DISIDENTJA E PARË SHQIPTARE, MUSINE KOKALARI

29 dhjetor 2017 | 10:56

Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha

Vala e gjyqeve të inskenuara në Shqipëri kishte filluar menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Gjatë kësaj periudhe u organizuan shumë procese gjyqësore, ku në bankën e të akuzuarve u ulën intelektualë të shumtë, kryesisht ishin ata të shkolluar në shtetet perëndimore dhe që nuk ishin të kënaqur që vendi i tyre ngeli në lindje. Edhe pse armata e të pakënaqurve ishte tejet e madhe që Shqipëria pranoi sistemin komunist, pushtetarët nuk hiqnin dorë nga regjimi i sapo instaluar.

Një nga organizatat opozitare ilegale më të hershmet e më të mëdha që u formua dhe punoi për të vendosur në Shqipëri një sistem politik pluralist në kundërshtim me përpjekjet që bënte udhëheqja e PKSh-së për të vendosur një sistem njëpartiak, ishte organizata “Bashkimi-demokratik shqiptar”.

Fillimisht, ata filluan fshehtas t’i shprehnin pakënaqësitë e tyre, që më vonë për të kaluar në formimin e grupeve e organizatave të para të formuara ilegalisht. Në këtë mënyrë lindën edhe bërthamat e para të opozitës shqiptare në jetën politike.

Në fillim formohet “Fronti i rezistencës”, më vonë fillojnë të lindin edhe organizata te tjera ilegale. Në skenën politike shqiptare dalin intelektualët e shquar që nuk ishin të kënaqur me rrjedhat politike, pastaj vijnë e marrin hov edhe patriotët nacionalistë që ishin të shumtë në tokën shqiptare, ndërkohë filluan të bashkëpunonin ngushtë me social-demokratët, që në vete kishin përfshirë emra të rinj e të nderuar si: Sami Qeribashi, Qenan Dibra, Musine Kokalari e shumë të tjerë.

Në radhët e opozitës shqiptare të pasluftës nuk mungonin as emrat e njohur të cilët kishin marrë pjesë dhe e përkrahnin me besnikëri Lëvizjen Nacional-Çlirimtare, e ata nuk ishin të paktë. Dëshpërimi nga ana e udhëheqësve komunistë që kishte pasuar menjëherë pas lufte i detyroi ata të tërhiqeshin dhe të merrnin qëndrim të kundërt. Me kohë u vërejt se nuk u respektuan qëndrimet e Mukjes dhe të Bujanit. Andaj çdo qëndrim i mëtejshëm në këto pozita për atdhetarët që donin një Shqipëri të bashkuar e demokratike ishte fyes për ta.

Ata demokratë, duke e parë nevojën se vetëm si të bashkuar do të lëviznin diçka nga zeroja që e kishte kapluar Shqipërinë, filluan të vepronin. “Në verën e vitit 1945 kam hyrë në lidhje me grupet e tjera antikomuniste të kryesuara nga Sami Qeribashi e Qenan Dibra dhe kemi hartuar memorandumin që do t’u dërgohej misioneve ushtarake aleate të akredituara në Tiranë e që ishte miratuar në mbledhjen e 6 nëntorit…”, kështu do të deklaronte Musineja gjatë hetuesisë.

Në memorandumin e tri partive antikomuniste ishte edhe një kërkesë që tek hetuesit kishte ngritur reagime të papara. Fjala ishte për kthimin e kufijve etnikë. Ngase në hetuesi Telat Drini kishte deklaruar se “ne jemi takuar me Qenan Dibrën, ku kemi shtruar çështjen e sigurimit të Kosovës dhe të Çamërisë…”.

Në takimin e verës 1945 u bashkua Partia Social-Demokrate, që kryesohej nga profesoresha Musine Kokalari, Partia e Legalitetit (zogiste), që kryesohej nga avokati Qenan Dibra dhe Fronti i Rezistencës (indipendent) që e udhëhiqte avokati Sami Qeribashi, duke formuar një organizatë më të madhe, më të fortë e më të fuqishme antikomuniste që e quajtën Bashkimi Demokratik Shqiptar.

Me formimin e kësaj organizate intelektualët e shumtë filluan të frymonin më lehtë dhe në të aderuan një numër i madh i patriotëve të paangazhuar gjerë më atëherë në partitë politike. Pas një aktiviteti të lakmueshëm dhe kur u mendua se organizatës së sapoformuar iu dha e mbara, organet e hetuesisë e zbuluan atë. Në vitet e para të pasluftës në Shqipëri u vu një “rregull” nga organet hetuese.

