Diplomoi gjenerata e parë e studentëve të Edukimit në Universitetin “Isa Boletini”

18 korrik 2018 | 17:11

Ka diplomuar gjenerata e parë e studentëve të Fakultetit të Edukimit në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”.

Me këtë rast, rreth 70 studentë kanë marrë certifikatat për diplomimin e tyre në një ceremoni të organizuar të mërkurën në ambientet e këtij fakulteti.

Në këtë ceremoni ishte i pranishëm prorektori, Ali Sadiku, dekanja e Fakultetit të Edukimit, Merita Shala, dekani i Fakultetit të Gjeoshkencave, Naser Peci, përfaqësues të institucioneve arsimore, mësimdhënës etj.

Folësit në ceremoni thanë se diplomimi i gjeneratës së parë të studentëve në Fakultetin e Edukimit është një moment i veçantë për Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”.

Prorektori, Ali Sadiku, i ka uruar të diplomuarit, të cilët megjithëse kanë qenë gjenerata e parë, kanë treguar sukses të jashtëzakonshëm. “Ne jemi krenar me ju, meqë përkundër faktit se keni qenë gjenerata e parë, keni qenë shumë të suksesshëm”, ka thënë ai.

Ndërsa profesoresha Merita Shala, dekane në këtë fakultet, ka theksuar se ka qenë kënaqësi puna me studentët e gjeneratës së parë në Fakultetin e Edukimit, ashtu siç është edhe me gjeneratat tjera. “Jemi sfiduar së bashku, por përkundër hapësirave jo të përshtatshme sa i përket objektit, ia kemi dalë me sukses”, është shprehur Shala.

Në emër të grupit të studentëve, foli Hatixhe Gashi, e cila ka falënderuar drejtuesit e Rektoratit të Universitetit, drejtuesit e Dekantit të Fakultetit dhe gjithë mësimdhënësit për mbështetjen e ofruar. “Jemi shumë të lumtur me suksesin tonë dhe jemi shumë të vendosur që të vazhdojmë drejt sukseseve të reja”, ka thënë ajo.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-sulmuesi italian, Antonio Cassano është fans i Leo Messit dhe…