Çmimin “Mujë Krasniqi” e fitoi Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Shotë Galica” e Drenasit

10 qershor 2018 | 12:30

Nga: Enver MALOKU

Ka përfunduar në Klinë Festivali Folklorik Mbarëkombëtar “I këndojmë Lirisë”, që u mbajt më 6, 7 dhe 8 qershor.

Çmimin kryesor “Mujë Krasniqi”, të edicionit të 18-të të këtij festivali, e ka fituar me plot meritë Ansambli i Këngëve dhe i Valleve “Shotë Galica” nga Drenasi.

Gjithçka ishte e përsosur nga çdo aspekt artistik, prandaj edhe u shpërblye me çmimin kryesor.

Këtij ansambli, çmimin ua dorëzuan, Rifat Jashari, nga familja Jasharaj dhe Halil Krasniqi, babai i komandant Mujë Krasniqit.

Ansambli i Drenasit ishte i kompletuar në të gjitha aspektet, me interpretimet e mrekullueshme të solistëve profesional.
Rrjedhimisht nga spektatorët e shumtë morën duartrokitje të gjata, më se të meritueshme.
Secila këngë, si për nga teksti dhe interpretimi ishte më e mirë se tjetra, që nga kënga për Isa Boletinin e deri te ajo për Mujë Krasniqin apo ajo “Natën herët në mëngjes” të duetit Bytyçi-Krasniqi.

Shaqir Hasi, udhëheqës i këtij ansambli ka thënë se është i kënaqur dhe ndjehet krenar që e kanë fituar çmimin Mujë Krasniqi.

“Diçka të veçantë kemi sjellë ne ketë festival, duke bërë përpunim të këngëve të teksteve për Mujë Krasniqin të marra nga baladat kushtuar Komandant Kapuçit që janë të papërsëritura deri më tash. Vetëm kënga ‘Herët në mëngjes’ është e papërpunuar”, është shprehur Hasi.

Ndërkaq, vendin e dytë juria profesionale kishte vendosur që t’ia ndajë AKV “Dëshmorët e Kombit” nga Kastrioti, të cilëve çmimin ua dorëzuan kryetari Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenuna Elezaj dhe nënkryetari, Besim Hoti, kurse çmimin e tretë e ka marrë Ansambli Polifonik “Longjeria” nga Gjirokastra.

Çmimin e publikut e fitoi Shoqëria Kulturore Artistike “Malsori” e Gjonajt të Hasit.

Juria profesionale ishte në përbërje prej Minire Fetahu, redaktore e muzikës në RTK, Burim Krasniqi, kompozitor-producent, Mehmet Xhemajli, Ma. i lëndës muzikore të harmonisë dhe Gjon Frroku, kantautor.

Nga 15 çmime, sa ndahen në këtë festival, juria ndau edhe çmimin e veteranit të festivalit, grupit më të kompletuar, interpretuesin e vallen më të mirë, instrumentistin më të mirë, valltarin e ansamblin më të kompletuar, si dhe çmime të tjera.

Festivali i sivjetmë ka zgjuar interesim të jashtëzakonshëm, si asnjëherë më parë. E vogël ishte hapësira për t’i zënë të gjithë që kishin ardhur për ta përcjell festivalin, ndaj edhe rrugët përballë hapësirës ku mbahej festivali ishin të mbushura me spektatorë.

(Shkrimin e plotë mund ta lexoni në numrin e së hënës të gazetës “Epoka e re” )

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Johnny Depp është mirë me shëndet, pavarësisht prej shqetësimeve të…