Çdo gjë survejohej me besnikëri nga njerëzit e pushtetit. Ishte krejt e natyrshme që një organizatë aq e madhe dhe aq aktive siç ishte Bashkimi Demokratik Shqiptar që të mos bjerë në sy. Në janar të vitit 1946 anëtarët e organizatës ilegale shqiptare një nga një u zbuluan dhe një nga një u arrestuan. Numri i tyre arriti në 37 veta. (Koincidencë e çuditshme. Po ashtu, në Kosovë, në Gjykatën e Qarkut në Gjilan, në të njëjtin vit, para trupit gjykues dalin 37 veta të organizatës patriotike atdhetare të NDSh-së).

Procesi i anëtarëve të Bashkimit Demokratik Shqiptar

“Më 17 qershor 1946, e hënë, ora 8.30. Në Kinemanë ‘Nacional’, sot ‘17 nëntori’, në prani të një populli të ‘zgjedhur’, mes zhurmës së altoparlantëve… Ishte ndër ta vetëm një femër”. Para trupit gjykues të Tiranës, përpara prokurorit Nevzat Haznedarit, në bankën e zezë u ulën patriotët dhe intelektualët më të devotshëm të asaj kohe. Në listën e të akuzuarve ishin: 1. Sami Qeribashi (61 vjeç), tregtar nga Gjirokastra. Dënohen me pushkatim; 2. Xhahit Koka (40), Ellasone (Larisa, Greqi), ekonomist, dënohet me pushkatim; 3. Hivzi Gole (36 vjeç), kishte mbaruar Fakultetin Juridik në Paris, dënohet me vdekje-pushkatim; 4. Qenan Dibra (36 vjeç). Dibër e Madhe, kishte të mbaruar jurisprudencën në Paris. U dënua me pushkatim; 5. Tut Mahmut Meniku (41), Tiranë, ushtarak, u dënua me pushkatim; 6. Telat Drini (37), Dibër e Madhe, nëpunës poste, dënohet me pushkatim; 7. Mehmet Ali Beshiri (42), Tiranë, kishte mbaruar shkollën tregtare në Austri. Dënohet me pushkatim; 8. Ali Kavaja (36), Kavajë, kishte të mbaruar shkollën teknike të Fulcit me sukses të shkëlqyeshëm, dënohet me vdekje; 9. Shaban Balla (42), Krujë, gjeometër. Dënohet me vdekje – pushkatim; 10. Jorgji Çoka, profesor (38), Tiranë, tregtar. Dënohet me vdekje – pushkatim. Pas tyre në listën e gjatë të të dënuarve vinin personat që ishin të dënuar me burg të përjetshëm (101 vjet, ata ishin: 11. Gjergj Kokoshi (42), Shkodër. Doktoron në Paris letërsinë. Dënohet me 30 vjet burg, vdes në burgun e Burrelit; 12. Suat Asllani (43 vjeç), avokat nga Libohova. Studimet i kishte mbaruar në San Demetrio Korone dhe në Napoli të Italisë, dënohet me 15 vjet burg; 13. Musine Kokalari (28 vjeçe), e lindur në Adana të Turqisë, doktoron në Romë për letërsi. Dënohet me 30 vjet burg; 14. Anesti Orollogai (49 vjeç), Korçë. Dënohet me 25 vjet burg; 15. Kolë Rodhe (63 vjeç), Korçë. Dënohet me 30 vjet burg.

Me burgim të përjetshëm në këtë proces gjyqësor u dënuan këta persona: 16. Lluka Bibi (46 vjeç), jurist nga Përmeti; 17. Anton Dukagjini, 54 vjeç, pensionist nga Puka; 18. Enver Hasa, 27 vjeç, ish-oficer nga Dibra; 19. Abdullah Muça, 30 vjeç, inxhinier nga Tirana.

Të dënuarit me 30 vjet burg ishin: 20. Nefail Shikuli, 30 vjet, ish-oficer nga Dibra; 21. Qemal Biçaku, 26 vjeç, tregtar nga Elbasani; 22. Reiz Hasho, 22 vjeç student nga Gjirokastra.

