Demarkacioni të hënën në kryesi të Kuvendit

03 shkurt 2018 | 10:31

Marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi pritet të shqyrtohet të hënën në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit të Kosovës.

Gazeta “Epoka e re” ka marrë vesh, nga burimet brenda Kuvendit, se kjo mbledhje do të mbahet në orën 11:00.

Ndërsa ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, të premten ka kërkuar konsensus nacional për procesin e integrimit. Ajo u ka bërë thirrje deputetëve që sa më shpejt ta ratifikojnë demarkacionin me Malin e Zi.

“Kërkoj nga deputetët të nxirret një rezolutë e përbashkët nga Kuvendi me konsensus të të gjitha partive politike për ta shprehur zotimin për t’i avancuar proceset e integrimit, sepse integrimi evropian nuk ka alternativë. Duhet të flasim me një zë dhe të kemi një qëndrim të përbashkët, dhe prioritet i politikave dhe ligjeve për MSA-në dhe ERA si konsensus ndërinstitucional. Duhet të bëhen reforma në drejtësi, ekonomi dhe administratë”, ka deklaruar Hoxha gjatë takimit me anëtarët e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, ku është diskutuar për strategjinë e zgjerimit të Bashkimit Evropian për shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Ajo ka thënë se pret që kjo strategji ta njohë progresin e arritur dhe ta konfirmojë avancimin e procesit integrues të Kosovës në Bashkimin Evropian.

“Jemi plotësisht të vetëdijshëm për kufizimet objektive, respektivisht mosnjohjen nga pesë vendet anëtare të BE-së, njëkohësisht jemi të bindur se nëse sigurojmë përmbushjen e detyrave të shtëpisë përmes zbatimit rigoroz të MSA-së, Bashkimi Evropian do të gjejë mënyra për ta avancuar më tutje procesin integrues të Kosovës”, është shprehur Hoxha, duke shtuar se procesi integrues i Kosovës ka pasur një avancim progresiv në vitet e fundit.

“Kemi siguruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, jemi në prag të liberalizimit të vizave, kemi siguruar qasje në programet e BE-së dhe jemi përfitues më të mëdhenj për kokë banori të asistencës së BE-së. Nuk duhet harruar që prioritet i parë i institucioneve tona duhet të jetë zbatimi i reformave të gjithëmbarshme të parapara me MSA-në. Vetëm rezultatet e bindshme dhe progresi në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë do t’i vendosë institucionet tona me një pozitë ku mund të kërkojmë më shumë nga ana e BE-së. Për momentin, topi është në anën tonë t’i përfundojmë detyrat e shtëpisë”, ka deklaruar ministrja Hoxha.

Një ditë më parë edhe presidenti Hashim Thaçi u ka bërë thirrje deputetëve që në një të ardhme të afërt ta miratojnë marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi në mënyrë që qytetarët të lëvizin pa viza. Ai ka thënë se Kosova do të jetë e përfshirë qartësisht në strategjinë e zgjerimit të BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor. Por, sipas presidentit, kësaj qartësie evropiane do t’i ndihmojë shumë edhe vendimmarrja e institucioneve në ditët dhe javët e ardhshme.

“Kosova do të përballet edhe me sfida të tjera, në veçanti tash kur e kemi momentumin për liberalizimin e vizave. Jam optimistë se në të ardhmen e afërt do t’i kryejmë të gjitha obligimet që i kemi karshi BE-së në mënyrë që të ndodhë liberalizimi i vizave. Strategjia e BE-së do të sjellë qartësi dhe veprime konkrete edhe për Kosovën dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor sepse, si askujt tjetër, Kosovës i duhet qartësi dhe në këtë qartësi do të ndihmojë shumë edhe vendimmarrja e institucioneve në ditët dhe javët e ardhshme. Duhet dhe do t’i kryejmë detyrat dhe obligimet që i kemi marrë përsipër karshi bashkësisë ndërkombëtare në mënyrë që të lehtësohet procesi i liberalizimit të vizave dhe e ardhmja konkrete evropiane e Kosovës. Dua të besoj se në të ardhmen e afërt do të përmbyllet edhe çështja e demarkacionit në mënyrë që qytetarët e vendit të lëvizin lirshëm”, ka theksuar Thaçi

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, ka kritikuar Qeverinë e udhëhequr…