Dhembja dhe krenaria në të njëjtën kohë dhe në të njëjtin vend

29 Janar 10:54

Shkruan: prof. Rexhep Abazi

Ditë e premte, 12 janar 2018, duhej të ishte e ftohtë dhe me dëborë. Por, jo. Ishte një ditë e cila i ngjante fillimpranverës, kohë me diell dhe temperaturë të lartë mbi zero.

Profesori, veprimtari dhe luftëtari i lirisë, Behram Hoti, një ditë më parë më ftoi për të shkuar në një fshat të Drenicës për të shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të një ish-luftëtari të UÇK-së. Nuk e pyeta ku? Por, vetëm në orën sa nisemi dhe nga cili vend? Sepse unë kur përmendet Drenica edhe natën nuk pretoj të nisem. Më tha nesër, ora 9.00, tek rrethi i Flamurit.

U takuam në kohën e caktuar dhe së bashku edhe me dy profesorë të tjerë, prof. Nexhat Ballancën nga Dibra dhe prof. Ibrahim Kuçin nga Dukagjini dhe u nisëm për në fshatin Baks, tek familja Salihu, djali i të cilëve kishte ndërruar jetë para ca ditësh dhe ishte dita e fundit për shprehje ngushëllimesh, apo siç themi ne në Medvegjë, e të pamës.

I ndjeri, Sabri (Ahmet) Salihu ishte luftëtar i UÇK-së deri në çlirimin e Kosovës, sipas traditës së trashëguar nga babai, gjyshi e stërgjyshërit e tij, të cilët kurrë nuk kishin ngurruar ta kapnin pushkën në mbrojtje të atdheut. Por, ja jeta e ka fillimin dhe mbarimin, mbase kjo është përcaktim i Allahut të Madhëruar. I qoftë i lehtë dheu i Kosovës.

E pamja mbahej në xhaminë e fshatit sepse siç e pamë edhe ne dhe siç treguan njerëzit e vendit, nuk kishte pasur vend tjetër që do t’i zinte njerëzit që vinin për ngushëllime.

Në oborrin e xhamisë pritnin e përcillnin afro njëqind burra (shumica të rinj) dhe unë mendova se të gjithë kishin dalë në pritje…por jo, kur hymë në xhami, ajo ishte e mbushur përplot me njerëz, ndoshta dyqind veta, familjar, shokë, miq e dashamirë të rrethinës.

Me dinjitet të lartë pritjen e bënin: haxhi Ahmet Salihu (babai i të ndjerit Sabri Salihut), islamologu Beqir (Rrahman) Salihu, prof. dr. Abdyl Salihu, mulla Hajrullah Hoxha, Haki (Ahmet) Salihu, Fahri A. Salihu, Skender Rr. Salihu, Hajzer Rr. Salihu, Idriz (Smajl) Banjaku (dajë i të ndjerit), Bekë Galica (nip i Heroit Azem Galicës), Jashar (Zymer) Likoci (këshilltar në K.K. Skenderaj), mësimdhënës të shkollës së Çirezit e shumë familjarë, shokë, miq e bashkëfshatarë të tjerë.

Profesor Bajram Hoti (mik i kësaj familje), duke kërkuar falje nga të pranishmit, i njoftoi se sot për ngushëllime në familjen Salihu kanë ardhur tre profesorë nga pjesë të ndryshme të trojeve shqiptare, nga Dibra, nga Dukagjini e nga Medvegja (prof. Nexhat Ballanca, prof. Ibrahim Kuçi dhe prof. Rexhep Abazi), moment i cili bëri përshtypje të veçantë tek të pranishmit ku gjendej për ngushëllime edhe kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, me bashkëpunëtorët e tij dhe i cili u ofrua dhe na përshëndeti me një respekt të kultures së familjes së shenjtë e heroike të Jasharajve të Prekazit.

Mbase, nga respekti kërkuan që ne të ulemi në krye të vendit, siç i thoshin ata dhe në emër të grupit më autorizuan që unë t’i shprehu ngushëllimet familjes Salihu, që unë e bëra sipas zakoneve të shqiptarëve të Medvegjës, e që ishte e njëjtë me këto që i pashë këtu.

