Botërori lë pa “Top të Artë” Messin dhe Ronaldon

18 korrik 2018 | 12:28

Rezultati dhe paraqitja e skuadrave në Botëror ka ndryshuar edhe hierarkitë për trofeun e “Topit të Artë” për këtë vit.

Në 10 vjetët e fundit këtë trofe e ka fituar pesë herë Ronaldo dhe pesë herë Messi. Por, nëse lojtari më i ri i Juventusit ka shanse për të qenë në garë për trofeun e gjashtë, duket se s’mund të thuhet e njëjta gjë për Messin, ndërkohë që janë shtuar në listë Griezmann, Mbappe dhe Modriq. Portugalia e Ronaldos vërtet u largua shpejt nga Botërori, por ai vetë shënoi katër gola në Botëror dhe me Realin fitoi Ligën e Kampionëve të pestë. Veç kësaj, në aktivitetin më të madh futbollistik të kontinentit ai shënoi 15 gola në 13 ndeshje që luajti. Të gjitha këto janë shifra të një kandidature të fortë për trofeun e vitit. Ndërkohë, Antoine Griezmann ka fituar Ligën e Evropës me Altetico Madridin, përveç titullit kampion bote dhe titullit si lojtari më i mirë i finales së Botërorit.

Ka shënuar katër gola në këtë aktivitet dhe ka servirur shumë asistime, që e bëjnë mes lojtarëve kyç të kombëtares së tij, raporton “TCH”. Por, kampionët e botës në këtë Botëror kanë nxjerrë në pah Kylian Mbappe që, përveç shkëlqimit në këtë kampionat, për shumë mendohet të jetë ylli i futbollit të së ardhmes. Ai u vlerësua edhe si i riu më i mirë i këtij Botërori, por në garën për “Topin e Artë” mund të penalizohet nga mungesa e ndonjë suksesi të madh me klubin e tij, që gjithsesi ka fituar thuajse të gjithë trofetë e kampionatit francez. Por edhe nënkampionët nuk mbeten pas me kandidaturën e tyre, Luka Modriq. Prej vitesh i konsideruar ndër mesfushorët më të mirë, për të mos thënë më i miri, në garën për trofeun individual ka në favor të tij ashtu si Ronaldo trofeun e Ligës së Kampionëve të fituar me Realin, që i shtohet edhe trofeu i lojtarit më të mirë të Botërorit.

Megjithatë, trofeu prestigjioz i së famshmes “France Football” ka pasur shpeshherë në fokus më tepër sulmuesit dhe kjo nuk është diçka që e ndihmon shumë kroatin. Megjithatë, ky vit 2018 duket se do ta sjellë fundin e dominimit të dyshes Messi – Ronaldo sa i përket trofeut të “Topit të Artë”.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bashkimi Evropian (BE) nëpërmjet një komunikate për medie ka bërë…