një problem që do të tejkalohet.

“Është një problem të cilin ne e kemi aktualizuar. Dua të besoj që në panairin e ardhshëm që do të mbahet në Novi Sad duhet të jetë një temë që paraprakisht do të kërkohet që të sqarohet dhe në këtë drejtim duhet të kemi një konstruktivitet, argumentim dhe një gjë e tillë të ketë një formë të reciprocitetit. Në qoftë se një flamur i tillë mund të valojë në Kosovë, pse i njëjti të mos valojë edhe në Serbi. Unë jam më se optimist se nëse vazhdohet në këtë formë të promovimit të vlerave të avancimit të bashkëpunimit ndër rajonal, do të jetë një problem që do t’i takoj të kaluarës”, ka thënë Gërxhaliu.

Në një mënyrë, kryetari Gërxhaliu e ka arsyetuar valëvitjen e flamurit të Serbisë në panair, ngase sipas tij, kjo formë ndodhë çdo ditë në Graçanicë dhe në veri të Mitrovicës. Ai thotë se ka ardhur koha për një sjellje e civilizuar.

“Është e vërtetë që jemi në një situatë ku duhet Kosova të promovojë vlera, në fund të fundit nuk duhet gjithmonë që momentet e pavolitshme t’i shndërrojmë në revanshizëm. Sot e kemi pasur korin diplomatik, sot e kemi pasur një numër rekord të mediave dhe paramendo të kishte qenë një pyetje e tyre se në Kosovë lejohet flamuri i Serbisë dhe në qoftë se shkoni në Graçanicë dhe nëpër komuna të shumta në Kosovë, të mos flasim në veri, a e ka eliminuar këtë flamur dikush. Prandaj, është koha kur duhet të keqen të tentojmë ta dominojmë me të mirën, me sjelle dhe me civilizim”, ka thënë Gërxhaliu.

Ndërsa, zëvendësministri i Financave në Qeverinë e Kosovës, Hyzer Gashi, i cili vjen nga sektori i biznesit ka thënë se institucionet dhe bizneset e Kosovës duhet të jenë këmbëngulës dhe kërkues që të paraqiten në çdo vend, edhe në Serbi me simbole shtetërore për të qenë serioz në punë dhe identitet.

“Unë mendoj se për t’u hequr këto pengesa ne duhet të jemi më kërkues, më dinjitoz që të përfaqësojmë veten ashtu çfarë jemi me të gjitha simbolet tona, me të gjithë potencialin tonë. Duhet patjetër që ne të rezistojmë që t’i mbajmë këto, sepse këto janë çështje të cilat në fakt na takojnë neve, se si jemi ne serioz në punën tonë dhe në identitetin tonë”, ka thënë Gashi.

Zëvendësministri i MF-së ka thënë se janë duke e përmirësuar ambientin e të bërit biznes, politikat fiskale janë duke u reformuar ligjet, të cilat në fakt kanë të bëjnë me lehtësimin e të bërit biznes, sidomos tash e tutje, të gjithë importuesit nuk do të detyrohen që të paguajnë TVSh në kufi, por të paguajnë pasi që ta shesin mallin, siç tha ai, që nënkupton një mundësi për të pasur likuiditet dhe që mos të kenë shtrëngime as financiare./kp

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, do ta vizitojë Kosovën…