Cila është shpërfaqja poetike e Canajt?

11 Janar 15:07

Nga Maxhun Osmanaj

Avdush Canaj, poet lirik që sjell ngrohtësi për fëmijë dhe të rinj (2)

 

Canaj ka një diapazon të gjerë paraqitjeje të shprehjeve para lexuesve të vegjël. Bota e tij e pasur mundëson të jetë e larmishme, tërheqëse, befasuese, gazmore, mbresëlënëse, kreative, dritëdhënëse, shpresëdhënëse.

Shpesh shumë vjersha i fillon në vetën e parë, herë si rrëfim lirik, herë si meditim, herë si imagjinatë, por shumë mbarojnë si befasi. Ka edhe disa çapkënllëqe të fëmijëve, që i ndodhin heroit lirik, nuk e rëndojnë vjershën, por i japin një freski. Tharmi i poezive të Canajt gjithmonë lidhet me një mesazh edukimi, humanizmi, ku ëndrra dhe dashuria gërshetojnë brumin lirik të vjershës.

Autori sikur ka një kujdes për shpirtin delikat, të ndjeshëm të fëmijëve, ai i ruan, mos t’i lëndojë në shpirt, mos t’i rëndojë me tema të mëdha, të rënda. Por kur ndodhin gjera të padëshiruara të rastit, sikur u jap zgjidhje, paksa arsyetim, I falë, i kupton. “U thye gota në dysheme /Ani çka? Fluturoi topi përmbi re! /Ani çka?/ Të qortojë mësuesja në klasë /Ani çka? (Ani çka) (f. 29). Shpesh ca poezi i kthen në ndërtim – përrallë.

Vjershat e Canajt, herë janë nga tabani i realitetit, herë kalojnë në imagjinatë, herë gërshetim-përrallë, ku rrëfimi shpërfaqet në tokë, në det, në diell, gjithësi, qiell… Cili është derivati i shpirtit të kristaltë? Dashuria, dashuria, është derivat i pashtjerrur i autorit, krua që nuk shteron. Dashuria rritet/ e rritet /e rritet/ në stacionin e përqafimeve mbush bateritë (Në stacionin e përqafimeve, f. 49).

Canajt nuk i ikën as historia,krenaria kombëtare-shqiptare dhe korbat pushtues që ranë mbi qiellin shqiptar, që vranë shpresën dhe ëndrrën. Por korbat nuk arritën t’i sendërtojnë ëndrrat shfarosëse. Cikli Drurët e trishtuar, përmban vjersha me tematikë nga lufta e fundit, pra, një kronologji e dhembjes, por edhe krenarisë”. M’i vunë prangat / më përplasën në qeli /pse e desha Shumë /Nënën time.
/Shqipëri” (f. 85).

Autori dhe shumë të tjerë e kishin përjetuar këtë kohë të rëndë dramatike,andaj nuk i ikën lehtë kronologjia e atyre dhembjeve, që përjetoi popullata shqiptare.
Ndërsa një poezi paksa më e rëndë,shpërfaq pyetje-përgjigje, një dialog, babë-bir ,ku pyetjet kanë të bëjnë me luftën e fundit në Kosovë”. Baba, pse ata na qëllojnë me rrufe?/ Unë e di, asgjë të keqe s’iu kemi bërë ne / -Pse jemi të lashtë, ke harruar epirot/ Flasim e këndojmë shqip. Ruana Zot! /Ata po na dëbojnë edhe nga shtëpitë!- Do të kthehemi prapë, Shpejto hapin. Dritë! (Pse ata na qëllojnë me rrufe), f. 87). Jeta e rëndë,papunësia në Kosovë, gjendja sociale e grish shpirtin e autorit t’u thurë ca vargje, që prekin ndërgjegjen e shoqërisë, ku shpeshherë na kujton kohën e Migjenit.

