>

Dialogu teknik do të ketë dinamikë dhe qasje të re

21 shkurt 12:29

Shefi i delegacionit të Kosovës për dialog teknik, Avni Arifi, ka bërë me dije se ky proces në mes të Kosovës dhe Serbisë do të ketë një dinamikë dhe qasje të re.

Ai ka deklaruar se do të synohet që dialogu teknik në Bruksel në mes të Kosovës dhe Serbisë të jetë sa më gjithëpërfshirës dhe transparent. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Arifi ka thënë se tema të cilat do të diskutohen në këtë proces nuk janë vetëm të një koalicioni qeverisës.

“Gjithsesi se do të ketë një dinamikë të re, por qëllimi dhe fokusi do të jetë tjetër. Pra, do të fokusohemi për implementimin e marrëveshjeve ekzistuese. Ne të martën do të diskutojmë edhe me komisionin parlamentar për politikë të jashtme dhe synojmë që në secilin hap të veprimeve tona të kemi qasje gjithëpërfshirëse. Tema për të cilën po flasim nuk është vetëm temë e një koalicioni qeverisës të një mandati, andaj do të përpiqemi të jemi sa më gjithëpërfshirës dhe sa më transparent”, ka thënë Arifi.

Ai ka treguar se takimi i radhës për dialog teknik është caktuar për datën 26 dhe 27 shkurt.

Arifi ka deklaruar se në këtë takim dhe në takimet e radhës do të insistohet për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në këtë proces. “Mosimplementimi i marrëveshjeve apo zvarritja e tyre nga të dyja palët nuk i shërben as qëllimit të dialogut e as ndërtimit të mirëbesimit të ndërsjellë. Do të implementojmë të gjitha obligimet që kemi marrë, njëkohësisht do të insistojmë që obligimet e marra nga pala tjetër të implementohen në tërësi”, është shprehur ai.

Shefi i stafit të kabinetit të kryeministrit ka mohuar çdo mundësi që në procesin e dialogut për normalizim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi të diskutohet për shkëmbin të territoreve. “Asnjë mekanizëm në Kosovë, shtetëror apo partiak, nuk e përkrah idenë e ndarjes. Qeveria e Kosovës çdo herë ka qenë shumë e qartë në këtë dhe është e pakuptueshme pse përsëritet një pyetje e tillë. Kosova me askënd nuk ka as çka të ndaj e as çka të shkëmbejë territor të vet. Idetë për destabilizim permanent të rajonit kanë ekzistuar edhe më parë por, fatmirësisht, ide të tilla nuk janë përfillur”, është shprehur Arifi.

 

“Epoka e re”: Z. Arifi, jeni emëruar përfaqësues i Qeverisë në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Çfarë veprimesh keni ndërmarrë prej se jeni emëruar në këtë post?
Arifi: Që nga emërimi im, bashkë me kolegë të tjerë kemi filluar të analizojmë çdo gjë që ka ndodhur në procesin e deritanishëm, njëkohësisht t’i shikojmë mundësitë që këtij procesi t’ia japim drejtimin që është në funksionin të realizimit të qëllimeve të shtetit të Kosovës. Ky proces ka arritur në fazën që domosdoshmërisht kërkon një epilog. Po synojmë që ky epilog të nënkuptojë implementimin e marrëveshjeve ekzistuese dhe përgatitjen për fazën tjetër, atë të marrëveshjes përfundimtare. Ne jemi shumë të interesuar ta arrijmë normalizim të raporteve me Serbinë dhe ky normalizim quhet njohje reciproke si dy shtete të pavarura dhe sovrane.

“Epoka e re”: Kur pritet të rifillojë dialogu me Serbinë, meqenëse takimi i parë u anulua për shkak të ngjarjeve që tashmë dihen?
Arifi: Takimi i radhës është caktuar për datën 26 dhe 27 shkurt. Kosova do të marrë pjesë në këtë proces. Pra, e kemi konfirmuar praninë tonë.

“Epoka e re”: Çfarë do të ndryshoni në këtë proces? Do të ketë ky proces një dinamikë të re?
Arifi: Gjithsesi se do të ketë një dinamikë të re, por qëllimi dhe fokusi do të jetë tjetër. Pra, do të fokusohemi në implementimin e marrëveshjeve ekzistuese. Të martën do të diskutojmë edhe më komisionin parlamentar për politikë të jashtme dhe synojmë që në secilin hap të veprimeve tona të kemi qasje gjithëpërfshirëse. Tema për të cilën po flasim nuk është vetëm temë e një koalicioni qeverisës të një mandati, andaj do të përpiqemi të jemi sa më gjithëpërfshirës dhe sa më transparentë.

“Epoka e re”: Një numër i caktuar i marrëveshjeve të arritura në këtë proces nuk janë zbatuar. Si duhet të veprojë Kosova që këto marrëveshje të zbatohen?
Arifi: Do të insistoj të implementohen. Mosimplementimi i marrëveshjeve apo zvarritja e tyre nga të dyja palët nuk i shërben as qëllimit të dialogut e as ndërtimit të mirëbesimit të ndërsjellë. Do t’i implementojmë të gjitha obligimet që na kemi marrë, njëkohësisht do të insistojmë që obligimet e marra nga pala tjetër të implementohen në tërësi.

“Epoka e re”: Serbia sërish ka nxitur idenë e ndarjes së territorit të Kosovës, duke pretenduar se kjo mund të bëhet objekt negociatash midis dy shteteve. Cila është përgjigjja e Qeverisë së Kosovës në këtë rast?
Arifi: Asnjë mekanizëm në Kosovë, shtetëror apo partiak, nuk e përkrah idenë e ndarjes. Qeveria e Kosovës çdoherë ka qenë shumë e qartë në këtë dhe është e pakuptueshme pse përsëritet një pyetje e tillë. Kosova me askënd nuk ka as çka të ndaj e as çka të shkëmbejë territor të vet. Idetë për destabilizim permanent të rajonit kanë ekzistuar edhe më parë por, fatmirësisht, ide të tilla nuk janë përfillur.

 

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të fundit
Zëvendësministri i së Punëve të Brendshme, njëherësh koordinator nacional për…