Delegacioni i KE-së viziton Kosovën, vlerëson lartë Programin për Reforma Ekonomike

06 mars 2018 | 14:58

Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka pritur të martën në takim një delegacion nga Komisioni Evropian, i kryesuar nga Uwe Stamm, shef i Njësisë, Drejtoratit Gjeneral për Ekonomi dhe Financa, të cilët po qëndrojnë në Kosovë me qëllim të vlerësimit të dokumentit të Programit për Reforma në Ekonomi (PRE) 2018-2020 të hartuar nga Institucionet e Qeverisë së Kosovës.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, në cilësinë edhe të Koordinatorit Nacional të Programit për Reforma në Ekonomi, ka thënë se është kënaqësi e veçantë që pas një pune të gjatë të hap këtë takim, për të ofruar arsyetimin mbi masat të cilat kanë përzgjedhur si më me ndikim në transformimin e ekonomisë së Kosovës. “Politika jonë ekonomike ka një qëllim të qartë, që ta zhvillojmë sektorin privat në mënyrë që të jetë bartës i rritjes ekonomike të vendit për këtë qëllim do të punojmë për largimin e pengesave për realizimin e potencialit ekonomik të Kosovës. 20 masa të reformave tashmë janë përditësuar për të reflektuar programin e ri qeverisës”, është shprehur ministri Hamza.
Ndërsa, kryesuesi i delegacionit të Komisionit Evropian, Uwe Stamm shef i Njësisë në Drejtorinë Gjenerale të Ekonomisë dhe Financave të Komisionit Evropian, ka treguar se delegacioni i Komisionit Evropian ka pasur një takim konstruktiv dhe shumë të dobishëm me ministrin Hamza dhe ekipin e tij, ku është informuar për zhvillimet e deritanishme në reformat ekonomike në Kosovë.
Ai ka bërë me dije se kishin kënaqësinë të shohin pikëpamjet evropiane në Programin për Reforma Ekonomike, që është dorëzuar nga pala kosovare, e që sipas tij, është një dokument i cilësisë së lartë. “E arritur e mirë është se Programi i Reformave Ekonomike nuk do të vlerësohet vetëm nga Komisioni Evropian dhe nga Banka Qendrore Evropiane, por do të shqyrtohet edhe nga të gjitha shtetet anëtare dhe kjo mund të jetë një kartë e mirë për Kosovën në rrugën e saj integruese sepse shtetet anëtare të KE-së i shohin këto programe me shumë interes”, ka thënë Stamm.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, dhe përfaqësues të Inspektoratit të…