Por, duke respektuar momentin dhe rastin për se kishim ardhur, unë ceka edhe një veçanti të Bashkësisë Islame të Kosovës, e cila si institucion i vetëm deri tani ua ka shtrirë dorën vëllazërore shqiptarëve të Medvegjës, duke qenë gjithnjë prezentë në ato treva, e në veçanti me dërgimin e një imami që nga viti 2004, që përkujdeset për besimtarët e fesë islame në Medvegjë. Më motivoi prezenca e Efendi Hajrullah Hoxhës, meritë e madhe e të cilit, përveq të tjerëve, ishte që Medvegja të jetë në vëmendjen e përhershme të BIK-së, prandaj atij dhe nëpërmes tij BIK-së dhe kryetarit Efendi Naim Tërnavës dhe bashkëpunëtorëve të tij, u shpreha falënderimet më të sinqerta për këtë mirëkuptim vëllazëror.

Kuptohet që çdo veprimtari ka rregullat e veta, andaj edhe kjo postmortore gjithashtu, por në shenjë respekti familjarët na lutën për të drekuar, por ne duke i falënderuar, nuk kishim nevojë për dreke, atëherë ata e bënë një precedent, nuk na lëshuan pa pirë kafe, që nuk praktikohet në këso rastesh.

Mbase, për ngushëllime vinin njerëz pandërprerë, ne u kërkuam “izën” për t’u larguar. Për të na përcjellë dolën gati se të gjithë me në krye islamologun Efendi Beqir Rr. Salihun, duke na falënderuar për nderin dhe rrugën që kishim bërë për ngushëllime.

Ishte kjo pjesa e parë dhe qëllimi i shkuarjes në Drenicë, por në të kthyer, profesori, veprimtari, luftëtari dhe veteran i UÇK-së, i palodhuri z. Behram Hoti, për të cilin në një fjalë rasti Efendi Hajrullah Hoxha tha: “vetëm prof. Hoti di, mundet dhe i bën bashkë intelektualët shqiptarë nga të gjitha trojet shqiptare…” na bëri edhe befasi të shumta duke na treguar momente të lavdishme nga e kaluara e largët dhe e afërt në këto treva heroike shqiptare.

Fillimisht na ndali tek përmendorja e dëshmorit të parë nga lufta e fundit çlirimtare, e mësuesit Jonuz Lladrovcit, i pushkatuar nga forcat armike, në afërsi të Gurit të plakës.

Me të hyrë në Albanën e Madhe, mbi kokë na rrinin Bjeshkët e bukura të Drenicës krenare, Çiçavica, Zonja e Madhe dhe Zonja e Vogël, Guri i Plakës, fshati heroik Likoshan, ku më 28 dhe 29 nëntor të vitit 1997 u bë masakra e parë e 52 të masakruarve në Drenicë (burra, gra, pleq e fëmijë, të cilët u varrosën me pjesëmarrjen e njëqind e pesëdhjetë mijë shqiptarëve nga të gjitha trojet shqiptare.

Po në këtë vend edhe plasi beteja e parë e UÇK-së kundër forcave policore, ushtarake e paramilitare të Serbisë thotë prof. Hoti dhe vazhdon…në të cilën u vranë një tog armiqsh por edhe nga radhët e UÇK-së u plagosën luftëtarët: Sabit Lladrovci, Sabit Geci, Sahit Jashari…dhe situata ishte shumë e vështirë deri sa në ndihmë u erdhi komandanti i përjetshëm Adem Jashari më luftëtarët e tij dhe i nxori të plagosurit që gjendeshin në rrezik, për t’i dërguar në shërim në Ticë të Rrezes së Hotit, nën përkujdesjen e kirurgut legjendar të UÇK-së Dr. Fadil Bekës. Beteja u zhvillua tek Gjashtë lisat binjakë të Likoshanit.

Në vazhdim, në anën e djathtë të rrugës dukej fshati Gradicë i trimit Mehmet Gradica, kurse në të majtë, para se të hyhet në Çirez, dukej Kalaja e Lladrovcit, në të cilën ranë heroikisht Xheva dhe Fehmi Lladrovci.

Në fshatin Çirez dukeshin gërmadhat e xhamisë së rrënuar në të cilën ishin bërë masakrat e këtij fshati e në dalje të tij pamë varrezat e të vrarëve e të masakruarve, simbol i rezistencës dhe vuajtjes shqiptare të kësaj treve heroike.

Dhe kështu, dalëngadalë i ofroheshim Prishtinës, nga ky rrugëtim shumë interesant dhe i paharruar, të cilin profesor Hoti na bëri aq impresionues saqë do të mbetet shumë gjatë në kujtesën tonë.

Medvegjë, 20 janar 2018

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të fundit
Trajneri i Manchester Unitedit, Jose Mourinho, insiston se e transferuan…