Me nga 25 vjet burg u dënua vetëm; 23. Myrteza Beli, 44 vjeç nëpunës nga Korça. Ndërsa me nga 20 vjet u dënuan; 24. Hasan Kalaja, 36 vjeç, shegert nga Kruja; 25. Stefan Bumçi, 33 vjeç ish-oficer nga Shkodra; 26. Vahid Vërdalli, 60 vjeç bujk nga Korça dhe; 27. Haki Gjinishi, 53 vjeç, financier nga Peqini.

U dënuan me 10 vjet burg: 28. Haki Karahoda; 34 vjeç, punëtor nga Elbasani; 29. Pali Terova, 37 vjeç, nëpunës nga Korça; 30. Niko Beça, 33 vjeç, tregtar nga Tirana; 31. Musa Dizdari, 33 vjeç, profesor nga Shkodra; 32. Llazar Papapostoli, 31 vjeç, nëpunës nga Bilishti. Me 5 vjet burg u dënua; 33.

Semiramise Verlaci, 62 vjeç, shtëpiake nga Elbasani. Ndërsa me 1 vjet burg u dënuan: 34. Pjerin Shala, 26 vjeç, ish-oficer nga Shkodra; 35. Nesim Starova, 39 vjeç, nëpunës nga Pogradeci. Dhe vetëm dy persona u shpallën të pafajshëm: 36. Xhevat Miluka, 38 vjeç, ish- oficer nga Dibra dhe; 37 Taqo Ruqi, 42 vjeç, ish-oficer nga Kolonja.

Në mesin e të arrestuarve ndodhej edhe patriotja e shquar, poetja e mirëfilltë dhe doktoroja e parë e shkencave filologjike, kryetarja e parë e partisë Social-Demokrate, Musine Kokalari. Ajo qe lindur në Gjirokastër më 1917 në një familje intelektualësh.

Vëllai i saj, Hamiti, është një nga përkthyesit tanë më të mirë dhe autori i librit shkencor “Kosova djep i shqiptarizmës” (1943). Banonte në Tiranë. Ishte vajza e vetme e juristit të shquar nga Gjirokastra. Shkollën e mesme e kishte mbaruar në Institutin “Nëna Mbretëreshë”, për t’i vazhduar studimet e larta për letërsi në Universitetin e Romës. Më 28 nëntor të vitit 1941 merr titullin doktor i shkencave të letërsisë po në këtë universitet dhe në të njëjtën kohë i ofrojnë vend pune.

Në vitin 1943, së bashku me Skënder Muçon, krijon partinë e re Social Demokrate që llogaritej se ishte fraksion i dalë nga Balli Kombëtar. Nga organet e shtetit zbulohet dhe arrestohet më 12 nëntor 1944, mbahet 17 ditë në arrest dhe lirohet ngase vetëm katër ditë më herët i pushkatohen pa gjyq dy vëllezërit e saj Muntazi dhe Vesimi, që me dhjetë persona të tjerë përfundojnë në një varr të përbashkët, aty mbrapa hotel Bristolit.

Më 1945 Mysines i ofrojnë të bëhet anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, por ajo e revoltuar me vrasjen e dy vëllezërve dhe me shumë padrejtësi të tjera, refuzon. Nga dokumentet që i kam hulumtuar në Arkivin Qendror të Shqipërisë kam hasur në korrespodencën e saj me vëllezërit e saj dhe nga ato shihet se sa Mysineja ka qenë e lidhur me vëllezërit e vet dhe sa rëndë e ka ndjerë humbjen e tyre. Dhe pas kësaj organet hetuese edhe më tepër shtuan përcjelljen ndaj saj.

Dhe nuk vonoi shumë, ajo më 23 janar 1946 arrestohet dhe në procesin e mbajtur më 17 qershor 1946 nga prokurori dënohet me 30 vjet burgim, ndërsa nga gjykatësi me 20 vjet. Sipas dokumenteve, thuhej se tërë jetën që e bëri në Shqipërinë komuniste, e bëri në pranga dhe në internime. Lirohet nga burgu më 1961 dhe internohet përjetësisht në Rrëshen të Mirditës. Punon punëtore krahu në fermë, në ndërtim duke e ruajtur e përgjuar nga sigurimi derisa dhe u sëmurë nga kanceri.
Vlen të përmendim se Musine Kokalari veç që merrej me politikë, ajo më herët, por edhe më vonë, u mor me krijime letrare.

