Dënohen shtatë persona për terrorizëm

17 korrik 2018 | 18:54

Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar shtatë persona me gjithsej 18 vjet e katër muaj burgim për vepra që ndërlidhen me terrorizëm, pjesëmarrje në luftëra të huaja dhe armëmbajtje pa leje.

Jetmir Bushi është dënuar me 2 vjet e 4 muaj burgim, Artan Kadriu 4 vjet burgim, Besim Shabani me 3 vjet burgim, Adil Bushi me 2 vjet e 4 muaj, Egzon Latifi me 3 vjet burgim, Bekim Halili me dënim unik prej 3 vjetësh burgim pasi ai ishte i akuzuar poashtu për armëmbajtje pa leje.

Ndërsa të akuzuarit tjetër në këtë rast për veprën penale armëmbajtje pa leje, Kujtim Bytyçi i është shqiptuar dënim i kushtëzuar me burgim prej tetë muajsh. Dënimi nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen vepër penale për një vit.

I akuzuari tjetër për terrorizëm, Jeton Hajdini është liruar nga aktakuza, pasi siç ka konstatuar trupi gjykues, ndaj tij nuk ka pasur prova të mjaftueshme.

Secili nga personat e dënuar, përpos Jeton Hajdinit i cili është liruar nga akuzat, do të paguajnë nga 100 eurove në emër të paushallit gjyqësor.

Gjykata po ashtu ka bërë me dije se armët e konfiskuara të Bekim Halilit dhe Kujtim Bytyqit janë konfiskuar në mënyrë të përhershme.

Në bazë të aktgjykimit, secilit prej personave të dënuar do t’u njihet koha e kaluar në arrest shtëpiak dhe paraburgim.

Gjatë zhvillimit të seancave gjyqësore të akuzuarit, Artan Kadriu, Zijadin Berisha, Betim Ibrahimaj dhe Adil Bushi kishin pranuar fajësinë për veprën penale organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste.

Në rast gjyqësor kanë qenë të përfshirë edhe tre persona të tjerë, Hadi Nura, Betim Ibrahimaj dhe Zijadin Bytyqi.

Për të akuzuarin Hadi Nura, gjykata kohë më parë kishte vendosur që të veçojë procedurën, pasi i akuzuari Nura është në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa procedura ndaj Betim Ibrahimaj ishte veçuar pasi i njëjti gjendet në arrati.

Gjykata kishte veçuar procedurat edhe ndaj të akuzuarit Zijadin Bytyqi.

Të dënuarit ishin arrestuar në maj të vitit 2015 dhe aktakuza ishte ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Për shumicën e të akuzuarve, prokuroria pretendonte se kishin udhëtuar në zonat e luftës në Siri dhe më vonë ishin kthyer në Kosovë ku edhe ishin arrestuar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-presidenti amerikan, Barack Obama, ka thënë në fjalimin e tij…