Këtë atmosferë të dhembjes, e lexojmë në ciklin Kur të gjej babi punë. Në këtë cikël, buka kërkohet edhe në kontejner. “Kur dita mbyll portat/me zogjtë këngë rrite/ në fund të kontejnerit /më buzëqeshi një simite /Sprishte punë fare /pse ishte djegur nga saçi/ urisë ia mbylla derën/ mua nënë më kënaqi” (Më buzëqeshi një simite, f. 106) Edhe të vjershat e Canajt takojmë personazhe të ndjeshme në shpirt, të lënduar me plagën e rëndë, varfëri, skamje.

Ky fëmijë e di gjendjen e familjes: “Edhe për dy ditë /kemi miell, vëlla /edhe për dy ditë nëna barna ka / s’e shtri unë dorën, jo, /as s’bëhem dot lypsar /nesër pas mësimit /me karron time /do të dal në Pazar” (Edhe për dy ditë, f. 111)

Në njërën anë mësojmë së fëmija përjeton një gjendje jo të mirë familjare, në anën tjetër, mësojmë se ai më parë del të punojë me karron e vet sesa del të lypë. Pra, ai mësohet ta fitojë bukën e gojës vetë,ndonëse ligjet e jetës nuk pyesin ligjet e shtetit ,se fëmija nuk ka drejtë të punojë… Disa vjersha janë përkushtime kushtuar: Migjenit, Gani Gjafollit, apo takimi imagjinativ me Lasgush Poradecin dhe Cucin, qenushin, qenin e Lasgushit në Poradec.

Në fund, autori përmbyll librin me poezinë “Do ta kuptosh një ditë”, ku në formën e këshillës dhe rrëfimit heroi lirik, bisedon me birin e vet se çfarë po i lë autori (babai), birit të vet, kur një ditë do të perëndojë jetën, të shkojë në Shtëpinë e Qiellit. Ai është krenar çfarë po i lë birit, shoqërisë, pasurinë më të mirë, më fisnike, më njerëzore: “Po të lë /pakëz xhevahir /nëpër xhepa t’poezive/ Ta dish /o Zog në pishë /babai yt /kurrë nuk u ul /as s’u përkul / para stuhive e lubive/Burrërisht vertikalisht /Biri im, /e ke VARGUN TIM” (Do ta kuptosh një ditë, f. 131-132).

Motivi i atdhedashurisë, motive social, motivi familjar, raporti fëmijë-prindër, lojërat, motivi përrallor, komunikimi imagjinativ, por edhe temat përkushtuese janë tabani i botës së këtij libri, që prek me ndjeshmëri dhe dashuri autori, Canaj. Edhe gjuha figurative e këtij vëllimi është e pasur me metafora (pranvera është zog), krahasimi (poezitë, mrekullitë, në kor zogjsh, si qershitë), hiperbola (sofrën plot aty e gjeti, dashuria sa krejt planeti. Autori përdor një gjuhë të pasur me shprehje të ëmbla përkëdhelëse si: dajash, ëmbëlush, babëlokun, gicilitin, kokosh, lepurushi, ylberoshi, ylberisht, liqenore, fëmijërisht, etj. Si fjalë kyçe autori përdor më shpesh fjalën: zog, e cila mbetet kryefjalë e mbarë librit.

Ndërsa tema e dashurisë mbetet manteli ideor dhe shpirtëror i këtij libri. Ndërtimi metrik është i larmishëm: ka vjersha me rimë të kryqëzuar, pa rimë, vjersha të lira, dyvargëshe, trevargëshe, katërvargëshe etj. Edhe ndonjë ilustrim me foto i japin një pamje të këndshme librit. Shihet se autori nga libri në librin tjetër ka avancuar shprehjen dhe ka zgjeruar diapazonin tematik. Autori nuk do të ndalet, por letërsisë shqipe do t’i dhurojë ende libra me vlera të larta ideo-artistike. (Fund)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të fundit
Izmi Zeka Ishte mbrëmje e 11 janarit të vitit 1984,…