Dardan Sejdiu jep dorëheqje nga pozitat drejtuese në Vetëvendosje

04 janar 2018 | 16:36

Pas dorëheqjes së kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, i cili ka dhënë dorëheqje nga drejtimi i këtij subjekti, sot edhe Dardan Sejdiu, ka dhënë dorëheqje nga të gjitha pozitat në këtë lëvizje.

Sejdiu i ka dërguar një letër partisë, ku ka njoftuar për dorëheqje nga posti i nënkryetarit të parë.

“Kam vendosur që nga sot të jap dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha pozitat e mia drejtuese në Lëvizjen Vetëvendosje, nga posti i nënkryetarit të parë të Lëvizjes, nga Kryesia e Lëvizjes, dhe nga anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes”, është thënë pos tjerash në letrën e Sejdiu.

Letra e plotë e Dardan Sejdiut:

Të nderuara aktiviste e aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje,Të nderuar anëtarë të Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje

I nderuari Ismajl Kurteshi, sekretar organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje. Më lejoni që fillimisht t’u falënderoj për punën dhe angazhimin e përbashkët në Lëvizjen Vetëvendosje.

Përkundër dallimeve hera herës, në Vetëvendosje kam parë vazhdimisht potencialin dhe zemërgjerësinë individuale e kolektive për t’i zgjidhur problemet e dallimet me të cilat jemi ballafaquar. Ka kohë që ballafaqohemi me një problem brenda Lëvizjes Vetëvendosje, problem për të cilin kam qenë i informuar në intervale të ndryshme kohore dhe atë vetëm pjesërisht, e i cili kohëve të fundit ka fituar një intensitet të shtuar e mediatizim të dëmshëm. Me këso shpërthime nuk jam pajtuar, e as nuk mund të pajtohem.

Pavarësisht se çfarë mendojnë aktivistët e përfshirë, kjo nuk i shërben të mirës së askujt e aq më pak organizatës sonë. Kjo vetëm se e dëmton më shumë Lëvizjen Vetëvendosje. Në mbledhjen e fundit të Kryesisë bashkë me grupin parlamentar kemi diskutuar për këtë problem. Fatkeqësisht nuk kam parë sinqeritetin e duhur dhe seriozitetin e domosdoshëm për zgjidhjen e problemit.

Kjo u dëshmua edhe me shkeljen e menjëhershme të një dakordance fillestare, të thjeshtë por të domosdoshme të cilën e arritëm në mbledhje, dhe e cila na obligonte të gjithëve që të përmbahemi nga ofendimet, shpifjet, insinuatat, e të ngjashme përmes rrjeteve sociale, ndaj njëri-tjetrit.

Gjatë mbledhjes, por edhe menjëherë pas mbledhjes së Kryesisë me GP e veçanërisht të nesërmen e saj, ky vendim i përbashkët dhe kërkesa publike e kryetarit Visar Ymeri dhe sekretarit organizativ Ismail Kurteshi, e bërë menjëherë pas kësaj mbledhje, u shpërfill.

Pak ditë më vonë u thirr një mbledhje e Këshillit të Përgjithshëm, e që për mua ishte një mundësi e mirë për të trajtuar e tejkaluar problemet.

Fatkeqësisht, as kjo mbledhje nuk u përdor për diskutim mbi idetë dhe rrugën përpara. Përsëri, sinqeriteti i duhur dhe serioziteti i domosdoshëm munguan. Dje, me datën 3 janar 2018, i është bërë ftesë Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, për të mbajtur mbledhje sot me datën 4 janar 2018.

Për mbajtjen dhe organizimin e kësaj mbledhje të kryesisë nuk jam konsultuar, e as informuar për rendin e ditës, ndonëse pas dorëheqjes së Visar Ymerit nga pozita e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, nënkryetari i parë i Lëvizjes Vetëvendosje me statut të organizatës ushtron rolin e Kryetarit deri në zgjedhjen e kryetarit të ri. Për më tepër, për këtë ftesë fillimisht jam informuar nga konferenca për medie e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje, më pastaj nga kolegët në kryesi, e krejt në fund më është dërguar një email dhe sms formal informues për këtë mbledhje.

Përkundër korrektësisë dhe vullnetit tim, e shumë të tjerëve, për të kontribuar në zgjidhjen e problemeve të brendshme, ndonëse për këtë problem po e përsëris kam qenë i informuar vetëm pjesërisht, thirrja e mbledhjes së kryesisë duke shpërfillur në tërësi ushtruesin e detyrës të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje!, dëshmon për mua përfundimisht mungesën e seriozitetit dhe sinqeritetit të duhur për tu ballafaquar me problemet tona të brendshme dhe tejkalimin e tyre në mënyre racionale, kolegiale dhe në të mirë të organizatës tonë.

Kështu nuk duhet bërë politikë, dhe kjo mënyrë për mua është në thelb kundër idesë së bashkëpunimit e mirëbesimit të duhur minimal që siguron ecje përpara. Secili nga ne është pjesë e organizatës. Secili nga ne e ka meritën e caktuar për kontributin e dhënë gjatë kohës sa jemi të angazhuar në Vetëvendosje dhe secili nga ne e ka përgjegjësinë karshi situatës dhe obligimin që këtë përgjegjësi ta shndërrojmë në vepër. Rrjedhimisht, secili nga ne duhet të jetë i gatshëm që të bëjë çmos të ruaj unitetin e organizatës, në mënyrë që ta krijojmë hapësirën e nevojshme dhe të domosdoshme për të ecur para.

Për mua, demokracia nuk është vetëm procedurë. Demokracia nuk përfundon në nenet statutore. Demokracia zhvillohet e kultivohet përditë. Sikurse që nënshtrati i zhvillimit duhet të jetë një rrjet social që siguron mbrojtje dinjitoze për secilin, ashtu edhe për demokracinë nënshtrati është fryma në të cilën ndodh zbatimi i neneve statutore, e pra procedura bëhet kuptimplotë dhe në funksion të kultivimit të demokracisë.

Si pasojë, kam vendosur që nga sot të jap dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha pozitat e mia drejtuese në Lëvizjen Vetëvendosje, nga posti i nënkryetarit të parë të Lëvizjes, nga Kryesia e Lëvizjes, dhe nga anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes.

Veprimin tim politik do ta vazhdoj si deputet dhe anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe në përputhje me bindjet e mia. Gjithashtu, më lejoni t’iu informoj që nuk do të garoj në zgjedhjet e brendshme, kurdo qofshin ato, për të qenë anëtar i Këshillit të Përgjithshëm e as për ndonjë pozitë në kryesi të Lëvizjes Vetëvendosje.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me shumë gjasë do keni dëgjuar për ‘Bitcoin’, valutën dixhitale,…