Burgu nuk ishte fundi i Rexhës

15 mars 2018 | 11:01

Izmi Zeka

Idealizmi urban i heroit Rexhep Mala në disa pamje (4)

Për të parë se si i trajtonte pushteti krahinor i asaj kohe intelektualët e burgosur në krye me Adem Demaçin, paraqesim deklarimet e dy zyrtarëve të lartë krahinorë: Fadil Hoxha, ish-zyrtar i lartë i LKJ-së, pak ditë para se të fillonte procesi i gjykimit kundër Adem Demaçit dhe dhjetëra veprimtarëve të tjerë, do të deklarojë: “…Sa pretendentë e të pafytyrë! Hiç më pak se mbrojtës të interesave të popullit shqiptar, e këndej as katundi i vet, as lagjja e vet nuk i njeh,veç për të keq e hajni” (Rilindja, 23. 12. 1975, f. 5).

Edhe Mahmut Bakalli, kryetar i atëhershëm i Komitetit Krahinor të LKJ-së, në një mbledhje në Kaçanik më 13 janar 1976, thotë: “Irredentizmi shqiptar në versionin e tij të ri përpiqet të paraqitet në petkun e ideologjisë dogmatike staliniste, por karakteri reaksionar dhe qëllimet e tij mbeten të njëjta. Sikurse nuk ka mundur të depërtojë në masat shqiptare atëherë kur u paraqit në formë balliste – fashiste. Irredentizmit shqiptar nuk do t’i shkojë për dore të depërtojë as tash kur përpiqet të mbështillet në petkun dogmatiko-stalinist. (…) Në këtë bazë irredentistët shqiptarë do të paraqiten para gjyqeve dhe do të marrin dënime shembullore” (Rilindja, 14 janar 1976).

Kjo është vetëm një pjesë e argatëve të sistemit serbo sllavë që gjykonin pa gjyq të gjithë ata të cilët luftonin për republikë dhe barabarësi, si popujt tjerë të Evropës.
Po i kthehem përshkrimit të broshurës “Qëndresa” të Rexhep Malës për ta përmbyllur vështrimin dhe analizën sistemore të saj dhe për t’i dhënë përkufizim dimensionit politik, atdhetar dhe stoicizmit të tij në përballje me këlshedrat serbe.

Në broshurën e Rexhep Malës “Qëndresa” në përshkrimin e fundit, me shkrimin “Në burgjet famëkëqija Jugosllave” ai shton: “Kishte të burgosur shqiptarë që ishin të sëmurë rëndë. Ndonjë kishte barkun përplot ulqera, por ‘mjekët’ thoshin se ne ishim të aftë edhe për punë më të rënda fizike. Dhe natyrisht se punë të tilla na caktoheshin tamam si në kampet hitleriane të përqendrimit. Sa e sa vepra e tregime kisha lexuar për gjëra të tilla e tani të gjitha këto i përjetoja me kurrizin tim në Jugosllavinë titiste”.
Shqiptarët sipas Rexhep Malës llogariteshin vetëm numra e assesi qenie apo krijesa njerëzore. As në kampet e Aushvicit nuk kishte tortura të tilla që shikuar nga sot mund të vijmë në përfundim se të burgosurit politikë shqiptarë në kohën e Jugosllavinë ishin pjesë e shtypjes barbare dhe eksperimenteve që bënte shteti.

Në këtë vijëzim edhe pse ishte një pushtet krahinor kinse që udhëhiqej nga shqiptarët dhe sot thuren nga disa elozhe andej e këndej, realiteti i pas viteve ’45-të ishte krejtësisht tjetër. Të gjitha këto edhe u demantuan me idealistët deri në përgatitjen e luftës së fundit të shqiptarëve të Kosovës e gjithë shqiptarëve. Në këtë kostelacion, përpjekjet e pjesës më vitale dhe idealistët e kohës, siç është shembulli i Rexhep Malës, i dhanë fund politikave diskriminuse, robërisë dhe kthjellën në shumicë idenë për shtet dhe pavarësi shtetërore.

Për t’i dhënë qartësi edhe më me peshë qëndrimit në burgjet jugosllave, broshura “Qëndresa” e Rexhep Malës, ka edhe porosi në përfundimin e saj ku shton: “Në fund, thërras tërë opinionin progresiv ndërkombëtar t’i kundërvihet politikës terroriste jugosllave që ushtrohet kundër popullit liridashës shqiptarë në Jugosllavi. Ftoj organizatat politike dhe individët përparimtarë të të gjitha kontinenteve, që të përkrahin moralisht e materialisht Lëvizjen Çlirimtare të Kosovës”.

Me intelektualitetin që kishte dhe vizionin për të ardhmen, Rexha përveç angazhimit konkret të shqiptarëve, ftonte edhe të tjerët që t’i bashkëngjiten luftës sonë. Ai e kishte të qartë se lufta ishte e pashmangshme dhe si e tillë duhej mbështetur nga të gjithë faktorët, si të brendshëm ashtu edhe të jashtëm ndërkombëtar. Nuk kishte ngurtësi politike as edhe ideologjike.

Andaj të rrallë janë dijetarët dhe ata të cilët luftojnë për çlirim kombëtar, që zgjidhjen e saj e shihnin përmes formave dialektike, e që kanë si bazë sensibilizimin e saj, përpjekjet titanike dhe angazhimin në një lëvizje gjithëpopullore për të arritur cakun
Burgu nuk ishte fundi i Rexhës por fillimi i një epoke të re në ballafaqim me padrejtësitë dhe egërsinë serbe.