Qysh si nxënëse e shkollës fillore ajo filloi të merrej me krijimtari dhe kishte botuar shumë skica e tregime letrare. Shkrimet e saj u çmuan lart nga qarqet krijuese. Më 1941 kishte botuar për herë të parë vëllimthin “Siç më thotë nënua plakë”, që më vonë kjo përmbledhje e shkrimeve të ndryshme i siguroi vendin meritor të një shkrimtareje të talentuar. Këtë sukses të saj më vonë e konfirmojnë edhe dy vëllimet e reja siç ishin: “Rreth vatrës” dhe “Sa u tund jeta”, më 1944. Kritikët letrarë vlerësonin se ajo ishte pa dyshim shkrimtarja femër më e talentuar e letërsisë shqiptare.

Angazhimi i saj opozitar

Edhe pse merrej me letërsi, ajo në asnjë moment nuk la anash aktivitetin politik dhe luftën e saj për një Shqipëri demokratike properëndimore. Më 1943 ajo kishte formuar Partinë Social-Demokrate në Shqipëri. Më vonë ky aktivitet i dendur politik i saj i kishte sjellë edhe pasoja të paimagjinueshme. Sipas shkrimeve të shumta që u bënë për të, thuhej se më 1944 për Musine Kokalarin mbyllet edhe cikli i parë dhe i vetmi i jetës së lumtur. Nga ky vit, kur ajo ishte në kulmin e krijimtarisë dhe në kohën kur lëvizja e rezistencës ishte në hovin më të madh, po nga këtu fillon golgota tragjike e jetës së saj.

Ndaj saj nis një persekutim mizor dhe një torturë tepër e zgjatur jetësore. Ajo grua finoke e tepër e brishtë, mbajti 16 vjet burg të rëndë nëpër kazamatet shqiptare. Pastaj 20 vjet qëndroi në internim që do të thotë se qëndroi deri në ditët e fundit të jetës.

Trim Gjata me të drejt konstaton: “Asnjë femër nuk është përndjekur, tek ne më egërsisht e më gjatë se ajo Musine Kokalari. Ajo qëndroi krenare dhe kurrë nuk u përkul dhe nuk pranoi propozimet dinake që të kërkonte ‘lehtësime’.

Nga sa u tha më lart mund të shihet se Musineja vërtet ishte një martire e kauzës së demokracisë dhe e pluralizmit politik. Njëkohësisht ishte edhe luftëtare e paepur, absolutisht e pamanipulueshme nga monizmi që mbretëronte atëherë. Me një fjalë, ajo ishte një karakter i çeliktë prej femre.

Që të fitonte bukën e gojës iu desh t’i punonte punët më të rënda duke filluar nga ato bujqësoret, në ndërtimtari dhe si punëtore krahu. Shumë shkrime të saj edhe sot nuk dihet se ku kanë tretur dhe se ku ndodhen apo, ndoshta, janë zhdukur nga “kujdestarët” e sistemit tërësisht. Por, vlen të citohet vetëm kjo që është e marrë nga ditari i saj i nxjerr nga burgu, ku shkruan: “Njoha kulturën demokratike, tragjedinë e përmbysjeve të mëdha revolucionare, gjyqin special, 16 vjet burg e 20 vjet internim, punën e punëtorit në bujqësi e ndërtim, vetminë e vetëkërkuar, shoqërinë e rastit në burg, ndryshimet tërmet për konsolidimin e diktaturës dhe kam 38 vjet që kam harruar çdo të thotë familje…”

Përcjellja e saj e fundit, në një kamion me zhavorr të mbushur

Pas shumë peripecive të jetës së mundimshme, prej fshati në fshat, prej internimit në internim, ajo nuk mundi të duronte më… Më 13 gusht të vitit 1983 mbylli sytë përgjithmonë, duke shkuar nga kjo botë për të mos parë kurrë se, ëndrra e saj dhe e shumë gjeneratave ngeli e parealizuar. Autoritetet shtetërore e varrosën pa praninë e miqve. E varrosën dy-tre veta, duke e ngarkuar në një kamion zhavorri. Dhe kjo ishte fyerja e fundit që iu bë asaj.

Musineja tërë jetën bëri luftë të paepur, vetëm e vetëm që të ndryshojë diçka, e ajo diçka ishte shumë e rëndësishme për Shqipërinë dhe shqiptarët. Por, tërë ajo ishte e kotë. Ata u munduan t’ia thyenin shpirtin, dinjitetin dhe krenarinë, por kurrë nuk ia dolën. Ajo mbeti në kujtesën e njerëzve, krenare dhe atdhetare, që edhe sot e ruajnë me krenari në kujtesa gjenerata e gjenerata.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Fushë-Kosovë është…