Deputetët të shqetësuar për çmimet e larta të biletave dhe sigurinë e udhëtarëve

16 maj 2018 | 15:35

Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, ka mbajtur të mërkurën mbledhjen e rregullt. Në këtë mbledhje është diskutuar për pakon legjislative për ndryshimin dhe plotësimin e projektligjeve në fushëveprimin e Ministrisë së Infrastrukturës, me qëllim të harmonizimit me Ligjin për Kundërvajtje.

Po ashtu në këtë mbledhje është bëtë shqyrtimi i raporteve vjetore të Autoritetit të Aviacionit Civil dhe Autoritetit Kosovar të Konkurrencës.

Gjatë një debati të gjatë për fushën e aviacionit civil, anëtarët e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal kanë pasur mjaft vërejtje për shërbimet, çmimet dhe sigurinë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Driton Gjonbalaj, drejtor i përgjithshëm i Aviacionit Civil të Kosovës (ACK), duke raportuar për raportin e auditorit për vitin 2017, ka thënë se ky institucion ka përmbushur të gjitha kriteret dala nga MSA-ja.

Ai ka thënë se edhe në Raportin e BE-së për Kosovën për 2017 është vlerësuar se ka progres. “Nuk është evidentuar asnjë incident serioz në vitin 2017 në fushën e aviacionit civil. Garantojmë se siguria në Republikën e Kosovës nuk është cenuar asnjë herë gjatë vitit 2017 dhe deri më tash në fushën e aviacionit. Kemi dhënë gjoba për aterrime të paautorizuara”, ka thënë Gjonbalaj.

Ndërsa, anëtari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal nga radhët e AAK-së, Gani Dreshaj, ka thënë se biletat e udhëtimit dhe parkingut në aeroportin “Adem Jashari”, janë mjaftë të shtrenjta. Po ashtu ai ka thënë se edhe pritjet në sportele janë të gjata.

Në anën tjetër, Memli Krasniqi, anëtar i këtij komisioni nga PDK-ja, ka kërkuar të dijë nga Autoriteti i Aviacionit Civil se pse kompania “Adria Airways” operon me një aeroplan të një kompanie tjetër nga Kroacia, e cila sipas tij nuk ofron kushte dhe siguri për udhëtarët.

Vërejtje për këtë kompani ka dhënë edhe anëtarja tjetër e këtij komisioni nga Alternativa, Mimoza Kusari-Lila. Ajo ka thënë se kjo kompani nuk është serioze me udhëtarët, në raport me anulimet e fluturimeve dhe manipulimeve.

Kusari-Lila ka kërkuar edhe përgjegjësi për sigurinë e udhëtarëve në fushën e aviacionit civil për persona të armatosur, siç ka ndodhur me një test ditë më parë.

Më tutje, kryesuesi i komisionit, Dardan Sejdiu, ka ngritur çështjen e prishjes se radarëve dhe mungesës së gjeneratorit në Agjencinë për Navigimin të Shërbimeve Ajrore.

Krejt në fund, drejtor i përgjithshëm i Aviacionit Civil të Kosovës (ACK), Driton Gjonbalaj në përgjigjën e tij ka thënë se për rritjen e çmimit të biletave për fluturime në kohën sezonale është njoftuar Autoriteti i Konkurrencës në Kosovë, dhe se kjo çështje duhet hetuar. Ai beson se me liberalizimin e vizave do të zbriten edhe çmimet e biletave.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Xhiroja e fundit në Vala Superligën e Kosovës në futboll…