Më 23 maj 1983 pas 8 vitesh vuajtje Rexha del nga burgu. Nuk e kishte thyer burgu as torturat shtazarake që u bënë mbi të dhe trupin e tij.

Kishte një ideal, një rrugë që priste ta vazhdonte. Kosova nuk kishte ndryshuar prej kohës së para burgut përveçse tani më burgjet Jugosllave ishin të mbushura me të burgosur politik anekënd.
E priste koha dhe momenti historik për t’i dhënë kahe lëvizjes kombëtare shqiptare.

Ishte një moment, kur organizimi ilegal kishte pësuar tronditje dhe duhej të fillonte riorganizimi i strukturës së shkapërderdhur anekënd trojeve shqiptare.

Muaji maj ishte vetëm dalje nga burgu për Rexhën dhe përballje me realitetin e pandryshuar.
Asnjë minutë nuk do të humbë kohë për ta filluar angazhimin në luftën kundër pushtuesit serb. Bëhen bashkë me ideatorin e kohës Nuhi Berisha pikërisht atëherë kur kishte nevojë më shumë se kurrë lëvizja për një bashkëdyzim dhe hapërim në organizimin e lëvizjes ilegale në Kosovë.

Rexha nuk arrin as edhe të çmallet me familjen për t’iu bashkuar radhëve të ilegales shqiptare.
Rexha e Nuhiu, arrijnë të bëjnë bashkë të gjithë pa dallim, brenda dhe jashtë. Furnizimin me material propagandistik dhe armë nga jashtë, e bënte Zija Shemsiu tani dëshmor i kombit.

Rexhepi tani ishte udhëheqësi i Lëvizjes për Republike Shqiptare në Jugosllavi, kurse Nuhiu, udhëheqësi i shtabit operativ të Lëvizjes për Republikën Shqiptare në Jugosllavi që përfaqësonin idetë e të rënëve, të gjeneratave dhe brezave të shumtë. Përgatitja e Rexhepit ishte kualitet i ri për organizimin ilegal në Kosovë, ku Nuhiu i cili për një kohë kishte bartur mbi supe peshë të rëndë tani këtë peshë e ndanin bashkërisht edhe me shumë shokë të tjerë.
U arrit që organizimi ilegal të ketë një qendër dhe atë në Prishtinë, ku drejtuesit saj kishin mishëruar idealet kombëtare me ardhmërinë e popullit. Burgosjet ishin të shpeshta e nganjëherë edhe preknin aty ku më së shumti dëmtohej lëvizja.

Në vitin 1983 bie në burg Zija Shemsiu, Sami Kurteshi, Shaban Shemsiu, Fetah Shemsiu, Asllan Shemsiu, Taip Zeka e më parë ishte zënë edhe shoku i fëmijërisë dhe i idealeve të Nuhiut, Ahmet Isufi i cili dënohej me grupin e Albanikosit, që ishte grusht i fortë i përpjekjeve të udhëheqësve të luftës ilegale në Kosovë për lirinë e Kosovës. Do të citoja një thënie të Hasan Prishtinës, ku ndër të tjera thotë: “Ndërtimi i marrëdhënieve të mira me Serbinë dhe Greqinë do të ishte i mundur vetëm mbas çlirimit dhe bashkimit kombëtar…”

Kjo thënie mbase do të jetë e pranishme gjatë tërë jetës dhe përpjekjeve për liri te Rexhepi. Konceptualiteti i organizatës që përfaqësonte veprimin ilegal kishte një formësim të tejdukshëm në masat e gjëra.

Por në një mbrëmje të kobshme rrethohen në Kodrën e Trimave.
Ishte mbrëmja e 11 janarit të vitit 1984, kur Kosova më shumë se kurrë përballej me ekzistencën e saj.
Dy figura që tani i përkasin historisë Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha, dy ideologët dhe vazhduesit e denjë të rrugës së Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës u përballën me forcat policore të shtetit barbar serb. Atë natë të 11 janarit, krismat nuk kishin të ndalur.

Dy emra që i dhanë kuptimësinë luftës për çlirim kombëtar dhe frymëzues të gjeneratave të ardhshme deri te formimi i ushtrisë së lavdishme Çlirimtare të Kosovës, tashme ata ishin dy në luftë kundër okupimit klasik serb dhe jo vetëm kaq, ideja e tyre ishte përtej kohës dhe rezonit që mbretëronte aso kohe. Rexha e Nuhiu sikur Vojo Kushi në Tiranë e Perlat Rexhepi në Shkodër thyen mitin e një shteti të huaj e barbar siç ishte Serbia.

Aty u luftua deri në mëngjesin e 12 janarit dhe trimat s’u dorëzuan dot. Mëngjesi i kësaj dite i gjen dy viganët të kthyer në histori, në jetë, në liri e çka jo ata bënë çka nuk bëhet dhe nuk arrihet. Ata kthyen dinjitetin dhe i dhanë frymë luftës për çlirim kombëtar. Andaj ata ishin dy në një apo një në dy emra. Kjo është historia dhe vetë jeta e tyre. (Vijon)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Sllovenisë, Miro Cerar, ka dhënë dorëheqje pas anulimit…